Serbia me skenar për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Policisë së Kosovës i është ndezur “alarmi i kuq” dhe kanë rritur masat e sigurisë rreth objekteve të Kishës Ortodokse në Kosovë. Patrikana e Pejës dhe Kisha e Graçanicës janë objektet e kultit ortodoks, ku në çdo kohë tash shihet prezenca e policisë së Kosovës, e cila i ka shtuar masat e mbikëqyrjes së rregullt.

Lajmi.net mëson se këto masa sigurie u janë paraqitur si nevojë Policisë së Kosovës për shkak të posedimit të informacioneve, se pas rekomandimit të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranim të Kosovës në agjencinë më të rëndësishme të OKB-së, struktura të sigurisë së Serbisë po planifikojnë vetë të ndërmarrin sulme kundër Kishave Ortodokse në Kosovë.

“Tendencat vijnë prej vetë shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës serbe, të cilat krahas politikës dhe propagandës së egër kundër Kosovës në UNESCO, po planifikojnë të përkrahin edhe grupe të caktuara të serbëve që të kryejnë sulme ndaj objekteve të kultit ortodoks, që ta dëmtojnë fushatën lobuese të Kosovës në botë, ta dëmtojnë imazhin e Kosovës për tolerancën fetare dhe si rezultat ta pengojnë edhe anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”, thonë burime brenda policisë së Kosovës për lajmi.net.

Gjithashtu, sipas informacioneve që posedon Policia e Kosovës, grupe të caktuara të serbëve janë duke u organizuar për të shkruar edhe grafite me përmbajtje ekstremiste fetare dhe nacionaliste në muret e disa prej objekteve të kultit serb, për t’i përdorur pastaj këto në propagandën e tyre si reaksione të shqiptarëve dhe për të arritur efektin e pritur pengues të anëtarësimit të Kosovës.

“Situata pritet të tensionohet dhe të jetë më problematike deri më 18 nëntor, kur edhe pritet të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, sepse në këtë periudhë mund edhe t’i materializojnë këto tendenca dhe ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës. Kemi urdhër që gjatë kësaj periudhe t’i monitorojmë edhe hyrje-daljet e pelegrinëve ortodoks dhe të tjerëve nëpër kisha ortodokse”, thonë këto burime brenda policisë për lajmi.net.

Pas rekomandimit për pranim të Kosovës në UNESCO, autoritetet serbe kishin paralajmëruar luftë të ashpër me mjete diplomatike, politike dhe me gjithçka që e shohin të nevojshme për të mbrojtur qëndrimin e tyre për ruajtjen, sipas tyre, të trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë.

Para vendimit të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, autoritetet e Serbisë kishin përgatitur edhe material propagandues, me video incizime për “trashëgiminë kulturore serbe” në Kosovë, me qëllim të “informimit” të korit diplomatik në Serbi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button