Bota do ish e shëmtuar në bardhë-e-zi

Kete lajm mund ta lexoni edhe ne : Maqedonisht

Rihapen shkollat maqedonase nga nipërit shqiptarë, interesimi për martesë fillon të bie“ është titulli i një lajmi shfaqur në një nga mediat në linjë i cili mbart mbi supe barrën e rëndë të gjykimit dhe përbuzjes për individë që kanë zgjidhur jetën private duke “injoruar gjeopolitikën kombëtare”.  

 

Shkruan: ?urora Karameti, doktore e shkencave të informacionit dhe të komunikimit

 

5342223262_8fd2671ae1_z

Foto: auddess

Rihapen shkollat maqedonase nga nipërit shqiptarë, interesimi për martesë fillon të bie” është titulli i një lajmi shfaqur në një nga mediat në linjë i cili mbart mbi supe barrën e rëndë të gjykimit dhe përbuzjes për individë që kanë zgjidhur jetën private duke “injoruar gjeopolitikën kombëtare”. Teksti i njëjtë, me disa shkurtime, u shfaq nën një titull të ndryshuar, edhe në një tjetër media në linjë. Lajmi është shkruar nga e njëjta penë megjithëse në asnjë prej dy medieve nuk mban nënshkrim autorial.

Çfarë nuk shkon në këtë lajm?

Çështjet që gazetarët zgjedhin ti servirin publikut ndikojnë në çështjet rreth të cilave mendon publiku. Por, mënyra se si gazetarët i servirin ato çështje, ndikon në mënyrën se si publiku mendon rreth atyre çështjeve.

Ky përkufizim shkencor mbi efektet e medias dhe rolin e saj në shoqëri, përshkruan ndikimin e madh që kanë mediat mbi mendimet e njerëzve, nëpërmjet kornizës që ato zgjedhin për të trajtuar lajmet që shkruajnë ku qëllimisht theksojnë disa fakte dhe tipare të caktuara duke shmangur disa të tjera.

Kështu, në rastin e lajmit që kemi këtu në diskutim, titullit është konceptuar në formën e një fjalie me dy pjesë që njofton për dy lajme:

I pari, “rihapen shkollat maqedonase nga nipërit shqiptarë” përmban ironi dhe sarkazëm për këtë fenomen që po ndodh, si dhe për arsyet përse po ndodh. Ai demonstron qëndrim të hapur  diferencues ndaj “palëve” “shqiptare” dhe “maqedonase” dhe kësaj marrëdhënieje midis tyre, që midis rreshtave, prezantohet si jo e volitshme.

I dyti, “interesimi për martesë fillon të bie” është i ngarkuar me përçmim për shkaktarët e fenomenit, që qenkan “martesat”. Kjo pjesë e titullit, tenton njëkohësisht të bëjë edhe parashikimin e fenomenit për të ardhmen.

Rihapen shkollat maqedonase nga niperit shqiptar crop resize

Realiteti që ky shkrim ka ndërtuar,  përshkruhet nga këndvështrimi i paragjykimeve personale dhe kolektive mbi një fenomen të caktuar dhe aktorët e tij, që janë “nuset nga Shqipëria”. Koka e lajmit, paragrafi i parë i shkrimit, nis diskursin në formë sensacionale duke tentuar të arrijë tek emocionet e lexuesit, me qëllim që të ngjallë habi, sensibilizim dhe madje përputhje qëndrimi me atë të vetë diskursit. Shifrat e ofruara mbështesin lajmin se numri i fëmijëve të lindur nga nënat shqiptare ka bërë që të rihapen shkollat maqedonase të mbyllura prej vitesh në këto fshatra, të kthehet lumturia e një jete me fëmijë dhe kryesorja, të shtohet popullsia me mbiemra maqedonas.

Përveç emërtimeve etnike “shqiptarë” dhe “maqedonas”, autori i shkrimit është treguar shumë i kujdesshëm të mos përdorë terminologji fyese. Gjykimin e thellë që bën për martesat e llojit “nuse shqiptare për beqarë maqedonas” e realizon vetëm nëpërmjet ndarjeve etnike pa vënë në veprim asnjë term denigrues. Denigrues, është vetë këndvështrimi i autorit për subjektin që është edhe arsyeja pse ai e fut çështjen e këtyre martesave në një kornizë me ngjyrime negative si për shembull në frazën “edhe pse jetojnë nëpër fshatra dhe merren me blegtori, janë të kënaqur nga jeta”. Lidhëza lejore “edhe pse” ne këtë frazë reflekton qartë qëndrimin negativ të tregimtarit ndaj historisë që tregon. Autori i shkrimit lë të kuptohet se ato (nuset) nuk duhej të ishin të kënaqura në të tilla kushte. Qëndrimi mos-miratues ndaj këtij fenomeni ndihet nga fillimi deri në fund të shkrimit, në formë latente por shumë të fuqishme.

Pra nga sa demonstrohet më sipër, kjo kornizë lajmi përveçse është denigruese, vuan edhe nga cektësia e trajtimit të tematikës mbi fenomenin e martesave shqiptaro-maqedonase të post-komunizmit.

A mundet ky lajm të shërbejë më mirë, jo vetëm për të informuar por edhe për të sensibilizuar?

Gazetari ka patur mundësinë që përveçse t’ia ofroje lexuesit historinë, njëkohësisht t’ia ofrojë edhe brenda një kuadri të denjë, që mund të kontribuonte në hapjen e diskutimeve të gjera shoqërore dhe që mund të çonin në elaborime të thella të çështjeve, evidentimin e problemeve të zgjidhura e të pazgjidhura, vënien në lëvizje të institucioneve përgjegjës për përmirësimin e jetës së njerëzve etj., etj.

Si mund të zhvillohej diskutimi shoqëror nëse, në kontekstin e diskursit publik që zhvillohet me intensitet vitet e fundit në Maqedoni mbi raportin e rritjes demografike të popullsisë me kombësi shqiptare dhe asaj maqedonase, gazetari do të trajtonte tendencën, gjeografinë, shkaqet, etj., dhe në rastin e këtij informacioni, ai mund të pyeste për shembull: a e njohin fëmijët e këtyre çifteve shqiptaro-maqedonase edhe gjuhën shqipe, a kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri, a e njohin, a e duan vendlindjen e nënave të tyre, etj.

Gjithashtu, gazetari mund ti pyeste bashkëshortët e nuseve shqiptare nëse e kane vizituar Shqipërinë me shpesh tani që kanë prej andej shoqet e jetës, nëse kane mësuar edhe ata ndopak shqip, nëse martesa i ka ndihmuar të njohin më mirë popullin shqiptar me të cilin bashkëjetojnë kaherë në Maqedoni, por që ende kanë moskuptime të thella dhe pakënaqësi të mëdha.

Tjetër: problemi i beqarisë, që ngrihet në tekst; nuk është i njëanshëm. Ashtu si meshkujt maqedonas, edhe femrat shqiptare janë martuar me shtetas të huaj për ti dhënë fund beqarisë. Jeta në fshatra dhe puna në blegtori, që theksohen në tekstin e lajmit, është pjesë e zgjedhjeve personale të bëra në raport me kushtet dhe mundësitë e të dyja palëve. Ndërsa kushtet dhe mundësitë personale të individëve, si të beqarëve maqedonas që nuk mund të gjejnë bashkëshorte në fshatrat e tyre, ashtu edhe e beqareve shqiptare që janë martuar me shtetas të huaj pa ua njohur gjuhën para disa vitesh kur vendi i tyre ishte më i dobët ekonomikisht, janë peng dhe pasojë e politikave shtetërore të mangëta të të dyja vendeve. Ky fakt del në pah vetvetiu nëpërmjet intervistës interesante që gazetari ka marrë nga njëra prej personazheve. Ajo tregon qartë se për këto martesa ka pasur gatishmëri para disa viteve por tani nuk ka më, pikërisht për shkak të ndryshimit të kushteve social-ekonomike në njërin prej vendeve fqinj dhe miq/krushq! Pra, përveç ndjenjave,  kryesisht rrethanat diktojnë veprimet e individëve.

Prandaj, nuk ka pse të vihen në sedër individët për paragjykime që ata nuk i kanë, po qoftë edhe me të cilat mund të kenë bërë kompromise për hir të një jete me shpresë. Njeriu i zakonshëm dëshiron të jetojë; nuk mund të merret me gjeopolitikë përveçse kur ushtron të drejtën e votës! Në këtë kuadër të gjerë, një kornizë e mirë për këtë lajm mund të ishte pikërisht ana e mirë e tregimit: njohja, liria e vendimmarrjes duke u shkëputur nga e kaluara, dëshira për bashkëpunim dhe kompromisi në dobi të jetës, akte të cilat  shumë liderë vendimmarrës ballkanikë sot e kësaj dite nuk kanë vullnet ti ndërmarrin.

Çështjen e ndryshimit të raporteve demografike në fshatrat maqedonas vitet e fundit, autori mund ta kishte trajtuar edhe duke bërë një analizë paralele me mijëra shqiptarët ortodoksë, që janë martuar me partnerë maqedonas gjatë komunizmit, jo për shkak të varfërisë por për shkak të statusit shoqëror dhe konjukturave etniko-politike në sistemin komunist jugosllav. Nëse do bënte këtë paralelizëm, autori i shkrimit mund të vlerësonte më drejt raportin individ-shoqëri-shtet dhe do mund të arsyetonte pa emocione për individin, për të cilin, kombi nis nga ekzistenca, nga shtëpia e vet.

Konkluzion

Problematizimi i çështjeve, me qëllim informimin e plotë por edhe qe ky informim të ketë impakt në jetën e njerëzve, mund të ishte një qasje më efektive për trajtimin e lajmeve sesa këndi tendencioz i gjykimit të privatësisë individuale dhe nënçmimit për zgjedhje të caktuara, që është përdorur në këtë rast.


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Back to top button