Haraçina pa çerdhe, prindërit i dërgojnë fëmijët në Shkup

Ali Ismaili nga Haraçina për çdo mëngjes dy fëmijët e tij i dërgon në shkollë. Por, problem i madh për të është se për djalin e vogël ai duhet të udhëtojë rreth 11 kilometra për ta dërguar në çerdhën e fëmijëve në Shkup. Kjo është përditshmëria e këtij prindi nga Haraçina, i cili shfaq reagimin se përse nuk ka çerdhe në vendbanimin e tij, njofton TV21.

“Momentalisht unë kam nevojë edhe fëmijën 16 muaj ta sjelli në çerdhe, sepse s’kemi në Haraçinë çerdhe. Në Hasanbeg ekziston një çerdhe , dhe aty kam informata se është e stërmbushur, por edhe mungojnë edukatoret shqiptare. Normal fëmijën tim kam dëshirë ta edukojë edukatore shqiptare jo maqedonase”, thotë Ismaili.

Shumica e fëmijëve regjistrohen në çerdhën “Fidani” në Shkup, ku ka shumë fëmijë që vijnë nga të gjitha zonat rurale të kryeqytetit.  Sipas prindërve, është e nevojshme hapja e çerdheve edhe nëpër vendbanimet apo komunat rurale jashtë kryeqytetit.

Komuna e Haraçinës thotë se ka bërë kërkesë tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për ndërtimin e çerdhes, por sipas kryetarit të komunës, Ibrahim Ajvazi, asnjëherë nuk ka pasur përgjigje.

E ndërsa nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se po të kenë komunat interes që të hapen çerdhe në territorin e tyre, ata janë të gatshëm ti mbulojnë gjysmën e harxhimeve. Por në rastin e Haraçinës, nga kjo ministri nuk kishte asnjë përgjigje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button