Le Monde: Rama “nën presion” për armët kimike siriane

Ajo që u përfol në media se Shqipëria mund të jetë një nga destinacionet e shkatërrimit të armëve siriane, tanimë po konkretizohet. 

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka konfirmuar në Francë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Shqipërisë që të përdorë terrenet e saj për shkatërrimin e armëve kimike. “Por ne nuk kemi marrë ndonjë vendim deri më tani”, ka thënë Bushati, shkruan gazeta franceze “Le Monde”.

“Ende nuk ka diskutime të nivelit teknik”, thotë kryediplomati shqiptar. Sipas artikullit, disa vende të tjera e kanë refuzuar kërkesën e SHBA-ve, siç është Norvegjia. Por, Shqipëria thuhet se ka disa avantazhe, si hapësira gjeografike, duke bërë të mundur transportimin e armëve kimike nga Siria nëpërmjet detit, transmeton gazeta Start.

Në artikull thuhet se Shqipëria ka përvojë të veçantë në këtë drejtim, pasi në vitin 2007, u bë vendi i parë që shkatërroi plotësisht arsenalin e saj ushtarak kimik të grumbulluar nga periudha komuniste.

Shqipëria kishte importuar armë kimike në vitet ’70, ndërsa të tilla armë u zbuluan në bunkerë në vitin 2002 pak kilometra larg Tiranës, që siç shkruan gazeta, në një zonë të populluar vitet e fundit. Asgjësimi i këtyre rezervave është financuar nga Shtetet e Bashkuara me një shumë prej 35 milionë eurosh, ndërsa Departamenti i Mbrojtjes kishte mbikëqyrur procesin.

Sipas prestigjiozes franceze, në rastin e shkatërrimit të armëve siriane, çështja është ndryshe, pasi sasia është shumë më e madhe për kushtet e sigurisë në Shqipëri. Të paktën 1 mijë tonë lëndë kimike dhe rreth 290 tonë armë kimike janë gjetur në Damask të Sirisë nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK ). Uashingtoni mbetet optimist për të bërë të mundur shkatërrimin e këtyre armëve brenda datës 30 qershor 2014, afat i vendosur nga marrëveshja e arritur pak javë më parë nga fuqitë e mëdha.

Por, siç thuhet në artikull, situata për kryeministrin Edi Rama, është komplekse për shkatërrimin e armëve kimike, ndërsa nga ana tjetër, dëshiron të ruaj orientimin pro evropian të vendit.

“Si një prej shteteve më të varfra në Evropë, Shqipëria ka nevojë për mbështetësit perëndimorë”, shkruan gazeta, e cila thekson se Shqipëria po e vonon kthimin e përgjigjes publike për kërkesën amerikane, duke kujtuar këtu se Rama në mbledhjen e parë të qeverisë, vendosi ndalimin e plotë të importit të plehrave, duke mbajtur një premtim të mëhershëm.

“Recetë për katastrofën”

“Shqipëria post-komuniste nuk ka qenë shumë dorështrënguar mbi çështjet e mjedisit”, thotë Albert Rakipi, drejtor i Institutit Shqiptar të Çështjeve Ndërkombëtare. Do të jetë krejtësisht e gabuar për të thënë po sot, pak javë pasi ndalimit të importit të plehrave të vendosur nga qeveria e re. Kjo do të krijonte konfuzion në mesin e njerëzve. Për më tepër, kjo nuk është një mënyrë për të zhvilluar Shqipërinë. Duke pasur parasysh se turizmi ka një potencial të vërtetë ekonomik tek ne”, thotë ai cituar nga gazeta në fjalë.

Më tej thuhet se Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve (AKIP ) mblodhi më shumë se 64.000 nënshkrime (përtej pragut të kërkuar 50,000), duke kërkuar referendum mbi çështjen e mbetjeve toksike. Gjykata Kushtetuese vendosi se peticioni ishte i vlefshëm, dhe më pas u vendos që referendumi të mbahej në fund të dhjetorit.

Një përfaqësues i AKIP, Blendi Kajsiu, thotë se në Shqipëri, qeveritë kanë tendencë të jenë servile ndaj aleatëve perëndimorë si të SHBA-së, ashtu edhe të qeverive evropiane. “A duhen pasur parasysh në këtë rast interesat shqiptare? A duhen pasur parash kapacitetet e dobëta administrative të shtetit tonë dhe rrezikun e lartë të arsenalit sirian? Ne kemi pra një recetë për katastrofë”, thotë Kajsiu.

Gazeta kujton edhe ngjarjen tragjike të 15 marsit të vitit 2008 ku nga një shpërthim në fshatin Gërdec të municioneve ushtarake, humbën jetën 26 persona. Një kompani amerikane thuhet se ishte përgjegjëse për demontimin e municioneve të vjetra të ushtrisë shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.

Lajme të ngjashme

Back to top button