Si (nuk) duhet të raportohet për vetëvrasjet: Rekomandime dhe shembuj

Kete lajm mund ta lexoni edhe ne : Maqedonisht

Në rastet kur ka interes publik të raportohet për ndonjë vetëvrasje, gazetarët duhet ta shfrytëzojnë mundësinë për edukim të publikut dhe për thyerjen e miteve dhe paragjykimeve.

Linja SOS për gjendje krize në Klinikën për psikiatri (24/7): (02) 3136 400.

Shkruan: Zharko Trajanoski, magjistër për të drejtat e njeriut

 

Në pjesën e parë – Raportim (jo)etik: A ndikojnë mediat në numrin e vetëvrasjeve? – i parashtruam edhe pyetjet

  • “A duhet të raportohet për çdo rast të vetëvrasjes?”,
  • “A duhet të raportohet për shkaqet e vetëvrasjes?”,
  • “A duhet të kyçen gazetarët në luftën për parandalimin e vetëvrasjeve?”.

Në pjesën e dytë – Si (nuk) duhet të raportohet për vetëvrasjet: Përmbahuni nga senzacionalizmi! – përmendëm se pse mediat nuk duhet të jenë “copycat” i MPB-së, se nuk publikojnë statistikë precize dhe se raportimi etik nuk ka asgjë të përbashkët me senzacionalizmin. Në pjesën e tretë japim rekomandime konkrete për raportim të përgjegjshëm e poashtu japim shembuj të raportimit të papërgjegjshëm, nga ana e mediave të Maqedonisë.

 

Edukimi i publikut

“Vetëvrasja asnjëherë nuk është rezultat

vetëm i një faktori ose ngjarjeje” (Doracaku i OBSH-së)

 

Në rastet kur ka interes publik të raportohet për ndonjë vetëvrasje, gazetarët duhet ta shfrytëzojnë mundësinë për edukim të publikut dhe për thyerjen e miteve dhe paragjykimeve. Gjatë kësaj, vetëvrasja nuk duhet të paraqitet si rezultat i një ngjarjeje ose i një shkaku. Për shembull, në tekstin “Për dy ditë, dy vetëvrasje“ është paraqitur vetëvrasja si rezultat i një ngjarjeje “bizare”:

“…jetën ia ka marrë vetëvetes sipas të gjitha gjasave pas një zënke të zakonshme familjare për atë se a do t’ia japë babai automobilin ose jo.”

Raportimi joetik vazhdon edhe në fjalinë e ardhshme, përkundër rekomandimeve që të shmanget përshkrimi eksplicit i metodës së vetëvrasjes:

“Pasi babai ka vendosur të mos ia japë automobilin djalit të tij, dajli ka shkuar në dhomën tjetër, e ka marrë pushkën dhe e ka gjuajtur vetëveten.”

Për dallim nga njëra vetëvrasje (e cila “është zgjidhur”, “edhe pse tani për tani nuk ka konfirmim zyrtar të shkaqeve”), vetëvrasja e dytë është paraqitur si misterioze, përkundër rekomandimit që vetëvrasja të mos përshkruhet si e papërshkrueshme ose “pa paralajmërim”: “Askush nuk mund të thotë me saktësi se cilat janë shkaqet e vdekjes së…”, “Të vërtetën për vdekjen e tij, studenti e mori me vete në varr”.

 

Nuk ka vetëvrasje “të suksesshme”

“Shmanguni gjuhës me të cilën vetëvrasja bëhet

senzacionale ose normale ose ajo

të paraqitet si zgjidhje e problemeve” (Doracaku i OBSH-së)

 

Përdorimi i shprehjes “vetëvrasje e pasuksesshme“ supozon se vetëvrasja është sukses. Poashtu, në vend të shprehjes “?pidemi vetëvrasjesh“, rekomandohet të përdoret shprehja “përqindje e rritur”, veçanërisht kur raportohet për “vendin i cili më parë kishte njërën nga përqindjet më të ulëta të vetëvrasjeve në botë. Rekomandohet të shmanget edhe publikimi i shprehjeve si “?aqedonasit janë rekorderë në helmimin me …”, “vendi me përqindje më të lartë të vetëvrasjeve në botë”, “qyteti në Pelister ishte në kulm për nga numri i vetëvrasjeve në Maqedoni” dhe të ngjashme.

Në vend të shprehjeve policore të cilat vetëvrasjen e paraqesin si fenomen nga fusha e kriminalitetit, duhet të përdoret fjalor edukativ që përcjell porosi se vetëvrasja është problem i rëndësishëm i shëndetësisë publike. Prandaj, nuk rekomandohet as përdorim metaforik i fjalës “vetëvrasje” në kontekst politik, si në shprehjen “vetëvrasje politike“.

Assesi nuk rekomandohet që vetëvrasja të paraqitet si “zgjidhje” ose “shpëtim”, si në titullin “Vetëvrasja – shpëtim nga problemet“.

 

Çarshia nuk duhet të shfrytëzohet si burim

Gazetarët duhet të përmbahen nga mbështetja në burime ose spekulime të çarshisë:

 

“Nëpër çarshi dëgjohen versione të ndryshme rreth motivit të tij, përmenden varshmëri, por me gjasë, e vërteta shkoi në varr me djalin e pafat.” (Dy sekonda deri në vdekje).

 

Në vend të citimit ose intervistimit të dëshmitarëve ose burimeve policore, rekomandohet të kërkohet këshillë nga ekspertët për parandalimin e vetëvrasjeve.

Duhet pasur kujdes të veçantë kur burime të informatave janë më të afërmit. Është joprofesionale të futja në titull e spekulimeve senzacionaliste për ndonjë person të humbur (“Ndoshta është vetëvrarë?”) si dhe publikimi i informatave nga dosja mjekësore. Duhet shmangur edhe paraqitja senzacionaliste e mendimeve të ekspertëve, siç është nëntitulli “Vetëvrasjet nuk mund të pengohen!”. Gazetarët duhet të përmbahen edhe nga publikimi i deklaratave kontraverze të “ekspertëve”:

 

“…psikolog në qendrën për kujdes social, thotë se vetëvrasjet janë dukuri sezonale, por ndikim të madh ka edhe yllësia.”

 

Kujdes me përshkrimet e detajuara!

Gazetarët duhet të përmbahen nga përshkrimi i detajuar i viktimës (veçanërisht nëse nuk bëhet fjalë për person publik) dhe i metodës së vetëvrasjes, për shkak se raportimi i detajuar mund të paraqesë shtytje që edhe njerëz të tjerë ta kopjojnë metodën e përshkruar. Nëse raportohet për ndonjë rast të mbidozimit të ndonjë personi publik, rekomandohet të mos raportohet në mënyrë të detajuar për natyrën, kuantitetin, kombinim e drogave të marra ose mënyrën se si janë blerë ato.

Te ne, shumë shpesh publikohen emrat, mbiemrat dhe të dhënat të tjera personale për viktimat e vetëvrasjes që nuk janë persona publikë, ndërsa për metodën e vetëvrasjes raportohet në mënyrë senzacionaliste që në titull. Jo rrallë përmenden detale edhe për mjetin që është përdorur për vetëvrasjen e kryer (publikimi i markës së revoles, “brendi” i kemikaljes, lloji dhe kuantiteti i barnave të keqpërdorura ose drogës, etj.).

 

Nuk duhet të reklamohen vendet “e popullarizuara” për vetëvrasje

“Mos përmendni informata të detajuara për vendin

ku është kryer vetëvrasja ose përpjekja për vetëvrasje” (Doracaku i OBSH-së)

 

Raportimi i detajuar ose senzacionalist për “lokacionet për vetëvrasje” mund të kuptohet si promovim i tyre mediatik. Është joprofesionale që në mënyrë metaforike të paraqiten lokacionet e tilla si “magnet”:

 

“Sikur në Maqedoni të bëhej një top-listë e vendeve që si magnet i tërheqin personat me qëllime vetëvrasëse – [emri i urës] kumanovare do të ishte pandan i urës “Golden Gate” në San Francisko.” (Dy sekonda deri në vdekje).

 

Edhe më joprofesionale është të jepen udhëzime konkrete se si arrihet deri te “Ura e vdekjes” (…arrihet shumë lehtë…) dhe ajo të paraqitet si urë “që me të parën do t’ua marrë frymën”.

 

Video, fotografi, porosi lamtumirëse, përmbajtje nga rrjetet sociale

“…Nuk duhet të përdoren fotografi të personit që ka kryer vetëvrasje.

Për përdorimin e fotografive vizuale duhet të kërkoni

leje eksplicite nga anëtarët e familjes”…(Doracaku i OBSH-së)

 

Në mediat e Maqedonisë gjithnjë e më shpesh publikohen fotografi, video ose porosi lamtumirëse të viktimave të vetëvrasjeve, madje edhe të viktimave në moshë të mitur. Në raste të caktuara, publikohen fotografi skajshmërisht joadekuate. Për shembull, titulli senzacionalist “U vetëvra një pacient në spitalin e Shtipit – është varur me fashën mjekësore” është ilustruar me një litar-trekëmbësh. Me këtë rast, jepen të dhëna nga historia e sëmundjes së pacientit, prej cilës sëmundje ka vujatur, për çka është operuar, dhe ku ka jetuar.

Redaktorët duhet të jenë posaçërisht të kujdesshëm gjatë përzgjedhjes së fotografive, për shkak se edhe vetë fotografia mund të sugjerojë për të bërë vetëvrasje. Për fat të keq, është bërë “trend” mediatik edhe publikimi i videove dhe mediave nga rrjetet sociale të viktimave, porositë e tyre lamtumirëse dhe porositë e personave që paralajmërojnë vetëvrasje.

Një nga shkeljet më të rënda të standardeve profesionale gazetareske ishte publikimi i “drejtpërdrejtë i vetëvrasjes” së një personi të dyshuar që ndiqej nga policia, nga ana e një televizioni amerikan. Disa portale të vendit publikuan artikuj senzacionalistë se fëmijët e mitur të viktimës e padisin stacionin televiziv për atë që ka lejuar drejtpërdrejtë ta shohin vetëvrasjen e babait të tyre. Me publikimin e videos kontestuese (veçanërisht me titull senzacionalist “VDEKJA NË TRANSMETIM TË DREJTPËRDREJTË”) edhe mediat tona u bënë bashkëpjesëmarrëse të drejtpërdrejta në mosrespektimin e dhimbjes personale dhe pikëllimit të fëmijëve për të cilët raportuan.

 

Linja SOS për gjendje krize në Klinikën për psikiatri (24/7):
(02) 3136 400

Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Back to top button