Anija ushtarake amerikane lundron në ujërat e pretenduar nga Kina

Një anije ushtarake amerikane ka lundruar pranë ishujve artificialë të ndërtuar nga Kina në ujërat e kontestuara territoriale në Detin e Kinës së Jugut.

Ministria e Jashtme në Pekin e kritikoi duke e cilësuar si “ilegal” lundrimin në këto ujëra.

Në një deklaratë, zëdhënësi Lu Kang e cilësoi operacionin një “kërcënim ndaj sovranitetit të Kinës” dhe shtoi se Pekini do t’i përgjigjet në mënyrën e duhur çdo veprimi provokues.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Pentagonit, komandanti Bill Urban deklaroi më herët se Shtetet e Bashkuara po kryenin operacione rutinë në Detin e Kinës së Jugut, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Kina pretendon sipërfaqet dërrmuese të deteve Jugore dhe Lindore të saj, ndërkohë që edhe vende të tjera aziatike deklarojnë sovranitetin për disa ishuj, ujërat e të cilëve besohet të jenë të pasura me burime natyrore.

Zona e përshkuar nga anija amerikane ndodhet mes disa territoreve shkëmbore të zhytura, por të kthyera në ishuj nga Kina përmes një projekti që nisi nga fundi i vitit 2013.

Qeveria kineze deklaron se kjo është diçka ligjore dhe se në takimin me presidentin Obama muajin e kaluar në Uashington, presidenti Xi Jinping deklaroi se, “Pekini nuk ka ndërmend t’i kthejë ato ishuj në baza ushtarake”. 

Por Uashingtoni mendon se Pekini po bën pikërisht të kundërtën, për të përforcuar praninë e tij në zonat e diskutuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button