Mediet, zgjedhjet, shprehjet e urrejtjes dhe jotoleranca (2)

Kete lajm mund ta lexoni edhe ne : Maqedonisht

Sa është ora, të nderuar(a) gazetar(ë/e)?

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë e as nuk do të përpunojë informata që i rrezikojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të flasë me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë dhe diskriminim mbi çfarëdo lloj baze (nacionale, fetare, racore, gjinore, sociale, gjuhësore, të orientimit seksual, politik…).”
(Kodeksi i gazetarëve të Maqedonisë, SHGM)

Vazhdim i: As mediet nuk janë më ato që ishin: A guxojnë ministrat të japin deklarata partiake në orar të punës?

Liria e të shprehurit nënkupton përgjegjësi
Njëri nga obligimet etike të gazetarëve është ta njohin gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën që nxit dhunë dhe diskriminim mbi çfarëdo lloj baze, dhe të distancohen nga ajo. Mu për këtë arsye, është e domosodshme që të njihen vendimet më të rëndësishme të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut në lidhje me gjuhën e urrejtjes.

Sipas dr. Mirjana Llazarova Trajkovskës, gjykatëse në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, gjykata i ”kushton rëndësi më të madhe të mundshme lirisë së të shprehurit në kontekst të debatit politik dhe konsideron se diskursi politik nuk duhet të kufizohet pa pasur arsye të forta”, me qëllim që të mos vijë deri te shuarja e mendimit kritik. Megjithatë, kjo liri nuk është absolute dhe imponon që ”politikanët në fjalimet e tyre politike t’i shmangen përhapjes së komenteve që do të mund të çonin drejt jotolerancës “ (Incal kundër Turqisë, aktvendim i GS i datës 9.6.1998 në bazë të ankesës nr. 22678/93 22678/93).

Si e para, gazetarët duhet ta dijnë se, në parim, ndëshkimi i gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore nuk paraqet shkelje të të drejtës për liri të të shprehurit. Për shembull, gjatë fushatës zgjedhore në Belgjikë, janë shpërndarë broshura me sllogane të këtilla: “Kundërvihuni islamizimit të Belgjikës”, “Stop për politikën e turpshme të integrimit”, “Dërgoni në shtëpitë e tyre ata që kërkojnë punë, e nuk janë prej Evrope”, etj. Politikani përgjegjës për shpërndarjen e broshurave nga partia politike belge “Fronti nacional” është dënuar për nxitjen e racizmit, urrejtjes dhe diskriminim, pasi i është marrë imuniteti i deputetit të parlamentit. Në vitin 2006, ky politikan është ndëshkuar me masë alternative (shërbim për komunitetin, në lidhje me integrimin e emigrantëve) dhe i është marrë e drejta për t’u zgjedhur deputet për një kohë të caktuar. Për shembull, për afishen “Atentatet në SHBA, ai është klani kus-kus”, gjykata belge e apelit ka konstatuar se paraqitja e tillë e panuancuar, me të cilën të gjithë muslimanët lidhen me terroristët, paraqet nxitje të urrejtjes ndaj të gjithë pjesëtarëve të atij grupi.

Pasi politikani i dënuar është ankuar në Strazbur, Gjykata evropiane ka konstatuar se:

“Edhe pse në kontekstin zgjedhor partitë politike duhet të gëzojnë liri të gjerë të të shprehurit në përpjekjet e tyre për t’i bindur votuesit e tyre, kur bëhet fjalë për gjuhë raciste ose ksenofobike, konteksti i tillë kontribuon për përhapjen e urrejtjes dhe mosdurimit…”, 

gjegjësisht, se:

“ndikimi i gjuhës raciste dhe ksenofobike atëherë bëhet më i madh dhe më i dëmshëm.”

Njëri nga argumentet kryesore të gjykatës është se procesi zgjedhor nuk mund të jetë arsyetim për përdorimin e fjalorit që nxit diskriminim dhe urrejtje rracore, edhe përkundër asaj se fjalori politik imponon nivel më të lartë të mbrojtjes. (Féret v. Belgium)

Përgjegjësia e gazetarëve dhe e mediumeve në lidhje me përhapjen e gjuhës së urrejtjes

A mund të ndëshkohen edhe gazetarët për përcjelljen e gjuhës së urrejtjes, për shembull, për shkak të deklaratave që i kanë dhënë personat e tjerë gjatë intervistës? Çështja është kontraverze.

Sipas Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut:
“Ndëshkimi i gazetarit për dhënien e ndihmës në përhapjen e deklaratave të cilat i kanë dhënë personat e tjerë në intervistë, do ta pengonin në mënyrë serioze mediumin që të kontribuojë në debat për çështje me interes publik, dhe kufizimi i tillë nuk duhet të parashihet, përveç nëse nuk ka arsye serioze për një gjë të tillë”. (Jersild kundër Danimarkës)

Mu për këtë arsye, gjykata konstatoi se ka shkelje të të drejtës për t’u shprehur së gazetarit danez, i cili ka qenë i dënuar për shkak të përhapjes së deklaratave raciste në një dokumentar televiziv. Mbizotëron mendimi se ky dokumentar nuk ka pasur për qëllim të propagandojë pikëpamje dhe ide raciste, por ta informojë opinionin për një problem social.

Por, vetë aktvendimi i gjykatës ishte kontraverz, në mes tjerash, për shkak se katër gjykatës kishin mendim të kundërt. Sipas tyre, e njëjta gjë që vlen për racistët (të cilët nuk janë të përfshirë në mbrojtjen e të drejtës së të shprehurit) ”duhet të vlejë edhe për gazetarët që përhapin deklarata të tilla, duke dhënë komente që i përkrahin ato, ose duke i miratuar deklaratat e tilla”.

Megjithatë, Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut konstaton përgjegjësi të mediumeve sa i përket përhapjes së urrejtjes në rastin SÜREK v. TURKEY (No. 1). Në fakt, gjykata nuk e pranon ankesën e pronarit të një mediumi, i cili është dënuar edhe për nxitjen e armiqësisë dhe urrejtjes në mesin e popullit, për shkak se ka mundësuar publikimin e dy letrave të lexuesve. Gjyqi konstaton se në njërën nga letrat përmenden persona konkretë me emrat e tyre, se nxitet urrejtje ndaj tyre dhe se ata i ekspozohen rrezikut të mundshëm për dhunë fizike. Edhe përkundër asaj se gjykata konstaton se pronari i mediumit personalisht nuk është i lidhur me pikëpamjet që gjenden në dy letrat, megjithatë ai u ka mundësuar atyre që i kanë shkruar ato, të nxisin dhunë dhe urrejtje. Gjykata nuk e ka pranuar as argumentin e pronarit se ka vetëm lidhje komerciale, e jo edhe redaktuese me publikimin.

Mosnjohja e gjuhës së urrejtjes si gjenerator i veprave penale të urrejtjes

“Politikanët e pamëshirshëm dhe akademikët e paskrupullt, të ndihmuar dhe të përkrahur nga gazetarët e dëgjueshëm mund të zbatojnë fushata të suksesshme të urrjejtjes dhe të dhunës, të bazuara në teori të mbrapshta të superioritetit, ndërsa dëshmi për këtë janë pastrimi etnik dhe gjenocidi në Afrikë dhe në Ballkan në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.” (Gazetaria etike dhe të drejtat e njeriut)

Sipas “Doracakut për etikë në gazetari”, të botuar nga SHGM-ja, ”gjuha e urrejtjes nuk korrespondon me etikën e gazetarit”:

“Mediumi dhe gazetari nuk duhet të publikojnë material (informatë, fotografi, mendim, koment) që ka për qëllim të përhapë armiqësi ose urrejtje, ose nëse ka probablitet të madh se materiali i publikuar do të shkaktojë armiqësi ose urrejtje ndaj dikujt për shkak të racës, përkatësisë etnike, gjinisë, besimit, përkatësisë politike, orientimit seksual, hendikepit fizik, etj.

Gazetarët gjithmonë ballafaqohen me sfidë etike për atë se a të raportojnë dhe si të raportojnë për gjuhën e urrejtjes dhe dhunën e shkaktuar nga urrejtja. Në parim, mediumet radiodifuzive nuk guxojnë të emitojnë përmbajtje që kanë për qëllim „rrëzimin e dhunshëm të rendit kushetues të Republikës së Maqedonisë ose që bëjnë nxitje ose thirrje për agresion ushtarak ose për nxitjen urrejtes dhe mosdurimit nacional, racor, gjinor ose fetar”.

Por, në rast të përmbajtjeve të këtilla, “mediumet radiodifuzive mund ta realizojnë të drejtën e tyre të informimit të opinionit ashtu që do të distancohen nga ato përmbajtje, gjegësisht për to do të sigurojnë kontekst plotësues faktik dhe kritik, në ç’mënyrë do të zvogëlohet konotacioni negativ ose akuzat që gjenden në to.”

Për shembull, kur raportuan për dhunën e personave që protestuan para qeverisë më 01.03.2013, një pjesë  e mediumeve treguan video-inçizime se si demonstrantët bërtasin sllogane që nxisin urrejtje dhe dhunë. Mirëpo, pjesa më e madhe e atyre gazetarëve që vendosën t’i publikojnë inçizimet me bërtitjet, nuk e dënuan dhe nuk u distancuan nga gjuha ofenduese që nxit urrejtje, dhunë dhe diskriminim. E lëshuan rastin që ta ndërlidhin gjuhën e urrejtjes, dhe t’i ngrisin çështjet e dhimbshme që janë me interes publik:

Pse dënohet vetëm dhuna, ndërsa injorohet gjuha e urrejtjes që shkakton dhunë?
Pse në Maqedoni nuk ka dispozita më të ashpra ligjore për veprat penale të urrejtjes, siç ka në vendet e tjera?

Përveç kësaj, në raportimin e MIA-s, i cili u përcoll në mënyrë jokritike nga shumë mediume, aspak nuk informohet se protestat janë shoqëruar me gjuhë të urrejtjes në baza etnike. Artikulli Arrestohen pjesëmarrësit e incidentit para qeverisë njofton se ”disa policë janë ankuar nga lëndimet që i kanë pësuar gjatë incidentit”, ndërsa përfundon duke iu referuar ”informatave iniciale nga vendi i incidentit”, sipas të cilave ”ka pasur një veturë të ambulancës – të ndihmës së parë, por akoma nuk konfirmohet se a ka persona të lënduar”.

Më vonë, mediume të tjera informuan për “Qytetarë dhe policë të lënduar” (Nova TV), “Në incident ka policë dhe qytetarë të lënduar” (Plusinfo) dhe se protestuesit “arritën të sulmojnë dhe të rrahin disa kalimtarë të rastit të nacionalitetit shqiptar” (MKD.MK dhe Sitel). Kundrejt mediumeve në gjuhën maqedonase, të cilat nuk raportuan për gjendjen e viktimave të dhunës, Alsati raportoi për “Dhunë nga tifozët, 5 të rinj shqiptarë në spital”, prej të cilëve dy janë në përkujdesje intenzive.

Gjeneralizime të rrjeshme dhe të shpejtuara

“Shmanguni gjeneralizimit në bazë të racës, gjinisë, moshës, besimit fetar, përkatësisë etnike, vendbanimit, orientimit seksual, hendikepit, pamjes fizike ose statusit social.” (Kodi gazetaresk i Shoqatës së gazetarëve profesionalë)

Një pjesë e standardeve profesionale ka të bëjë me shmangien e stereotipizimit mbi baza të ndryshme. Në një shoqëri të ndarë, siç është ajo në Maqedoni, gazetar(et/ët) duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm të mos bijnë në kurthin e “gjeneralizimit të rrejshëm”.

Shembull klasik shkolle i gjeneralizimit të rrejshëm është kontributi televiziv “Shqiptarëve u dhimben të vetët, heshtin për maqedonasit e rrahur” (05.03.2013), që është emituar në lajmet ? Kanal 5, i cili u bë fokus i senzacionalizmit gazetaresk. Inserte nga kontributi televiziv u publikuan në shumë mediume, me tituj senzacionalistë: VIDEO: Zotëri Kanal 5, sa është ora? (Netpres), VIDEO: Një mysafir i paftuar u fut në lajmet e Kanal 5 (Kurir), Një kalimtar i dehur u fut drejtpërdrejt në lajmet e Kanal 5 (Republika), Një mysafir i paftuar u fut në lajmet e Kanal 5! Më falni sa është ora? (VIDEO) (Veçer).

Në fokusin e paraqitjes senzacionaliste të mediumeve ishte “mysafiri i paftuar”, ndërsa krejtësisht u injorua titulli i kontributit televiziv i cili është shembull klasik shkolle për kornizim joetik nëpërmjet gjeneralizimit të rrejshëm. Në fakt, në kontributin e përmendur aspak nuk trajtohet çështja tendencioze nga nëntitulli “Pse mediumet shqiptare në vend dhe në rajon njoftojnë vetëm për shqiptarët e rrahur, e nuk tregojnë se edhe maqedonasit janë viktima të shqiptarëve të dhunshëm?”, por çështje krejtësisht të tjera nxitëse. Ndërsa në titull, konstatimi nuk ka të bëjë me “mediumet shqiptare”, por në përgjithësi me “shqiptarët”.

Të përkujtohemi edhe për një fakt nga ”Doracaku për etikë në gazetari”:

“kur informohet për grupe etnike, gazetari nuk guxon të harrojë se ato përbëhen nga individë me qëndrime dhe përvoja të ndryshme dhe nuk bën t’i gjeneralizojë ata.”

Përgjegjësia për deklarata nga burimet

Gazetari mban përgjegjësi edhe për atë që e deklarojnë bashkëbiseduesit, për shkak se nëpërmjet tij, ato qëndrime bëhen publike, prandaj është i obliguar t’i parafrazojë ose të distancohet nga gjuha ofenduese, promovimi i stereotipeve ose diskriminimi.” (“Doracak për etikën në gazetari”)

Gazetaria etike ka kujdes dhe distancohet nga çdo lloj i gjuhës së urrejtjes dhe jotolerancës që mund të shkaktojë dëm, sipas parimit “minimizojeni dëmin”.

Një numër i madh gazetarësh aspak nuk u distancuan, por në mënyrë jokritike i përcollën, ose madje edhe i përforcuan deklaratat ksenofobike të kryeministrit në titujt e tyre.

Shumë mediume, pa asnjë distancim dhe kritikë, e përcollën deklaratën që i ngirt tensionet të një eksperti kosovar i cili vlerëson se “…përsëri po ringjallet ai fashizëm sllav që i ka shkaktuar luftërat e viteve të 90-ta …”.

Numri më i madh i gazetarëve aspak nuk u distancuan dhe nuk i dënuan deklaratat nënçmuese dhe stereotipet negative të kryetarit të komunës së Ohrit (në bazë racore dhe orientimit seksual), por i përforcuan dhe i shpërndanë ato nëpërmjet titujve të tyre.

Shembujt e shumtë të raportimit joetik, kundrejt rasteve të rralla të gazetarëve që në mënyrë të hapur dhe të guximshme i kundërvihen gazetarisë joetike, i japin peshë të veçantë etike çështjes së aktualizuar nga “ndërhyrja e drejtpërdrejtë” në lajme: Me të vërtetë, sa është ora, gazetar(e/ë) të nderuar(a)?

********************************************************************************************************************************

Kjo analizë është përgatitur nga ekipi i Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia.

Lajme të ngjashme

Back to top button