Akademikët maqedonas: Marrëveshja e Bukureshtit me pasoja të përjetshme për Maqedoninë

Maqedonia dhe Ballkani edhe sot i vuajnë pasojat nga Marrëveshja paqësore e Bukureshtit nga viti 1913, konsiderojnë disa nga pjesëmarrësit e Tubimit ndërkombëtar shkencor “Marrëveshja paqësore e Bukureshtit, Maqedonia dhe Ballkani” që sot dhe nesër mbahet në Shkup në organizim të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë- ASHAM.

Akademik Bllazhe Ristovski vlerësoi se Marrëveshja paqësore e Bukureshtit ka pasoja të përjetshme të cilat edhe sot janë aktuale në Maqedoni me problemin e imponuar me emrin. “Fuqia dhe interesi edhe sot sundojnë siç kanë sunduar edhe para 100 viteve.

Pasojat janë të përjetshme dhe sot i ndjejmë më së shumti. Gjatë vendimeve të këtilla siç është Marrëveshja paqësore e Bukureshtit, pasojat mbeten afatgjate, sepse bëhet fjalë për copëtimin e një vendi dhe të një populli.”, deklaroi Ristovski para fillimit të tubimit.
Sipas tij, nëse në vitin 1993 do t’i jepej pavarësia ose autonomia Maqedonisë nuk do të kishte kurrfarë pasoje ose moskuptimi me fqinjët. Theksoi se as nuk duhet, as nuk është thënë diku që të negociohet për emrin e Maqedonisë, por vetëm të bisedohet për njëfarë kuptimi të disa punëve.

Profesori universitar Stefan Vllahov Micov thotë se edhe 100 vjet pas Marrëveshjes paqësore të Bukureshtit problemet për Maqedoninë janë të njëjta. Sipas tij, fuqitë e mëdha, e para se gjithash SHBA-ja nuk duhet të na ndihmojë në problemin me emrin, por përkundrazi të mos na pengojnë të zgjidhet.

Për profesor Todor Çepreganov duket sikur disa gjëra nga historia përsëriten nëse merret parasysh gjithçka që po ndodh rreth pranimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Sipas tij, sikur ndër vite Marrëveshja paqësore e Bukureshtit nuk është tërësisht në funksion, nëse kihet parasysh se në vitin 1994 Serbia, një nga vendet nënshkruese hoqi dorë nga ajo dhe lejoi në territorin të cilin e ka marrë në vitin 1913 të formohet Republika Federative Popullore e Maqedonisë. Në tubimin në ASHAM krahas pjesëmarrësve nga Maqedonia ka edhe nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Kroacia dhe nga Rusia. 

Lajme të ngjashme

Back to top button