QIELLI I PLUMBTË

Ai u ndal kur e ndjeu sikletin nga lagështia në këmbë. E ngriti këmbën e djathtë dhe e vendosi në një trung të kalbur rrapi të cilin baballarët e komunës e kanë prerë në park që t’u mundësojnë mujsharëve të ndërtojnë.

“O Zot”, tha vet me vete, “s’i s’e paskam hetuar se këpucët i paskam pasur aq të vëngërta, se më rrjedhin kështu, kurse unë jam nisur te miku im… Nuk shkoj!… E si do të kisha shkuar me çorape kështu të lagëta? Ta mbush me erë të rënd dhomën e tyre? Dhe, pastaj gruaja e mikut të më thumbojë me ndonjë ironi? Jo, jo mil shkoj. Nuk vjen parasysh”. Dhe u kthye. Drejt shtëpisë.. Kaq. I erdhi keq për mikun të cilit i kishte premtuar se do të shkonte për një parti shahu. Por, miku do ta kuptonte shkakun dhe do ta arsyetonte. Pastaj, kah kthehej, thuajse era ia ktheu fletën e librit në një temë tjetër. Mendimet iu lidhën njëra me tjetrën dhe së fundi erdhi pyetja që ia bëri vetes: Si do t’ia dalë me të ardhurat që i merrte nga puna në një market? Si do t’i bënte çare regjistrimit të të së bijës në fakultet? Në kokë i rridhnin edhe shumë mendime të tjera përmes të cilave e kërkonte çelësin për të dalë nga mjerimi. Pastaj, në kthesën që ,ori për rrugën që shpie më shkurt për në shtëpi, e pa një bilbord në të cilin me shkronja të mëdha shkruante Fillojmë, ndërsa me shkronja pak më të vogla Zgjedhjet 2016. Këtij bilbordi i dilte zot Shtabi zgjedhor i partisë Të gjitha mendimet të cilat i kalonin si luzmë bletësh deri në këtë çast, përnjëherë u tretën, i shtypi emocioni të cilin ia shkaktoi bilbordi dhe në mënyrë të pashpjegueshme ia robëroi trurin. Deshi të çlirohet ngas kjo gjendje, duke u përpjekur t’ia mbush mendjen vetes se ky është një ritual i njohur i këtyre partive ballkanike që përsëritet me vete e që nuk ndryshon. Si i tillë nuk ia vlen të humbet kohë për të. Nuk ia vlen fare njeriu ta vrasë mendjen për këtë stereotip (nuk deshi të thotë mashtrim, sepse mashtrimi për tëishte fjalë shumë e rëndë), për diçka që është pjesë e mentalitetit dhe psikologjisë së një brezi të shpenzuar në politikë. Prit, prit… E dinte se në parimin e kësaj propagande, si ajo në bilbord nuk do të duhej të japin fryte. Megjithatë… u ndal duke e kruar vetullën me dy gishta. Eh, tha, nuk do të mund ta heq qafe lehtë këtë reklamë, ose më mirë të thuhet këto fjalë që ishin shkruar me shkronja të mëdha. Iu bë se këto shkronja reflektojnë fuqi, forcë, por edhe cinizëm. Këtë nuk e duronte dot. Po si do ta duronte kur në atë çast u ndje sikur të ishte vetë tërë ai popull që e donte aq shumë ishte shkrirë brenda tij? Ishte një fjalë që në fakt fyente ajo me të cilën po kacafytja ai: Fillojmë! Si ore fillojnë, mendoi, kur në pushtet janë mbi dhjetë vjet e ndoshta edhe më shumë që rrinë ulur në kolltukët e ngrohtë? Athua vallë, para çdo zgjedhjesh ata do të fillojnë. Fillojnë, fillojnë dhe përsëri fillojnë. Gjithmonë janë në fillim. Po kur do të bëjnë ndonjë punë? Ai pështyu dhe u nis. Deshi të heqë dorë nga kjo punë, por e dini si thonë: unë po e lëshoj hajnin, po ai s’më lëshon. Ecte nëpër baltë, i numëronte drurët e rrallë të kuartit të vet të mjerimit, i shikonte shtëpitë formash e ngjyrash të ndryshme, qeset e najlonit varur nëpër ata drurë , disa tesha të vjetra në telat e rrymës elektrike dhe baltën...E shikonte baltën dhe ndër mend i ra një ide e çuditshme: se kjo baltë nuk ishte e vërtetë po se është një parabolë e cila flet diçka për ata që kanë sy e veshë. Pastaj i dëgjoi këpucët që i bën vëzh-vëzh nga lagështira, nga çorapet e tij të lagta dhe kjo duhej t’ia bënte me dije se kjo baltë është e vërtetë, ose reale, siç kishte qejf ai ta përdorte këtë mbiemër a epitet. Megjithatë…

Ky bilbord, veçmas folja Fillojmë e largonin nga bota reale. Tashmë nuk i ndjente këmbët e tij të lagëta në këto ditë të ftohta tetori. Nuk i vuri re as sorrat që ishin mbledhur rreth një cofëtine të një maceje të gjorë të cilën do ta ketë shkelur ndonjë shofer i pakujdesshëm. Ai nuk e ndjente as erën e rëndë që vinte nga cofëtina.

Ecte përhumbur nëpër sokakun e lagët e të përbaltur. Para dyerve të shtëpive fëmijët loznin në sokakun e ngushtë. Fytyrat e tyre kureshtare të këtij mjedisi të mjerë e shikonin atë, kurse ai në vend të fëmijëve e dëgjonte një virrmë të gjatë e të tmerrshme Filloijmë.Dhe, kjo virrmë zgjati, zgjati.

Kur iu afrua derës së shtëpisë, iu kujtuan këmbët e lagëta, këpucët që i rridhnin, çorapet të cilat e thithnin pamëshirshëm lagështirën e baltës. E shtyu derën dhe hyri brenda në oborr. Ata gjithmonë fillojnë e kurrsesi të largohen nga pika e fillimit. Mendojnë se gjithmonë arusha frikësohet me shoshë. Fillojnë! tha dhe e vuri buzën në gaz me ironi. Me këtë hallakamë hidhërimi e përsiatjesh hyri në shtëpi. Gruaja, si gjithherë, nuk e pyeti ku ishe, me kë u takove, ç’bëre etj.

A do të hamë drekë? Ta shtroj sofrën? e pyeti.

Jo, tha ai. Nuk jam i uritur. Jam ngjirë me çdo gjë, shtoi dhe u shtri në kauç. Gruaja e njihte, e dinte sa i ndjeshëm është. Në këso rastesh mërzie i afrohej dhe ia lëmonte flokët si ndonjë fëmije të vogël. Kurse ai e ndjente ngrohtësinë dhe butësinë e dorës së saj. Në atë gjendje, përfund krahut të gruas shikonte kah dritarja. Qielli ishte i plumbtë…

Qielli është i plumbtë, tha.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button