Konkluzat nga konferenca shkencore “Medhhebi Hanefij, prioritetet dhe sfidat”

Konferenca shkencore mbarëkombëtare dy ditore me temën “Medhhebi hanefij, prioritet dhe sfidat” organizuar nga Bashkësi Fetare Islame në RM në koordinim me Fakultetin e Shkencave Islame-Shkup, u realizua më 31-tetor dhe 01 nëntor 2015, në lokalet e Fakultetit të shkencave Islame në Shkup, dhe të Medresesë “Isa Beu” – Shkup.

Konferenca është realizuar në tre panele shkencore, me studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Në këtë konferencë u trajtuan tematika të shumta nga hulumtuesit, në këndvështrime të ndryshme dhe, të njëjtat u pasuruan edhe me debate nga të pranishmit.

Për vlerësimin e rrjedhës së konferencës dhe punimeve të saja Këshilli Organizativ i konferencës, formoi një komision të përbërë nga pjesëmarrësit në përbërje prej (5) anëtarëve, me këtë përbërje: Jusuf Zimeri, Ajni Sinani, Shaqir Fetahi, Ragmi Destani, dhe Ibrahim Idrizi. Ky komision në këtë përbërje, pas analizave që i bëri punës së konferencë, pjesëmarrësve në konferencë  i propozoi konkluzat e konferencës që u miratuan unanimisht nga pjesëmarrësit, e që janë:

  1. Konferenca me këtë tematikë ishte domosdoshmëri e kohës, andaj konsiderojmë se tematika e konferencës është e qëlluar dhe frytdhënëse.
  2. Konferenca me këtë temë “Medhhebi hanefij, prioritetet dhe sfidat” konsiderojmë se duhet të marrë karakter tradicional që të mbahet edhe në Tiranë, Prishtinë, Preshevë etj me qëllim të nxitjes së studiuesve nga trevat tona në përgjithësi, e studiuesve të rinj në veçanti që sa më shumë të hulumtojnë këtë fushë në nga të gjitha këndvështrimet.
  3. Nga punimet e konferencës edhe njëherë u rikonfirmua fakti se, medhhebi hanefij është medhheb zyrtar i popullatës sonë islame, kurse sulmet që i bëhen këtij medhhebi nga individë apo palë të caktuar, janë tendencioze, iracionale, anti shkencore dhe anti islame që nuk i shërbejnë as islamit e as myslimanëve tanë.
  4. Në fushën e jurisprudencës islame, teologët si bartës të thirrjes islame interpretimet dhe shpjegimet detyrimisht duhet ti bëjnë komform parimeve të medhhebit hanefij, që njëkohësisht është i  garantuar dhe detyrimor edhe me kushtetutën e Bashkësive Islame.
  5. Medhhebi hanefij bashkërisht me tri shkollat tjera juridike islame, janë shkolla që përfaqësojnë Ehli Sunetin.
  6. Dijetarët e medhhebit hanefij në krye me imamin Eadham Ebu Hanife, ishin dhe ngelin kolosë të mëdhenj të regjistrimit, bartjes, ruajtjes dhe aplikues të hadithit të Pejgamberit s.a.v.s.
  7. Muslimanët e këtij nënqielli që nga aspekti juridik i takojnë medhhebit hanefij, në çështjet e akides ndjekin metodologjinë shkencore të shkollës akaidologjike Maturidij- Esharij.
  8. Çështja e Telfikut – marrja nga çdo medhheb ajo që është më e lehta, është veprim i ndaluar sipas rregullave të sheriatit, sepse ndeshet drejtpërdrejtë me konsensusin e dijetarëve islam.
  9. Në rastet e veçanta kur nuk gjejmë zgjidhje adekuate për një çështje juridike islame nga medhhebi hanefij, atëherë Institucionet e BI duke u bazuar mbi argumentin e Istihsanit dhe në interesin e përgjithshëm shoqërorë (Mesalihul Mursele) sidomos në çështjet nga e drejta civile, mund të praktikojë mendimin nga shkollat tjera islame që janë nga Ehli Sunneti.
  10. Konferenca apelon te Institucionet fetare Islame (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Lugina e Preveshës) që të angazhohen sa më shumë me shpjegimin teorik dhe praktik të shkollës juridike islame, përmes, konferencave, tryezave, seminareve, debateve shkencore, revistave dhe mjeteve tjera bashkëkohore.
  11. Bashkësitë islame (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe luginë) në mënyrë të koordinuar të angazhojnë kuadrot profesionale për përkthimin dhe përgatitjen e literaturës bazike të medhhebit hanefij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button