Maqedonia zvarrit 13 km të autostradës drejt Kosovës

Ndonëse tanimë disa herë ishte paralajmëruar fillimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, ajo ende është në fazë të studimit fizibiliti, shkruan Koha.

“Sipas marrëveshjes me shtëpinë projektuese, studimi duhet të përpilohet deri në muajin prill të vitit 2016. Bashkë me studimin fizibiliti do të bëhet edhe analiza financiare- ekonomike në drejtim të shqyrtimit të mundësisë për dhënien e projektit në koncesion gjegjësisht partneritet publiko-privat ose ndonjë model tjetër për financimin e ardhshëm të ndërtimit të këtij aksi rrugor”, shprehen nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Ekspertët habiten me faktin që shteti e kthen këtë projekt në fillim, që në vitin 2001 kur Banka Botërore kishte dhënë dritë jeshile për këtë aks dhe duhej të ndërtohet bashkë me unazën e Shkupit.

Ndryshe, partitë në pushtet BDI dhe VMRO DPMNE në fushatën parazgjedhore kishin premtuar realizimin e këtij projekti edhe atë me data dhe shifra konkrete.

“Traseja fillon nga unaza e Shkupit dhe lëvizë drejt kufirit me Kosovën në Bllacë. Aksi rrugor është me gjatësi të përgjithshme prej 13 km dhe paraqet një pjesë të rutës kryesore nga Shkupi dhe Prishtinë. Vlera e përgjithshme e projektit është 69 milion euro. Ndërtimi i këtij aksi rrugor është pjesë e projektit për dhënien e rrugëve nën koncesion”, thuhet në programin e VMRO-DPMNE-së.

Nga partia e Ahmetit heshtin lidhur me mosrealizimin e këtij projekti pavarësisht kërkesave tona për qëndrim zyrtar nga partia e Ahmetit. Dy ditë më parë autoritetet në Kosovë përuruan segmentin e parë të autostradës ‘Arbën Xhaferi’ që lidh Prishtinën me Shkupin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button