Si deri te intervista e mirë?

Kete lajm mund ta lexoni edhe ne : Maqedonisht

Shkruan: Xvezdan Georgievski

???? ?? ????? ?????????

Fotografia: Ethan Lofton

Në qarqet gazetareske zakonisht ekziston bindja se intervista është forma më e lehtë e gazetarisë. Në fakt, gjithçka varet nga personi që intervistohet. Gazetari mund t’i ketë edhe pyetjet më të mençura në botë, por nëse bashkëbiseduesi nuk është i disponuar ose thjesht nuk ka çka të thotë, atëherë rezultati është – intervistë e keqe. Dhe e kundërta, nëse personi që intervistohet është i mençur, elokuent dhe ka përgjigje kualitative, atëherë gazetari mund t’i parashtrojë edhe pyetjet më të këqija të mundshme, por megjithatë të fitojë – produkt kualitativ. Kjo rregull, gjoja, më së shumti ka të bëjë me intervistat e ashtuquajtura me shkrim, gjegjësisht ato që dalin në mediat e shtypura.

Dallimet mediale në intervistë

Sipas mendimit të përhapur, intervista gazetareske realizohet më thjeshtë, për shkak se ka mundësi për autorizim (bashkëbiseduesi t’i verifikojë qëndrimet e tij para se të publikohet intervista), mundësi për largim të lapsuseve dhe gabimeve eventuale para publikimit të verzionit përfundimtar, por edhe mundësi, e cila shfrytëzohet mjaft në gazetarinë në Maqedoni, bashkëbiseduesit t’i jepen pyetjet e gatshme dhe, pa shumë mund, të fitohet produkt i plotë.

Për dallim nga intervistat gazetareske, në bisedat televizive dhe ato në radio, vërehet çdo lapsus dhe çdo gabim regjistrohet. Për intervistë televizive nuk mjafton që bashkëbiseduesi të jetë i mençur, por ai duhet të duket hijshëm, të ketë zë të qartë dhe fizionomi televizive. Syri, siç thuhet, është më i shpejtë se mendja, kështu që ndonjë gabim në veshje, për shembull, lehtë mund ta mbulojë gjithë përmbajtjen e bisedës.

Nënkuptohet, sikurse edhe në çdo bindje tjetër të përgjithshme, edhe te kjo ka – një të vërtetë rë pjesshme. Nga ana tjetër, radioja dhe televizioni janë – eter. Fjalia e thënë një herë pothuajse humbet përgjithmonë dhe shikuesi (dëgjuesi) nuk mund përsëri t’i rikthehet asaj, ndërsa te mediat e shtypura tekstet janë shumë më afatgjate dhe çdo gabim, nëse mund të thuhet ashtu, monumentalizohet. Këtu nuk i shqyrtojmë intervistat që bëhen në mënyrë speciale për portalet e internetit, për shkak se interneti, sipas karakteristikave të tij teknike, sipas mendimit tonë, nuk është media më e përshtatshme për prezantimin e një bisede relativisht të gjatë, edhe pse, nënkuptohet, ka edhe përjashtime shumë kualitative, e bile ekziston edhe një ueb-faqe e specializuar për intervist?.

Megjithatë, vërejtja jonë për saktësinë e pjesërishme për deklaratën e lartëpërmendur, më tepër ka të bëjë me thjeshtimin e procesit të realizimit të intervistës, se sa me dallimet mediale në çështjet teknike të udhëheqjes së bisedës. Edhe pse nuk e nënvlerësojmë kualitetin e bashkëbiseduesit të zgjedhur (përkundrazi, zgjedhja e bashkëbiseduesit është njëri nga hapat më të rëndësishëm për realizimin e një interviste të mirë), megjithatë ka disa hapa të tjerë, do të thoshim, po aq të rëndësishëm në përgatitjen e bisedës kualitative gazetareske.

Prej përgatitjes deri te realizimi

Në fakt, para se të zgjidhet bashkëbiseduesi, zgjidhet tema e intervistës, dhe në bazë të saj përcaktohet personaliteti më i përshtatshëm që mund të përgjigjet në dilemat eventuale. Nënkuptohet, edhe vetë bashkëbiseduesi mund të jetë temë në vete, veçanërisht nëse pas vetes ka ndonjë rezultat ose ndonjë veprim për të cilën vlerësohet se, në një mënyrë ose në ndonjë tjetër, e intrigon publikun. Për fat të keq, përvoja e gazetarisë në Maqedoni shumë pak e respekton këtë rregull. Më shpesh (gabimisht) konsiderohet se intervistë e mirë është ajo ku gazetari dominon mbi bashkëbiseduesin dhe ku biseda edhe tekstualisht shndërrohet në grindje (kjo posaçërisht vlen për intervistat e këtushme televizive). Në vendet me tradita të mira dhe të gjata gazetareske vlen rregulla se hapësira mediale është e shtrenjtë dhe nuk paguhet që ajo të plotësohet me personalitet të cilin as vet nuk e respekton.

Pasi ta zgjidhni temën dhe bashkëbiseduesin, faza e ardhshme është përgatitja e intervistës dhe përpilimi i pyetjeve. Përgatitja nënkupton (në kuadër të kohës që është në dispozicion) të mësoni sa më tepër që është e mundur për temën, si dhe për qëndrimet e bashkëbiseduesit tuaj. Kjo nënkupton shumë lexim, anketa joformale, biseda me kolegët dhe me të gjithë ata për të cilët konsideroni se mund t’u ndihmojnë në realizimin e intervistës së suksesshme.

Sa i përket pyetjeve, në esencë ato në gazetarinë e Maqedonisë janë – të mbivlerësuara. Të rëndësishme janë përgjigjet. Domethënë, nuk duhet të mendoni shumë për atë se çka do të pyetni, por duhet të mendoni për atë se cilat përgjigje i kërkoni. Kur do ta dini se çka ju intereson, e nëpërmjet jush edhe atë se çka e intereson opinionin, pyetjet do të parashtrohen vetë. Ka vetëm një rregull: mos parashtroni pyetje, ku përgjigja mund të jetë “Po” ose “Jo”. Kjo përgjigje nuk tregon asgjë, e veçanërisht është e pakëndshme në intervistat elektronike. Edhe nëpërmjet pyetjeve tregoni bashkëbiseduesit tuaj se e respektoni. Pa marrë parasysh se sa të afërt jeni me të, drejtojuni atij me Ju (me respekt) gjatë pyetjeve, për shkak se ky është zakon i mirë gjatë bisedës në diskurs publik. Mos e hutoni atë. Mos u ikni pyetjeve provokative, mirëpo parashtroni ato në formë shumë të qartë. Nëse nuk jeni të kënaqur me përgjigjen, insistoni në pyetjen e njëjtë, aq sa është e mundur.

Njëra nga rregullat, gjithsesi, është të mos ndërpritet bashkëbiseduesi, përveç nëse këtë e imponojnë mundësitë teknike (koha e kufizuar ose hapësira e kufizuar). Mirëpo, praktika në gazetarinë e Maqedonisë, tregon intenca krejtësisht të kundërta. Pyetjet e gazetarit janë më të gjata se sa përgjigjet. Bashkëbiseduesi ndërpritet dhe nuk i lihet hapësirë ta përfundojë mendimin. Tendencat e këtilla tregojnë dozë të lartë të mendjemadhësisë gazetareske dhe nevojë për vetëlavdërim. Gjithmonë, me të vërtetë gjithmonë, duhe të kihet parasysh se bashkëbiseduesi është ai, qëndrimet e cilit në atë moment janë të rëndësishme për publikun, e jo gazetari. Gazetari i mirë është si bateristi i një bendi – ai nuk duhet të duket shumë, por megjithatë, ritmi i tij duhet t’ia jap tonin intervistës. Mosrespektimi i kësaj rregulle është njëra nga dobësitë më të mëdha të gazetarisë intervistuese të Maqedonisë.

Njëra nga rregullat është edhe “një pyetje – një përgjigje”. Në pyetjet tuaja asnjëherë mos parashtroni më tepër dilema ose nënpyetje. Nëse në pyetjen tuaj keni më tepër pyetje, atëherë bashkëbiseduesi mund t’i përgjigjet vetëm njërës, atë që e pëlqen më tepër ose atë që i vjen më lehtë për t’u përgjigjur, e kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për intervistën tuaj.

Edhe përkundër gjithë kësaj, gazetari duhet të jetë i barabartë me bashkëbiseduesin. Shumë kohë më parë, si ushtrim studentor, bëra intervistë me gazetarin e madh jugosllav Ljubomir Rajnvajn, i cili në atë kohë ishte redaktor diplomatik në TANJUG, përndryshe luftëtar në luftën çlirimtare, ndërsa pas çlirimit themelues në disa kompani të filmit dhe shtëpi botuese, e pastaj ka punuar edhe në redaksitë e par? në “Borba” dhe “Veçernje novosti”, korrespodent i parë nga jashtë në Jugosllavinë e atëhershme, etj. Mu duke i përmendur këto referenca, pyetja ime e parë ishte se a ndihet përgjegjës dhe sa, për gjendjet në cilëndo qoftë prej këtyre fushave, ku ka qenë pionier. E dyta ishte: “A qeshen kolegët e TANJUG-ut kur marrin ndonjë njoftim nga Këshilli ekzekutiv (qeveria e atëhershme e RSFJ-së – v.a.)”, ndërsa e treta, për fat të keq nuk më kujtohet. Sidoqoftë, përgjigjet në të gjitha pyetjet ishin të njëjta: ”Kalo në pyetjen tjetrë, në këtë pyetje do të përgjigjem pastaj”.

Pas pyetjes së tretë, për befasi të tij, unë i thash se e përfundova intervistën dhe se jam shumë i kënaqur nga përgjigjet e tij. Rajnvajn më dha kompliment të madh – tha se asnjëherë në jetë nuk ka bërë intervistë më të mirë. (Megjithatë, më vonë realizuam edhe një intervistë “të mirëfilltë” dhe mbetëm miq deri në fund të jetës së tij). Pra, mos u frikësoni të jeni të barabartë dhe, nëse ka nevojë, edhe të vrazhdë. Por, jo me çdo kusht. Respektimi duhet të ekzistojë në çdo pjesë të bisedës suaj.

Ka një sërë arsyesh pse në Maqedoni akoma nuk është paraqitur ndonjë intervistues i shkëlqyeshëm. Qartë, këtu është hapësira e ngushtë mediale, kursimi i kuadrove, e me këtë edhe i kohës për përgatitjen e një intervistë të shkëlqyeshme (më parë intervistat për “Vanity Fair” bëheshin edhe pas 30 ditësh), por më së shumti për faktin se nuk respektohen parimet kryesore të kësaj pjese të zanatit gazetaresk.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Leksioni gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e leksionit gazetaresk është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia.

Lajme të ngjashme

Back to top button