A është koha për zgjidhjen e çështjes së emrit?

Mediatori i OKB-së për bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit, Methju Nimic, në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, thotë që tani është koha që Maqedonia përfundimisht ta zgjidh çështjen e emrit, duke theksuar se me këtë do ta përshpejtojë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, transmeton Portalb.

Por a është ky momenti i duhur kur Maqedonia po përballet me krizë të brendshme politike. Profesori universitar, Stevo Pendarovski kujton se Nimic nuk tha se duhet të zgjidhet problem i emrit menjëherë, por në një periudhë prej 15 muajve ose deri në fund të mandatit të Ban Ki Mun.

“Më parë edhe Viktorija Nuland dha në deklaratë të ngjashme, se emri duhet të zgjidhet  në një të ardhme të afërt, por paraprakisht do të duhet të zgjidhet kriza politike në Maqedoni”, deklaroi Pendarovski, transmeton Portalb.

Sipas tij, në këtë moment është e pamundshme zgjidhja e problemit të emrit për shkak të thellimit të krizës.

“Para se të kryhen zgjedhjet e prillit vitin e ardhshëm (nëse ndodhin), kjo garniturë politike nuk mund ta zgjidh çështjen e emrit, sepse nuk ka legjitimitet për ta bërë. Për skenarin alternativ të Gruevskit që të bashkëpunojë me ndërkombëtarët, me qëllim për të qëndruar në pushtet, tashmë është vonë”, theksoi Pendarovski.

Nga Qeveria për Dojçe Vele thonë se Republika e Maqedonisë, sikur edhe në të kaluarën edhe tash zgjidhja e problemit është e rëndësishme për integrimet euroatlantike. “Ne po veprojmë me përgjegjësi dhe përkushtim në procesin e OKB-së për gjetjen e zgjidhjes së problemit që do t’i respektojë principet e të drejtës ndërkombëtare”, sqarojnë nga Qeveria.

Profesori universitar Ljubomir Ferçkovski vlerëson se paketa për zgjidhjen e emrit ka shumë detaje, ndërsa realiteti te ne është se politikanët tonë as marrëveshjet që i kanë nënshkruar nuk po i zbatojnë.

Në takimin e fundit të Viktoria Nuland me kryeministrin grek, Aleksis Cipras dhe ministrin për punë të jashtme, Nikos Kozias, Nuland ka vërtetuar se njëra nga temat e bisedave ka qenë edhe çështja e emrit. “Me kryeministrin dhe ministrin për punë të jashtëm folëm për shpresën tonë të përbashkët që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët”./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button