E majta fiton me 10 mijë vota diferencë, PD kërkon rivotim

E majta ka thelluar fitoren në zgjedhjet e pjesshme vendore në Korçë dhe në komunën e Karbunarës në Lushnjë duke rikonfirmuar edhe njëherë forcën e saj.

Me 15953 vota ndaj 5283 të rivalit të tij, kandidati i Partisë Socialiste, Sotiraq Filo, do të jetë kryebashkiaku i ri i Korçës.

Procesi i numërimit të votave, nuk pati vonesa, me përjashtim të një rasti ku u gjetën tri fletë të palosura nga i njëjti person, megjithatë u vendos që ato të numërohen. Sipas KQZ-së, procesi i numërimit të votave ka qenë i pandërprerë çka solli përfundimin procesit brenda një kohë të shkurtër, në mënyrë korrekte dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

PD kërkon përsëritje zgjedhjesh

Demokratë kërkojnë rivotim në zgjedhjet në Korçë duke pretenduar se ka pasur parregullsi në procesin e votimit. Ka qenë deputeti Eduard Halimi, që duke iu referuar pamjeve filmike të transmetuara në emisionin “Fiks fare”, i cilësoi zgjedhjet të manipuluara , ndërsa i kërkoi organeve të drejtësisë që të nisin hetimet.

“Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë një hetim të plotë e të gjithanshëm, të sekuestrojë menjëherë të gjithë dokumentacionin dhe regjistrat qe u panë nga të gjithë shqiptarët në zyrat e PS-së në Korçë dhe të kërkojë ndëshkimin më të ashpër ndaj të gjithë ekzekutorëve, organizatorëve, urdhëruesve, përfituesve dhe financuesve të këtij akti të rëndë. Partia Demokratike kërkon anulimin e zgjedhjeve në Korçë dhe përsëritjen e tyre, me kusht që të ofrohen garanci nga vëzhguesit, që Rama dhe të tijtë të heqin dorë nga zakoni i blerjes së votës siç u pa sot qartë nga të gjithë shqiptarët, deklaroi deputeti deputeti Halimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button