Ku n’hamamin po na shpiejnë!

Disiplinimi i shqiptarëve me metodat e dhunës së hapur, të dukshme e të zhurmshme policore nuk është shpikje e këtij shteti, as e kësaj qeverie me disponim konstant antishqiptar, e cila nuk e kupton se me ndërhyrjet policore me forma ekspeditash trishtuese, ndëshkuese, irituese…, të bëra një dajm vetëm nëpër vendbanimet dhe lagjet shqiptare, nuk mund të ndërtohet ardhmëria e përbashkët dhe e barabartë e qytetarëve të shtetit multietnik, multikulturor, multigjuhësor e multireligjioz. Përkundrazi: është kjo mënyra më e mirë për të minuar të ardhmen dhe për t’ia vënë kazmën ngrehinës edhe ashtu të brishtë shtetërore, që, mjerisht, prihet prej pushtetarësh injorantë e inatçorë që vetëm burrështetas nuk mund të quhen.

Mekami i futjes së frikës në palcën e popullatës së pafajshme ka rrënjë të thella në mendësinë politike të jugosllavive pashiqo-titiste, që çuditërisht është trashur si zullum në Maqedoninë shtet i pavarur, që proklamon demokraci sa për ta relativizuar faqe botës tuhafe diktaturën që ndrydh në kestë të padiktueshme vullnetin tim, tëndin, tonin…, dëshirën për t’vazhduar më tutje jetën në këtë biçim shteti.

Kujt ia ka marrë mendja se Maqedonia do të kapërcejë çdo kufi të ushtrimit të forcës mbi një pjesë të popullatës së saj, duke lënë pas edhe marifetet e dhunës moniste, që ishin më të sofistikuara se ekspeditat ushtarako-policore në Bit Bazar, Gostivar, Brodec, Kumanovë… dhe që, për nga efektet rrënuese të themeleve të superfuqisë xhuxhe, mund të barabiten vetëm me katrahurat millosheviqiane.

Situatat allçish-e, të mbushura ding me të panjohurat e së ardhmes, dekurajojnë shpresat për jetë të lirë, të qetë e me drita perspektive, shtojnë pesimizmin e parrugëdaljeve, mbjellin frymën fataliste dhe betonojnë filozofinë e shpirtit të robit, duke lënë hapur vetëm një portë të vogël dalëse nga gjirizi: ëndrrën idiote të shpëtimit nga pushtuesit e së shkuarës, të parë nga distanca si më pak të egër dhe më pak të rrezikshëm për ekzistencën tonë.

Ç’është e vërteta, rreziku i mbetjes sonë nën pushtete më satrape se pararendëset është rrezik i paralajmëruar që në vigjilje të shpalljes së Shqipërisë shtet. Këtë e paralajmëruan Prometenjtë e papërsëritshëm të kalibrit të Homerit shqiptar, poetit të pashoq për kohën e tij – At Gjergj Fishtës, i cili, më 1912, u apeloi shqiptarëve për të ndërprerë kryengritjet kundër pushtuesit aktual, sepse rrezikoheshim për zhbërje totale nga aleancat kubare të shteteve ballkanike.

Natyrisht, Fishta nuk e bëri këtë sepse u dogj për shallvaret e dikujt, po pse ishte pinjoll i Rilindjes, produkt i arkitektëve të njësisë së kombit dhe shtetit shqiptar, që, kur gjendeshin përballë realiteteve të hidhura historike, kishin largpamësinë dhe kurajon për të zgjedhur të keqen më të vogël mes një morie të këqijash që i kanoseshin qenies sonë.

A s’është ky shkas i mjaftueshëm që politikanët e përçarë shqiptarë ta vënë më në fund gishtin në kokë e të pyeten: ku n’hamamin po na shpiejnë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button