Duka drekon me De Biasin, merren vendime të rëndësishme

Një drekë në Tiranë mes trajnerit të kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, dhe presidentit të FSHF-së, Armando Duka, ka mjaftuar për t’u dhënë fund zërave për një krisje mes palëve. Nuk ka qenë një vizitë kortezie e trajnerit në vendin tonë, por një udhëtim i mirëfilltë pune, pasi që dje ka filluar të diskutohet për rinovimin e tij të mundshëm, si dhe për përgatitjen e pjesëmarrjes në Euro 2016.

Menjëherë sapo janë takuar, De Biazi dhe Duka nuk kanë vonuar të hedhin në rrjetet sociale një foto të përbashkët, si për t’u treguar të gjithëve se mes tyre nuk kishte asnjë mosmarrëveshje. Deklaratat e dala nga zyrat e FSHF-së kundër trajnerit e kanë irrituar këtë të fundit, por Duka i ka bërë të qartë se ato ishin thjesht mendime personale të individëve të veçantë dhe nuk përfaqësonin “qëndrimin institucional”. Palët kanë evituar të flasin direkt për rinovimin, duke shtyrë mbledhjen për këtë çështje në një vizitë tjetër të trajnerit, i cili do të përgatitë gjatë kësaj periudhe bashkë me përfaqësuesit e tij ligjorë “paketën e kërkesave” për kreun e FSHF-së për sa u përket kushteve të reja financiare të marrëveshjes, transmeton GazetaShqip.

Nëse diskutimi për rinovimin është shtyrë për një datë të dytë, që dje ka filluar menjëherë biseda për pjesëmarrjen në Euro 2016. Çështja që duhet zgjidhur sa më shpejt është ajo e akomodimit të ekipit në Francë, jo vetëm gjatë kohëzgjatjes së aktivitetit, pasi skuadra do të grumbullohet rreth 20 ditë para fillimit të tij. FSHF-ja ka bërë një inspektim të përgjithshëm të hoteleve dhe qendrave stërvitore që i janë vënë në dispozicion në pjesë të ndryshme të Francës. Por tashmë trajneri De Biazi do të udhëtojë drejt vendit organizator të Europianit bashkë me menaxherin e kombëtares, Alban Bushi, për të përzgjedhur se në cilën nga këto qendra do të akomodohet ekipi gjatë qëndrimit në Francë.

Trajneri do të preferonte që të priste shortin e fazës finale, më 12 dhjetor, për të ditur më parë se në cilat qytete do të luajë. Por Duka i ka bërë të ditur se në çdo rrethanë të mundshme, udhëtimet e kombëtares do të kryheshin të gjitha me çarter dhe ekipit do t’i krijohej mundësia të akomodohej në qytetet ku do të zhvilloheshin ndeshjet që në natën para tyre, nëse trajneri do ta shihte të arsyeshme. Kësisoj, De Biazi ka pranuar që të bëjë këtë inspektim personalisht, para se të vendoset se në cilin qytet do të jetë “baza operative” e kuqezinjve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button