Kosovarët humbin shpresën në kampet e reja në Gjermani

Të zhveshur nga e drejta për të kërkuar azil, autoritetet gjermane po i dërgojnë refugjatët nga Ballkani në kampe të veçanta ku pritet veç kthimi në shtëpi.

Nga Philip Kleinfeld, BIRN

Në sytë e qeverisë gjermane 18-vjeçari Arlind Jashari mund të mos duket si një refugjat. Ai nuk është nga Siria dhe nuk po largohej nga lufta kur paketoi një çantë të vogël dhe u largua nga qyteti i tij në veri të Kosovës nëntë muaj më parë. Por në mendjen e djaloshit të ri – këtu në Gjermani vetëm – situata e tij nuk mund të ishte më e qartë.

“E konsideroj veten një refugjatë,” thotë ai. “Kosova nuk është në luftë, por kur nuk ke para dhe stomaku është i uritur, jeta është e vështirë”.

Në një barrakë të vjetër ushtarake jashtë Ingolstadt në zemër të Bavarisë, ana tjetër e politikës së azilit gjerman mund të shihet përmes një gardhi jeshil.

Mirëpritja e refugjatëve që largohen nga Siria nga ana e Kancelares Angela Merkel ka tërhequr vlerësim kudo në botë. Por për migrantët nga Ballkani, që largohen nga varfëria dhe në disa raste nga diskriminimi, dera për një jetë më të mirë po mbyllet me shpejtësi.

Më 1 shtator, një ndërtesë e re u hap jashtë Ingolstadt, dedikuar krejtësisht në vlerësimin dhe riatdhesimin e migrantëve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja.

Gjermania së fundmi shtoi të gjithë këto vende në një listë të vendeve të sigurta, si pjesë e një nxitje më të madhe për të forcuar rregullat e azilit. Menjëherë pas kësaj, një tjetër ndërtesë, një ish-qendër ushtarake amerikane, e hapur në Bamberg pranë Bavarisë veriore u çel për të njëjtin synim.

Në barrakat e vogla me dy kate, siguruar nga një gardh dhe kufizuar me tela me gjemba, njerëzit presin që t’i dëgjohen historitë. Që kur u hap, një zëdhënës i qeverisë gjermane i tha Balkan Insight se 366 migrantë kanë mbërritur në Ingolstadt. Për të përshpejtuar gjërat ata janë regjistruar, u janë marrë shenjat e gishtave, kanë kryer kontrolle mjekësore dhe dëgjesa të rasteve në të njëjtin vend. Pak kanë sukses dhe një ndjesi zymtësie qarkullon në mënyrë të pashmangshme.

Fatos Merra, një ish-pianist dhe violinist nga Tirana në Shqipëri, qëndron në hyrje të barrakave me një pallto të kuqe dhe dy djemtë e vegjël. Ai dhe familja e tij kanë mbërritur në Ingolstadt një muaj më parë pasi fluturuan nga Greqia në Mynih dhe kaluan katër javë në një kamp pranë Erdingut. I papunë për vite, Merra dha intervistën para disa ditësh dhe nuk po pret lajme të mira.

“Ne nuk e dimë nëse do të kthehemi, por të gjithë shqiptarët do të kthehen,” thotë ai. “Kjo ishte ndalesa e fundit. Jemi të trishtuar”.

Ndoshta nga frika e rezistencës nëse migrantët do të zbulonin më parë se do të ktheheshin, shumë thonë se nuk kishin idenë rreth qëllimit të ndërtesës ku ata u dërguan me autobusë nga e gjithë Gjermania.

“Ne e morëm lajmin kur mbërritëm,” thotë djali 14-vjeçar i Merrës, Kristiani. “Ne erdhëm këtu një muaj më parë dhe autoritetet nuk na e thanë”.

“Ne nuk e dinim se për çfarë ishte ky kamp kur mbërritëm,” bie dakord Ardenta Rexha, një 16-vjeçare gjithashtu nga Tirana, që i qëndron pranë të ëmës. “Ne pyetëm njerëzit dhe e morëm vesh. Ndihemi keq, por edhe shpresojmë të qëndrojmë”.

Sipas qeverisë gjermane, kampe të reja nevojiten për të krijuar më shumë vend. Me vendin që pret nga 800 mijë deri në 1.5 milionë aplikime për azil këtë vit, qendrat e pritjes dhe të analizës janë të mbingarkuara. Koha e gjatë e pritjes, mungesa e hapësirës dhe shtimi i tensioneve në kampet e përkohshme raportohen në rritje dita ditës.

Dekurajimi  i migrimit nga Ballkani me këtë kampe de facto për largimi është pjesë e përpjekjes së re të Gjermanisë për të pakësuar numrat.

Megjithëse refugjatët sirianë përbëjnë grupin më të madh të azilkërkuesve në Gjermani, mes janarit dhe gushtit 40 për qind erdhën nga vendet e Ballkanit jo anëtare në BE, sipas Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani.

Ndryshe nga sirianët, migrantët nga Ballkani klasifikohen si migrantë ekonomikë, një term i përdorur jo vetëm për të kategorizuar përse njerëzit kanë lënë shtëpitë por edhe për të përcaktuar kush ka të drejtën për të qëndruar.

Jashtë ndërtesës në Ingolstadt – qeveria Bavariane ia mohoi BIRN të drejtën për të hyrë. Në Kosovë, që po përjeton eksodin më të madh që nga konflikti në vitin 1998 dhe 1999, papunësia e të rinjve është mbi 60 për qind dhe një numër i madh jeton në varfëri absolute. Në pamundësi për të marrë viza pune në BE, ata aplikojnë për azil në Gjermani.

“U largova për një të ardhme më të mirë,” thotë Jashari, duke qëndruar në një biçikletë me një fytyrë të varur. “Jemi hiçgjë në Kosovë. Është një jetë e vështirë dhe e rrezikshme. Mendova se erdha në Gjermani për t’u ndihmuar, por më kanë përçmuar”.

“Përse po e bëjnë ata këtë gjë?” pyet ai. “Kam paguar shumë para për të qenë këtu… Kam humbur gjithçka që kisha. Jam një dele e zezë në mes të deleve të bardha”.

“Shqipëria nuk është aq e mirë,” shton Kristian Merra, që la shkollën  për të udhëtuar. “Jeta është e vështirë atje, nuk ka punë dhe ka shumë probleme. Gjermania kanë punë dhe shkolla dhe mundësia e të ardhmes është më e mirë”.

Sipas Këshillit Bavarez të Refugjatëve, një grup vendas i mbrojtjes që i ka quajtur kampet në Bavari si “çnjerëzore”, migrantët nga Ballkani po ndëshkohen për dështimin e qeverisë gjermane për t’ia dalë me një fluks më të madh të refugjatëve.

“Refugjatët nga Ballkani në Bamberg dhe Ingolstadt po përjetojnë një presion të madh, që të kthehen sa më shpejt që të mundet,” tha Aleksandër Thal, një zëdhënës i grupit.

“Një ekzaminim bazë i aplikimeve të tyre për azil nuk po ndodh më. Ata kalojnë në procedura të shpejta, pa pasur shansin të shprehin arsyet e tyre për azil apo të kenë ndihmë ligjore,” shton ai.

“Çfarë na duhet është më shumë qendra pritje që të kujdesen për kaosin e organizimit që keni në akomodimin e shumë refugjatëve të sapoardhur”.

Jashtë Gjermanisë, një nxitje më e gjerë e BE-së për të kontrolluar migracionin mbi infrastrukturën ekzistuese të “Europës së Fortifikuar” është tashmë në lëvizje. Pika të reja të nxehta të drejtuara nga agjencia e kufirit të BE, Frontex, Europol dhe agjencia e azilit të BE po përgatiten në Greqi dhe Itali së bashku me masa të tjera.

Nëse ato do t’ia dalin të kufizojnë krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore, kjo mbetet për t’u parë por në qendrën bavareze të riatdhesimit, forma e re e trajtimit po ndryshon mendje.

Duke ecur me biçikletë pas një shëtitje në qytet gjatë ditës – ndoshta një nga ditët e tij të fundit në Gjermani – kosovari 28-vjeçar Duklin Stupetim, e përmbledh me një tundje të kokës. “Kosova nuk është e mirë,” thotë ai. “Por as Gjermania”.

Raportime shtesë nga James Kleinfeld.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button