Basha: “Revoltë!”, Berisha: “Të ngrihemi sa më parë!”

Prokuroria e Korçës ka nisur hetimin për pamjet filmike të publikuara në media një ditë më parë me pagesat dymijëlekëshe për studentët që shkonin të votonin në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Mësohet se organi i akuzës është mbështetur për nisjen e hetimeve në bazë të pamjeve të transmetuara në emisionin “Fiks Fare”.

Prokuroria e Korçës do të shfrytëzojë pamjet, si edhe do të kryejë hetimet lidhur me personat e përfshirë në këtë veprimtari, të dyshuar si kundërvajtje penale. Në bazë të nenit 328 të Kodit Penal, ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, për të votuar në një mënyrë të caktuar, apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim, nga gjashtë muaj deri në dy vjet.

Në një prononcim për mediat, kreu i FRESSH-it për Korçën, Ilir Pendavinji, ka theksuar se studentëve u janë paguar shpenzimet dhe nuk u është blerë vota. “Nuk është e vërtetë që PS-ja ka blerë vota gjatë zgjedhjeve të së dielës.  Studentët janë të Partisë Socialiste dhe të FRESSH-it të cilëve u janë paguar shpenzimet e udhëtimit nga Tirana” ka theksuar Ilir Pendavinji.

Basha: Revoltë popullore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi në një konferencë për shtyp anulimin e zgjedhjeve në Korçë, ndërsa u shpreh se nga cenimi i zgjedhjeve mund të nisë edhe revoltat. Ndërsa grupi parlamentar demokrat ka vendosur që të ngrejë edhe një grup parlamentar. Sërish Basha tha se qytetarët mund të ngrihen në protestë. “I kërkojmë prokurorisë, që në mënyrë urgjente, të kryejë sekuestrimin e të gjitha materialeve, në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Korçë, të kryejë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të ekzekutorëve që blenë votat, në shkëmbim të parave, por mbi të gjitha të organizatorëve që përdorën para të mafies, për të blerë pushtetin e Bashkisë së Korçës. E dimë mirë se kur preken themelet e demokracisë, çështja e mbrojtjes së saj thërret në skenë popullin sovran, e dimë mirë se qytetarët korçarë, të fyer e të lënduar si asnjëherë tjetër me skenat e ulëta të blerjes së votës në qytetin e tyre, nuk janë aspak të trembur, por të revoltuar. Mbarë qytetarët shqiptarë kanë arsye të revoltohen dhe të ngrenë zërin e fuqishëm të protestës, kur shohin qeverinë të sillet si bandë edhe me votën e lirë.

Partia Demokratike po bën e do të bëjë të gjitha përpjekjet, për ndëshkimin dhe kapërcimin në rrugë ligjore, institucionale të pasojave të rënda të krimit zgjedhor në Korçë, por ne jemi sot të vendosur të hedhim çdo hap tjetër, për të ndaluar dënimin me vdekje të zgjedhjeve të lira e të ndershme, nëpërmjet parave të pista të krimit dhe mafies politike në vend”, theksoi Basha. Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe kreun e LSI-së, Meta, për asgjësimin e mekanizmit themelor të demokracisë, votën e lirë. “Në Korçë fitoi kandidati i kleptokracisë! Të dashur miq, një krim i shëmtuar elektoral ndodhi dje në Korçë. Mediat filmuan aktin e blerjes masive të votës. Me këtë akt dyshja Rama-Meta asgjësojnë mekanizmin themelor të demokracisë, votën e lirë dhe pluralizmin politik e shndërrojnë në pluralizëm burokratik. Ky është pushteti i mafies. Kësaj i thonë mafia e kuqe në pushtet, demokracia në rrezik për jetën e saj. Vetëm përgjegjësia e qytetarëve mund ta shpëtojë atë. Qytetarë të ngrihemi sa më parë!”, shkruan Berisha në “Facebook”.

Blerja e votave në Korçë, prokuroria nis hetimet mbi bazën e pamjeve filmike të “Fiks Fare”. PS, Ilir Pendavinji: “Nuk blemë vota. PD do ngrejë grup hetimor parlamentar./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button