Gjendja e garës republikane para debatit të sotëm

Para debatit të tretë republikan garën vazhdojnë t’a udhëheqin autsajderët Tramp dhe Karson, ndërsa fushata e Bushit është në krizë

Javët e fundit në garën presidenciale amerikane në qendër të vëmendjes me të drejtë kanë qenë demokratët. Mirëpo tani, pas debatit të parë demokrat dhe reduktimit të garës së tyre në vetëm tre kandidatë, fokusi po rikthehet përsëri te ana republikane. Me organizim të televizionit CNBC sonte republikanët do të mbajnë debatin e tretë, saktësisht një muaj pas debatit të dytë të tyre në CNN. Ky është edhe momenti më i përshatshëm për të bërë një rikapitulim të ndodhive nga debati në debat dhe gjendjes së garës sot.

Lajmi më bombastik i periudhës pas debatit të dytë pa dyshim ishte tërheqja nga gara e guvernatorit Skot Uoker. I dyti në momentin kur u fut në garë Skot Uoker llogaritej në top-treshin më serioz për nominimin republikan, gjithmonë duke marrë parasysh punën e suksesshme si guvernator i Uiskonsinit dhe simpatitë që gëzonte në rradhët konzervative. Mirëpo gara nacionale si duket ishte e tepërt për Uokerin. Me dy debate të dobëta, fokusin e skajshëm te konflikti i tij me sindikatat dhe më së shumti keqmenaxhimin finansiar të fushatës që e la pa donatorë të rinj, Uoker më në fund u detyrua të pranojë se nuk sheh mundësi për fitore. Gjatë tërheqjes bëri thirrje që shembullin e tij t’a ndjekin kandidatët tjerë me rejting të dobët, me qëllim që vota konzervative të bashkohej rreth një kandidati të vetëm që do të eliminonte përfundimisht Trampin.

Pas debatit të dytë analistët amerikanë me konsensus shpallën fitues të debatit Karli Fiorinën dhe Marko Rubio. Paraqitja e mirë e tyre pati efekt të menjëhershëm te rejtingu. Nga 1% ku kishte qenë vetëm disa muaj më parë Karli Fiorina shpejt arriti të ngjitet përkohësisht në vendin e tretë, mirëpo me zbehjen e kujtesës së debatit dhe zhvendosjen e ciklit mediatik te demokratët u zbeh edhe rejtingu i saj. Ajo tani qëndron e gjashta me 6% përkrahje sipas RCP. Ndërkaq ngjitja e Rubios ishte më e ngadalshme por më stabile. Rubio tani qëndron i treti me 9%, por çka është më e rëndësishme ai tani konsiderohet si favorit i garës nga establishmenti, duke tejkaluar favoritin e mëparshëm Xheb Bush. Në bastore ai tani është lider i pakontestueshëm me 33% gjasa për fitore.

Si çdo kandidat tjetër që ka shfaqur shenja ngritjeje në garë, Rubio dhe Fiorina u vunë në shënjestër të Donald Trampit. Javët e para pas debatit ai sulmoi fuqishëm Fiorinën me fokus te rezultatet e saja si drejtore e kompanisë HP, për t’iu kthyer pastaj Rubios dhe problemeve të tij personale financiare. Por duhet të thuhet se në ndërkohë ai është bërë kandidat gjithnjë e më serioz, duke shqetësuar kështu seriozisht elitat partiake republikane dhe duke tërhequr më në fund edhe vëmendjen e bastoreve që tani i japin vendin e dytë me 19%. Mirëpo kohët e fundit Tramp ka një kanosje të re nga një tjetër autsajder pa përvojë politike, Ben Karson. Karson ka patur një ngjitje stabile dhe një anketë e fundit e publikuar dje e tregon atë në vend të parë. Kjo është hera e parë që Tramp nuk udhëheq garën dhe kjo mund të shënojë fillimin e fundit të tij. Këtë më së miri e vërteton edhe gjendja e garës në Ajova, shtetin e parë që voton, ku Karson ka fluturuar përmbi Trampin dhe mban vendin e parë në mënyrë të pakontestueshme.

Xheb Bush padyshim ka patur periudhën më të vështirë të fushatës së tij. I konsideruar gjatë kohë si kandidat i pandalshëm dhe pashmangshëm, paraqitja e zbehtë në debate i hapi telashe të reja. Përveç rrënies në vendin e katërt, nga 9% në 7% mbështetje, Bush tani ka kundërkandidat serioz te Marko Rubio. Ai nuk konsiderohet më si favorit i vetëm i establishmentit dhe rrjedhimisht ka ngjallur dyshime te donatorët e vet aktual dhe potencialë. Kohët e fundit ka shkurtuar shpenzimet e garës dhe ka thirur në ndihmë edhe vëllaun e vet Xhorxh Bush për të mbledhur fonde.

Te kandidatët tjerë nuk ka ndonjë lëvizjë të madhe dhe ata vazhdojnë edhe më tej të mbeten në margjina të garës. Për t’u veçuar është vetëm senatori Ted Kruz, i cili mban vendin e pestë sipas RCP dhe të katërtin në shtetin e rëndësishëm të Ajovas.

Pasqyrim më të mirë të garës jep tabela e mëposhtme:

Rejtingu RCP Rejtingu Huffpost Bastoret
realDonald-Trump Donald Tramp 26.8% 32.5% 19%
realBen-Carson Ben Karson 22.0% 22.6% 10%
realMarco-Rubio Marko Rubio 9.0% 7.7% 33%
realJeb-Bush Xheb Bush 7.0% 7.4% 18%
realTed-Cruz Ted Kruz 6.6% 5.1% 6%
 realCarly-Fiorina Karli Fiorina 5.8% 4.8% 5%
 realMike-Huckabee Majk Hakabi 3.8% 3.8% 2%
 realRand-Paul Rend Pol 3.4% 2.6% 1%
 realJohn-Kasich Xhon Kasiç 2.6% 2.8% 2%
 realChris-Christie Kris Kristi 2.4% 2.4% 4%
 realLindsey-Graham Lindsi Graham 1.0% 1.2% 0%
 realRick-Santorum Rik Santorum 0.6% 0.7% 0%
 realBobby-Jindal Bobi Xhindal 0.2% 0.7% 0%
 realGeorge-Pataki Xhorxh Pataki 0.2% 0.4% 0%
 realJim-Gilmore Xhim Gilmor 0.0% 0.0% 0%

 

Tramp edhe më tutje mban vendin e parë, por sipas RCP e cila konsiderohet si më e besueshme atij i është afruar tepër Ben Karson. Konsensusi i përgjithshëm është se asnjëri prej tyre nuk do të fitojë garën pasi fundja nuk kanë asnjë ditë përvojë politike. Befasia më e madhe gjithsesi është ndërrimi i vendeve të kandidatëve të establishmentit, Bush dhe Rubio. Nëse nuk llogaritim Fiorinën e cila gjithashtu nuk ka përvojë politike, kandidati i ardhshëm më serioz është Ted Kruz. Kohët e fundit senatori i zjarrtë nga Teksasi është zënë me të gjithë kolegët e tij në Senat, sepse tentoi të bllokojë sjelljen e buxhetit, rritjen e kufirit të borxhit amerikan dhe huazimet e reja. Megjithëse hapi i këtillë që do të bllokonte plotësisht qeverinë amerikane e vë në konfrontim të hapur me establishmentin, ai është tepër i popullarizuar te baza konzervative e partisë. Me eliminimin e Tramp dhe Karson urrejtja që ka baza për politikanët mund të kanalizohet te Kruz dhe ky të jetë kundërkandidati vetëm i favoritit eventual të establishmentit (Rubio ose Bush).

Debati i sontëm mund t’iu japë kahje të reja këtyre zhvillimeve në garën republikane. Hë për hë ajo duket si garë brendafraksionale. Rubio dhe Bush duket se do të bëjnë betejë të ashpër në fraksionin e establishmentit. Nga ana tjetër Ted Kruz akoma qëndron nën hije dhe pret momentin e volitshëm për të fituar në fraksionin evangjelist dhe atë të partisë së Çajit, e kjo do të ndodhë kur nga gara të bien Tramp dhe Karson. Rubio, Bush dhe Kruz pra janë kandidatët që duhet të ndiqen më për së afërmi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button