Gjermania e dëshpëruar nga Maqedonia, thirr ambasadorin maqedonas në bisedë

Përfaqësuesi special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, Ernst Rajnhel, e ka ftuar ambasadorin maqedonas në Berlin, Sasho Markovski në bisedë në Ministrinë e punëve të jashtme.  Në këtë bisedë ai ia ka transmetuar Markovskit “dëshprimin dhe brengosjen” e Qeverisë federale për implementimin e marrëveshjes së Përzhinos, gjë që ende po mungon. Siç njoftoi ambasada gjermane në Shkup, njësoj sikurse pesë ambasadorët në deklaratën e tyre më 27 tetor në Shkup, Rajhel ka theksuar se VMRO-DPMNE patjetër duhet të tregojë vullnetin e nevojshëm dhe sa më shpejtë që është e mundur t’i implementojë në mënyrë konstruktive Marrëveshjet e 2 qershorit dhe 15 korrikut.

“Qëllimi i Marrëveshjes është të krijohen shanse të barabarta për të gjitha partitë për zgjedhjet e ardhshme, përmes zbatimit të rekomandimeve për reforma që i përmban i ashtuquajturi Raport-Pribe. Moszbatimi i mëtutjeshëm do të ketë pasoja në vlerësimin e vendit nga ana e Komisionit Evropian në progres-raportin e ardhshëm. D-r. Rajhel, poashtu theksoi se LSDM patjetër duhet edhe më tej të sillet në mënyrë konstruktive dhe t’u përmbahet obligimeve që ka marrë me Marrëveshjen e Përzhinos, posaçërisht të mos publikojë më tej incizime nga bisedat e përgjuara”, thuhet në kumtesën e lëshuar pas takimit.

Thirrja e ambasadorit në bisedë në Ministrinë e jashtme është një ndër format më të ashpra diplomatike të shprehjes së pakënaqësisë nga një shtet ndaj tjetrit, gjë që në këtë rast dëshmon pakënaqësinë e njërit prej vendeve kryesore të BE-së ndaj zhvillimeve në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button