Ademi, nuk ka pengesa nga banorët për ta bërë Sharrin park nacional

Ministrat e Mjedisit të Jetës dhe të Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë Abdilaqim Ademi, kolegu i tij nga Republika e Shqipërisë Lefter Koka dhe zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës Shpëtim Rudi, sot në Kodrën e Diellit e mbajtën takimin e dytë trelateral ministror në lidhje me zonën e propozuar mbrojtëse ndërkufitare Mali Sharr-Korab-Deshat.

Ministri Ademi theksoi se bëhet fjalë për një projekt të përbashkët për shpalljen e një pjese të Malit Sharr për zonë të mbrojtur. “Shqipëria dhe Kosova nga ana e tyre veç më kanë shpallur një pjesë të territorit për zonë të tillë, mbetet nga ana e Maqedonisë që kjo të bëhet në bashkëpunim me UNEP, organizatat joqeveritare dhe vetëqeverisjet lokale dhe Ministrinë tonë. Kemi ndërtuar qëndrim të përbashkët se një pjesë e Malit Sharr meriton të mbrohet me çka do të kontribuohet në mbrojtjen e natyrës, por edhe për zhvillimin e zonës “,  deklaroi Ademi, duke shfaqur shpresë se shumë shpejtë do të dorëzohen informacione deri te Qeveria për fillimin e procedurës për shpalljen e Malit Sharr  park nacional.

Lidhur me qëndrimin e popullatës lokale, Ademi tha se në bashkëpunim me organizatën joqeveritare gjermane “Euronatur” janë organizuar shumë takime nëpër vendbanimet në Sharr dhe se qëndrimi i banorëve dalë ngadalë ndryshon në favor të idesë për shpalljen e zonës së mbrojtur, sepse me këtë nuk do t’u shkaktohet dëm shfrytëzimit të pasurive dhe lëvizjes së vendasve.

“Natyra në vendet tona është e mrekullueshme dhe me projekte të tilla kontribuohet për marrëdhënie të mira fqinjësore. Me shpalljen e zonës së mbrojtur dhe nga ana e Maqedonisë zgjerohet rajoni me të cilin mbrohet kjo natyrë e mrekullueshme dhe ne së bashku i ndajmë resurset ujore, pyjet dhe elementet tjera nga mjedisi jetësor, kështu që së bashku duhet të kontribuojmë edhe për mbrojtjen e tyre”, tha ministri Koka.

Sipas Shpëtim Rudit, këtë që e kemi është dhuratë nga natyra dhe duhet të punojmë në mbrojtjene tyre. “Nga ana jonë pjesa e Sharrit është shpallur për Park nacional, me çka ne i plotësojmë edhe standardet evropiane të cilat parashikojnë se 10 për qind e territorit duhet të jetë zonë e mbrojtur. Shpresoj se ky shembull pozitiv do të operacionalizohet edhe në Maqedoni, ndërsa përveç mbrojtjes së pasurisë natyrore do të mundësohet edhe zhvillimi i turizmit ekologjik dhe turizmit malor, me çka edhe banorët do të kenë dobi”, tha Rudi.

Lajme të ngjashme

Back to top button