Bekim Fazliu, mungojnë flamujt, Qeveria, gjithçka sipas protokollit

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazli, i përkujtoi përsëri sot, Qeverisë dhe BDI-së, se mungojnë flamujt shqiptarë me rastin e vizitës së kryeministrit Edi Rama në Shkup.

“Sot gjendemi para Kuvendit të RM-së, ku në këtë moment që ne flasim zhvillohet takimi mes Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit të RM-së.
Asnjë flamur kombëtar shqiptar në bulevardet e Shkupit, siç mund të shihni! Asnjë flamur kombëtar para institucioneve shtetërorë, ku Kryeministri Rama zhvillon takime bilaterale”, tha Bekim Fazliu.

Sipas tij, “ky është kurorëzimi i punës dhjetëvjeçare të BDI-së dhe të Ali Ahmetit në qeverisje. Nënçmimi dhe diskriminimi i shqiptarëve është bërë përditshmëri. I përkujtojmë maqedonasit, por edhe këta servilët e tyre, se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë BDI-ja.
Krenaria dhe dinjiteti do të vazhdojnë të jenë tipare të shqiptarëve përkundër kokë uljes dhe servilitetit të BDI-së dhe se kësaj politike antishqiptare shumë shpejt do ti vije fundi”.

Ndërkohë nga Qeveria thonë se kryeministri Rama në Shkup është pritur me nderimet më të larta shtetërore, të parashikuara me protokoll me rastin e vizitave të burrështetasve të huaj.
“Protokolli parasheh që flamuj shtetëror nëpër rrugë të vendohen vetëm atëherë kur për vizitë zyrtare në vend qëndron presidenti i shtetit. Kryeministri Rama është pritur me të gjitha nderimet e larta shtetërore, dhe sipas procedurave që parasheh protokolli diplomatik”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button