Maqedoni, takimi i mbrëmshëm pa marrëveshje: Bisedimet vazhdojnë sot

“Bisedimet rreth realizimit të pikave të Marrëveshjes së Përzhinos do të vazhdojnë sot në nivel të grupeve punuese”, ky është epilogu i bisedimeve të mbrëmshme, që zgjatën dy orë e gjysmë në Klubin e Deputetëve në Shkup, në të cilën morrën pjesë, katër liderët e partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, VMRO-DPMNE-së – Nikolla Gruevski, LSDM-së – Zoran Zaev, BDI-së – Ali Ahmeti, PDSH-së – Menduh Thaçi si dhe euroambasadori Aivo Orav, përfaqësues nga Ambasada e SHBA-së në R.M. dhe lehtësuesi belg Van Hojte, njofton Portalb.

Pas takimit, lehtësuesi belg, Piter Van Hojte, ka deklaruar se pret që javën e ardhshme bisedimet të jenë më intensive.

“Jemi marrë vesh që bisedimet të vazhdojnë, presim që javën e ardhshme intensivisht të punohet për të gjitha pikat nga Marrëveshja e Përzhinos”, është deklaruar shkurt Van Hojte.

Pas mbarimit të bisedimeve të mbrëmshme, asnjëri nga krerët e katër partive politike nuk ka dhënë deklaratë, njofton Portalb.

Rikujtojmë se pas dështimit të bisedimeve për çështjet e hapura në takimin me eurokomesarin Johanes Han, mbrëmë nën mbikëqyrje të përforcuar të ndërkombëtarëve, pesë ambasadorë perëndimorë (ambasadorit i Italisë Ernesto Beleli, euroambasadori Aivo Orav dhe zëvendësambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe), kryeministrit Gruevski në Qeveri, ia kanë dërguar porosinë e BE-së dhe SHBA-së që urgjentisht duhet të arrihet marrëveshje për dalje nga kriza politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button