“Shpërthen” Majko: Shqiptarët po përbuzin vetveten

Ish-kryeministri Pandeli Majko shprehet kritik ndaj situatës më të fundit të krijuar në Kosovë, ku përplasja e ashpër e opozitës me qeverinë, ka bllokuar prej disa javësh tashmë, zhvillimet normale të punimeve të Kuvendit. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës është kthyer në një teatër ku shqiptarët po zihen për raportin që shteti i dytë shqiptar në rajon do të ketë me minoritetin serb, duke e kthyer këtë në një lojë nervash midis shqiptarësh. Ndërkohë që edhe debatet në Maqedoni dhe Shqipëri, komenton Majko në rrjetin social “Facebook”, duket sikur po i vendosin shqiptarët nën një “regjim special”.

Reagimi i Majkos Shënimi

1: “Problemet gjithmonë janë të komplikuara, por zgjidhjet janë gjithmonë të thjeshta”. Kjo është një thënie e lexuar rëshkitas në një aeroport ndërkombëtar, ku po vrapoja tranzit për të kapur avionin tjetër. Ironikisht m’u duk shpjegimi më justifikues, sa dhe cinik, i asaj që shoh e dëgjoj… Kosova së shpejti do të jetë me Gjykatë Speciale. Në Maqedoni diskutohet për një prokuror special. Në Shqipëri, kriza e drejtësisë legale ka sjellë diskutimin e një “Gjykate Speciale” për korrupsionin e politikës… Pa dorashka, kjo që po ndodh po i vetëvendos shqiptarët nën një “regjim special”. Ata po jetojnë nën ombrellën e shteteve, të cilat janë afër konsiderimit si të “dështuara”. Po jetojmë një kohë të përbuzjes absurde të vetvetes. Jemi nën një goditje paskrupuj të asaj çfarë jemi, e cila rrezikon të kthehet në një krizë kombëtare.

Shënim 2: Kuvendi i Kosovës është kthyer në një teatër ku shqiptarët po zihen për raportin që shteti i dytë shqiptar në rajon do të ketë me minoritetin serb. Nuk është një debat midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Është një lojë nervash midis shqiptarësh. Në Maqedoni “sherri” i shqiptarëve është stanjativ. Ai zhvillohet mbi bazën e faktit se kush është më i “kualifikuar” për të bashkëqeverisur vendin me maqedonasit. Në Shqipëri debati politik thuajse nuk ekziston. Ai është thjesht një tablo e kthimit të marrëdhënies me publikun si qëllim më vete. Thuajse për të gjithë politikanët shqiptarë të rajonit, batuta ka zëvendësuar kuptimin e fjalës në politikë. Humori dhe ofendimi janë bërë matësi i politikëbërjes shqiptare.

Shënim 3: Kriza e konsumizmit dhe humbja e moralizmit në “luftën” për mirëqenie janë fenomene që demokracitë burimore i kanë zbuluar përpara nesh. Atë mund ta jetosh në mënyra të ndryshme edhe si kritik apo mercenar, si virus por edhe si mbrojtës, si justifikues apo korrigjues. Liria na ka dhënë zgjedhje por edhe çmim. Ajo të jep formën që ke dhe jo atë që pretendon.

Shënimi 4: Kemi nevojë për gjykatës dhe prokurorë të ndershëm. Kjo ka të bëjë me drejtësinë e shkruar. Me drejtësinë e pashkruar jemi edhe më keq. Ajo lidhet në raportin që kemi me të vërtetën dhe veprimin e saj. Ky është udhëkryqi ynë. Ai nuk është ofendues sepse është njerëzor. Shqiptarët në Prishtinë rrezikojnë të ngrenë një “regjim” të shqiptarëve mbi shqiptarët për të drejtat e minoritetit serb. Nuk ka qenë ky qëllimi i lirisë në Kosovë. Nuk ka qenë ky qëllimi i negociatorëve në Bruksel. Nuk besoj se është një lojë e sofistikuar për të bllokuar krijimin e Gjykatës Speciale… Në Kosovë po keqkuptohet lidhja e politikës me pasionin e lirisë për të vepruar.

Kjo që po ndodh ju ngjan këngëve për trimëri kur trimi ka vdekur. Kemi harruar se jetojmë në një kohë tjetër, kur “trimi” nuk vdes dhe procedura është matësi i vërtetë i asaj që vendoset. Jetojmë në kohën e “këngës” ku trimin e “vret” gabimi. Kosova si shtet apo nënshtet, statusi i Prishtinës si produkt ose nënprodukt janë në dorë të Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë dhe jo të bombave tymuese në sallën e Kuvendit. Përulësisht përballë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndodhet një kërkesë e rëndë sa 100 vjet histori.

Ajo është kërkesa e shpëtimit të brezit të shqiptarëve që nuk kanë lindur akoma! T’u japë këtyre të fundit të drejtën të ndihen të barabartë me serbët e së nesërmes. “Problemet gjithmonë janë të komplikuara por zgjidhjet janë gjithmonë të thjeshta”. Kjo fjali aeroportesh më duket herë si këshillë e herë si ngushëllim për ata që humbasin avionin… Gjykatësit sot janë zëdhënësit e vetëm të paqes apo konfliktit që po vjen për ne shqiptarët. Lufta për liri kërkoi heronjtë kurse shteti kërkon gjykatësit e vet. Përtej Gjykatën Kushtetuese ekziston vetëm zoti. Jemi në dorën e gjykatësve. Sigurisht!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button