AK gjobitet me 600 dollarë: Diskriminoi maqedonasit

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka gjobitur Aleancën Kuqezi me 60 mijë lekë për shkelje të të drejtave të minoritetit etnik maqedonas duke e detyruar njëherazi të kërkojë ndjesë publike për përdorimin e retorikës dhe akteve agresive nacionaliste karshi tij.

Vendimi i siguruar nga “Gazeta Shqiptare” që mban datën 1 gusht 2013, detyronte AK të derdhte gjobën në buxhetin e shtetit brenda datës 2 gusht 2013. Por burime zyrtare nga AK pohuan për “GSH” se “gjoba nuk është paguar dhe nuk do të paguhet për shkak se vendimi i KMD-së është ankimuar në Gjykatë”.

“Për rrjedhojë”, – pohuan të njëjtat burime zyrtare “nga ana e AK-së nuk do të ketë asnjë ndjesë publike ndaj minoritetit maqedonas deri në përfundim të procesit gjyqësor”. Kjo është hera e parë që një parti politike në vendin tonë gjobitet nga institucionet shtetërore për kryerje të akteve e përdorim të retorikës agresive nacionaliste ndaj një pakice etnike.

Në datën 16 Nëntor 2012, në komunën e Pustecit në Korçë, Aleanca Kuqezi zhvilloi një aksion kundër përdorimit të gjuhës maqedonase në tabelat informuese, në rrugët dhe institucionet e kësaj njësie vendore. Dhjetëra aktivistë të AK-së qarkulluan për orë të tëra në këtë komunë duke vendosur në këto tabela simbolet e Republikës së Shqipërisë si edhe mbishkrime ku thuhej “këtu është tokë shqiptare”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i komunës, të populluar 100% nga minoriteti etnik maqedonas. Kreu i saj, Edmond Themelko me anë të një letre zyrtare iu drejtua të gjitha institucioneve më të larta shtetërore si edhe ambasadave të huaja në vendin tonë për të reaguar ashpër ndaj atyre që ai i cilësonte si “akte fashiste, barbare e primitive që shkojnë në dëm të bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe minoriteteve”, shkruan Ballkan Web

Në vendimin e datës 1 gusht 2013, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku shprehet se ishte njohur zyrtarisht me këtë letër në datën 27 nëntor 2012. “Kryetari i Komunës Liqenas kërkon nga organet kompetente të marrin masa dhe t’i nxjerrin para përgjegjësisë anëtarët e AK që dhunuan institucionin e komunës dhe dëmtuan sinjalistikën rrugore dhe informuese në territorin e komunës”, – sqaron Baraku.

Sa më sipër ajo bën të ditur se menjëherë ka urdhëruar kryerjen e procedura të hetim-inspektimit në terren nga ku konstatoi se pretendimet e ankimuesit ishin të vërteta dhe se aksioni i AK-së në Pustec ishte në shkelje të hapur të legjislacionit vendas e konventave ndërkombëtare Për këtë arsye, KMD sqaron se “veprime të tilla janë shfaqje tipike të një nacionalizmi agresiv dhe diskriminimi të minoritarëve përmes mohimit të të drejtave të tyre që jua aktet ndërkombëtare dhe legjislacioni i brendshëm”.

Ndaj dhe në vendimin e saj lidhur me këtë çështje, KMD urdhëron “detyrimin e subjektit politik AK, si subjekt që ka konsumuar sjelljen diskriminuese, të kërkojë falje dhe të evitojë në të ardhmen qëndrimet që nxisin dhunën apo forma të tjera të sjelljeve diskriminuese ndaj minoriteteve etnike. Subjekti AK të gjobitet me gjobë në vlerën 60 mijë lekë”, – thuhet ndër të tjera në vendim.

Lajme të ngjashme

Back to top button