Artist dhe mësues shembullor

Artistët i takojnë racës së njerëzve pa të cilët popujt do të mbeteshin pa identitet. Ata janë të pazëvendësueshmit e shoqërive të qytetëruara, janë ndërgjegjja e tyre. Janë artistë.

Më të talentuarit dhe më të mirët përpiqen të krijojnë ndryshe prej të tjerëve, veçmas ndryshe prej krijuesve të epokave pararendëse. Këta janë më të rrallë, ndaj, popujt që i kanë mund të konsiderohen me fat.

Fatmirësisht, kemi dhe ne mundësi për të rritur artistë të tillë, pavarësisht nga e dhëna se jo përherë ua dimë vlerën dhe u japim krahë të fluturojnë në qiejt e merituar.

Prej të tillëve po e veçoj sot grafistin Enver Selimi, për shijen time, njërin prej artistëve më të veçantë të një brezi krijuesish, i cili aktualisht punon si profesor i artit figurativ në Gjimnazin e Tetovës.

Imazhet që i imponohen njeriut të gjendur para veprave të Enverit janë gurët kozmikë, copëzat e meteorëve, përplot hieroglife të mistershme, përplot shenja e vragë…, që, me dinamizmin dhe lëvizjen e tyre të pandalur, notojnë lirshëm hapësirave të paskajshme të universit drejt cakut që mund të paragjykohet veç nga konteksti kohor e hapësinor në të cilat u krijuan veprat.

Dhe loja e asociacioneve mund të të shpie pikërisht në këtë cak – te tërësia e shkapërderdhur nga erupsionet e pasqarueshme, te gjakimi i bashkimit të sërishëm të ishujve qiellorë, të realizueshëm aktualisht vetëm në aktin e ekspozimit të veprave në një hapësirë të vetme, ku ato sërish bashkëjetojnë në procesin e përplotësimit të mozaikut të shprishur nga një katrahurë vullkanike e ndodhur dikur dhe diku.

Krahas kompozicioneve të rregullta dhe elementeve të harmonizuara figurative, vlerë më vete ka puna e kujdesshme dhe në kontinuitet e Enverit, spontaniteti i të krijuarit, gjetjet e veçanta të motiveve të grafikave e pikturave që burojnë nga shtresat më të thella të nënvetëdijes. Mbase këtu qëndron sekreti i joshjes së artdashësve nga magjia e grafikave të këtij artisti të vyeshëm, mësuesi e njeriu shembullor, që ka diçka prej aristkrati në sjelljen, urtësinë dhe modestinë atipike për kohëhapësirën tone…

Për vete nuk kam asnjë dilemë se grafikat e Enver Selimit, të punuara kryesisht me teknikë të kombinuar, akuatintë dhe linogravurë, janë dëshmia më e mirë e një mjeshtri të pakontestueshëm, arti i të cilit do të shpërthejë edhe më fuqishëm në vitet që pasojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button