Kosovë, Veseli dhe Mustafa garantojnë të drejta të plota për komunitetin LGBT

Randy Berry, i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për të drejtat njerëzore të komunitetit LGBT, i cili sot po qëndron në Kosovë, është takuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin dhe kryeministrin Isa Mustafa, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë takimit me kryeparlamentarin Veseli, u bisedua për të drejtat e njeriut që komuniteti LGBT i gëzon në Kosovë.

Me këtë rast, Berry theksoi se të drejtat e njeriut, duke qenë universale, duhet të respektohen njësoj për të gjithë anëtarët e shoqërisë, pavarësisht dallimeve të tyre në përkatësi dhe identitet. “Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të individit është parim themelor i shoqërisë demokratike”, tha Berry.

Nga ana e tij, kryetari Veseli theksoi faktin se Republika e Kosovës funksionon mbi bazën e një kushtetute që ngërthen në vete standardet më të larta të garantimit dhe të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Ne kemi kushtetutën më liberale në rajonin ku jetojmë, por edhe një traditë të fuqishme kulturore të tolerancës ndaj mënyrave të ndryshme të jetës dhe kjo na mundëson që të jemi më efektivë në luftën kundër paragjykimeve dhe stereotipeve me të cilat ballafaqohen anëtarët e komunitetit LGBT”, tha Veseli. Ai shtoi se Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të angazhohet dhe punojë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht dallimeve që ata mund të kenë.

Më pas, i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për të drejtat njerëzore të komunitetit LGBT, Randy Berry u prit nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Gjatë këtij takimi në të cilin ishte prezent edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie. Kryeministri Mustafa theksoi se Kosova dhe institucionet e saj janë të përkushtuara për të krijuar një shoqëri ku të drejtat e njeriut dhe mundësitë e barabarta për të gjithë, janë vlerat fundamentale për zhvillimin e shoqërisë.

“Kosova ka mishëruar në Kushtetutën e saj parimet universale të të drejtave të njeriut, sipas standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare. Në këtë drejtim, në kuadër të infrastrukturës ligjore, Republika e Kosovës ka nxjerrë një varg ligjesh që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e të drejtave të njeriut, si Ligji kundër diskriminimit, që rregullon dhe parandalon çfarë do forme të diskriminimit, nga çfarë do lloj baze apo përkatësie. Po ashtu të gjitha ligjet tjera janë në harmoni dhe bazohen në standardet e të drejtave të njeriut”, deklaroi kryeministri Mustafa.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës po punon që çfarë do forme diskriminimi, ndaj cilit do grup shoqëror, të adresohet konform standardeve më të larta të drejtave të njeriut.

“Me këtë qëllim, në dhjetor të vitit 2013 është themeluar Grupi Këshillëdhënës dhe Koordinues në nivel kombëtar në Republikën e Kosovës për të drejtat e komunitetit LGBT. Ky grup udhëhiqet nga Zyra për qeverisje të mirë në ZKM, dhe në përbërjen e tij ka përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe nga organizatat që përfaqësojnë interesat e komunitetit LGBT, dhe nga organizata ndërkombëtare”, informoi kryeministri Mustafa të dërguarin special të State Department, Berry-në.

Më tutje, i pari i Qeverisë së Kosovës potencoi se Qeveria është e vendosur të mos lejojë kurrfarë frikësimi, diskriminimi apo trajtimi të pabarabartë, të kujt do në Kosovë dhe se Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha mekanizmat vendore dhe ndërkombëtare për të avancuar më tej, zbatimin dhe respektimin e të drejtave të secilit individ në Kosovë.

I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për të drejtat njerëzore të komunitetit LGBT, Randy Berry duke falënderuar kryeministrin për mikpritje, vlerësoi progresin në Kosovë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për respektimin e plotë të të drejtave të secilit individ në Kosovë.

Ai çmoi punën e Qeverisë së Kosovës në adresimin e çdo forme diskriminimi ndaj çdo grupi shoqëror, duke ofruar përkrahjen e plotë të Qeverisë Amerikane për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme që çdo komunitet në shoqërinë kosovare, të realizojë lirshëm të drejtat e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button