ANALIZË: Hapa të mëdhenj reformues, ekonomi e varfër!

Maqedonia ka ekonomi më e mirë për zhvillimin e biznesit se Gjermania. Këtë e tregoi rangimi i ri, i sivjetëm, i “Doing business”. Edhe pse vendi, edhe këtë vit u vlerësua si vend “top-reformator”, edhe më tej gjendet në grupin e vendeve të më varfëra, me standard që është vetëm 36% në raport me mesataren evropiane. A ka absurde në rangim dhe pse një pjesë e ekonomistëve që i anketoi “Portalb”-i në analizën javore ekonomike thonë se kjo nuk e pasqyron gjendjen e vërtetë në ekonomi?

“Doing business” – matje absurde apo reale?
Raport “Doing business” i mat hapat e ndërmarrë, mirëpo jo edhe gjendjen reale në klimën afariste. Kriteret sipas të cilave bëhet rangimi nuk i përfshijnë çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me kushtet për zhvillimin e biznesit, siç është kualiteti i infrastrukturës, korrupsioni, siguria, thonë analistët për Portalb.

“Raporti i fundit i “Doing business” rreth reformave të zbatuara dhe mundësive që i ofrojnë vendet që janë të përfshira me të, është edhe një dëshmi se përgatitja e raporteve nëpër zyra shpeshherë nuk përputhet me realitetin. Vlerësimi i reformave të zbatuara sipas këtij raporti nuk është asgjë tjetër vetëm se një vlerësim rreth përmirësimit të rregullativës ligjore dhe kushteve për fillimin e biznesit. Në këtë drejtim, lirisht mund të themi se Maqedonia, nga aspekti i përmirësimit të rregullativës ligjore, ka bërë hapa adekuatë që i mundësojnë një vlerësim dukshëm më të mirë në krahasim me vitet e kaluara në këtë rang-listë”, thotë për Portalb analisti ekonomik, Arben Halili.

Megjithatë, sipas tij, raporti nuk përfshin segmente nga klima  e përgjithshme për biznes, të cilat mund të jenë faktor vendimtar për investitorët e vendit dhe të huaj.

“Atë që tashmë të gjithë e dijmë është se jemi vend eskpres për arkëtimin e tatimeve dhe taksave, gjegjësisht dënimeve të ndryshme, dhe për shkak të kësaj jemi në vendin e njëjtë sikurse edhe vitin e kaluar, gjegjësisht në vendin e dytë. Megjithatë, ka edhe segmente të tjera që janë të përfshira në këtë vlerësim, e në të cilat kemi përkeqësim të gjendjes, gjegjësisht pasqyra reale e të papunësuarve në vend ose kushtet për kreditimin e komunitetit afarist, ku nga vendi i 36-të në vitin e kaluar, tani jemi në vendin e 42-të. Pavarësisht nga përmirësimi formal i pasqyrës së përgjithshme rreth kushteve për biznes në vendin tonë, akoma disa parametra esencialë për zhvillim të biznesit shënojnë rënie”, thotë për Portalb ekonomisti Halili.

Sipas analistit Branimir Jovanoviq, raporti që e rangon Maqedoninë si vend “top-reformator” në botë, është në kundërshtim me realitetin në ekonomi.

“Këtë raport e konsideroj si kontraverz për shkak se nuk është e qartë se a përputhet ai me misionin e Bankës Botërore, i cili ka për qëllim çrrënjosjen e varfërisë. Sipas meje, ka disa pika problematike. Njëra prej tyre është se indikatorët sipas të cilëve bëhet rangimi i masin aspektet ligjore, gjegjësisht kanë të bëjnë me aspektin “de jure” e jo atë “de fakto”. Kjo do të thotë se implementimi, gjegjësisht zbatimi i kësaj rregullative nuk është përfshirë në raport. Kjo do të thotë se ndonjë vend në aspektin formal-juridik mund të ofrojë procedura të shpejta për hapjen e firmave, mirëpo është çështje tjetër se si funksionon kjo në praktikë”, thotë për Portalb analisti ekonomik Jovanoviq.

Sipas raportit, Maqedonia është në vendin e gjashtë në Evropë sipas kushteve për zhvillim të biznesit. Prapa nesh gjendet madje edhe Gjermania. Nga ana tjetër, qytetarët e Maqedonisë, sipas statistikës zyrtare evropiane, janë në grupin e më të varfërve, me standard që është vetëm 36% në krahasim me mesataren evropiane. Në të njëjtën kohë, vendi është në grupin e atyre me numër më të madh të njerëzve të varfër, gjegjësisht çdo i katërti jeton nën kufirin e varfërisë, duke mos mundur t’i plotësojë nevojat themelore ekzistenciale.

Sipas qeverisë, megjithatë ky rangim i Bankës Botërore është mirënjohje për politikat e suksesshme të deritanishme reformuese që e kanë përmirësuar klimin afariste.

“Informata nga raporti më i ri i Bankës Botërore “Doing business 2016” është një informatë e shkëlqyеshme për Republikën e Maqedonisë, dhe edhe një vërtetim se sipas Bankës Botërore dhe ISF-së, Maqedonia është vendi më i mirë në rajonin e Evropës Juglindore për zhvillim të biznesit, i gjashti në Evropë dhe i 12-ti në botë, në konkurrencën e 189 vendeve. Jo vetëm duke e ndjekur rregullativën, por edhe implementimin e kësaj rregullative në praktikë. Si zbatohet ajo rregullativë ligjore në praktikë”, deklaroi ministri për financa, Zoran Stavreski.

Sipas vlerësimeve të përfaqësuesve të qeverisë, me rëndësi është ajo se Maqedonia shënon përparim në pothuajse të gjithë indikatorët, dhe çdo vit prej vitit 2006 deri në vitin 2015 shënon përparim. Në vitin 2006, vendi u rangua në pozitën 94, e sot në të 12-in.

Nga ana tjetër, sipas ekonomistëve, megjithatë ky raport nuk e pasqyron realitetin.

“Gjendja jostabile politike nuk është kriter në këtë raport, sepse sikur të ishte, efektet reale nga vlerësimet e këtilla do të ishin krejtësisht tjera. Ne mund të themi se kemi raport pozitiv i cili na rangon mirë dhe realisht është ashtu, mirëpo ky raport ka të bëjë vetëm me kriteret që janë përfshirë në të, e të mos harrojmë se megjithatë ato të dhëna zyrtare i marrin nga vetë institucionet shtetërore. Mendoj se raporti është larg gjendjes reale me të cilën ballafaqohet komuniteti afarist. E se gjendja nuk është e shkëlqyeshme dhe se nuk përputhet me realitetin mund të shihet nëse analizohet se cilat vende janë pas nesh, si për shembull Gjermania”, thotë për Portalb analisti Halili dhe shton se që të fitohet pasqyrë e vërtetë duhet të ndryshohet metodologjia.

“Vetë metodologjia që shfrytëzohet në rangimin “Doing business” është një absurd që nuk përputhet me realitetin tonë dhe ne si vend duhet ta qartësojmë se a duhet definitvisht të ndryshohet ajo dhe të përfshihen edhe kritere të tjera që do të ofronin një pasqyrë më reale për gjendjen e vërtetë makroekonomike në vend”, thotë Halili.

Raporti i Bankës Botërore e rangoi Maqedoninë në vendin e 12-të në botë sipas kushteve për zhvillimin e biznesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button