ËNDRRA RINORE

Bisedojnë me zë një grup vajzash në bahçen e restorantit. Herë flasin, herë qeshin. Si rinia më! Biseda e tyre sillet e mbështillet rreth të ardhmes. Ato “shohin ëndrra me sy çelë” për të pritmen. Terr është gjithkah e ato s’mund ta shohin se janë të rrethuara nga pashpresa, se dyert e të ardhmes së tyre tash janë të mbyllura. Bukuria dhe gëzimi kanë mbetur këtu nën shtresat e rënda të territ dhe s’kanë kurrfarë ofertash për këtë rini të mirë. Njëra nga ato e sheh shpëtimin te perëndia. Thotë: zoti është i madh, e do të na nxjerrë nga kjo ngushticë. Tjetra i përgjigjet: zoti na ka dhënë duar, këmbë, sy e veshë dhe kokë. Tjetra na mbetet neve ta zgjidhim vetë. Pastaj dikush shton: e keni harruar partinë, e keni harruar pushtetin. Ata e kanë fatin tonë në duart e tyre të hekurta. Pastaj bie heshtja. Terrin e shton qyqja e natës: ku, ku ku!

Kështu të rinjtë pastaj e përziejnë fiksionin  me realitetin. Një frymë e padukshme herë u jep shpresë e herë e nxjerr humnerën e pakapërcyeshme midis tyre dhe ëndrrës që kanë për ditë më të mira.

Vjen kamerieri dhe pyet: a doni edhe diçka? Përgjigja e tyre është negative. Si mund të kërkojnë kur s’kanë para? Studente janë. Kamerieri largohet i pakënaqur, kurse ato e ndjejnë barrën e ngushticës të cilën situata e rëndë ekonomike e politike ua ka vënë mbi shpinat e njoma dhe nuk mund t’i japin leje edhe për një akullore pas kafesë. Të shkojnë në shtëpi? Çfarë do të bëjnë atje? Atje i pret vetmia. Prandaj njëra nga ato, e ndërron kahen e bisedës, sepse halli është tepër i rëndë. Nuk bahet.

A e keni parë atë?

Cilin moj?

Atë me flokë kaçurrela, thotë. Prej zërit ajo njihet se diçka i vlon në zemër. Tërë shpresa e saj, tërë bindja dhe shpirti janë përqendruar në ëndrrën e saj – që ai ta vërejë, që një ditë t’i thotë: më pëlqen, moj thëllëzë! Ajo është gazmore, e sinqertë, e mençur, punëtore. Notat i ka të shkëlqyeshme, pse mos t’i hapen dyert e kësaj ëndrre?

Vajzat qeshin. Pastaj, pa droje, i përgojojnë djemtë e fakultetit. Deri në imtësi e dinë se si i kanë punët me erosin. Nga pak i imtojnë, nga pak e thonë ndonjë shpoti të imtë për djemtë, mirëpo ajo shpoti e imtë bëhet për shkak të simpatisë që kanë për ta. Janë të reja dhe ende nuk i kanë ato djallëzitë që me vite pas martesës shfaqen në shumë raste të jetës bashkëshortore.

Po megjithatë, megjithatë… kureshtja nuk hiqet dot nga shpirti i tyre. Kureshtja për të ardhmen. Ato nuk mund të heqin dorë nga shpresa se nuk do të arrijnë ta shohin dritën në fund të tunelit të gjatë që duhet ta kalojnë. Nëpër mend u sillen mendime nga më të ndryshmet. E duan lirinë ato, si të gjitha vajzat e Evropës sepse janë evropiane. Duan ta kalojnë jetën me perspektivë të sigurt evropiane, t’i shohin qytetet me histori, Romën, Parisin, Berlinin, Londrën dhe, pa dyshim edhe Vjenën e pse të mos kenë mundësi që dikur, më vonë, të mbajnë edhe ligjërata si profesoresha atje? Dhe, duan të punojnë, të kenë fëmijë e familje stabile, familje normale, ku respektohet secili dhe të gjithë mes vetes.

E shikojnë qiellin me yje, u marrin erë gjetheve të parkut që kanë pranë, mendojnë sa i gjatë, por interesant është rrugëtimi nëpër tunelin të cilin duhet ta kalojnë. Janë të reja, nuk e dinë se sa shpejt kapërcehet. Mendojnë se do të jetojnë si princesha. Janë të reja, nuk e dinë ende se në çfarë shoqërie jetojmë. Mendojnë se politika e vendit do të hapë perspektiva për evropianizimin e këtij vendi, si në aspektin material, ashtu edhe në aspektin shpirtëror. Mendojnë se shpejt këtu do të hiqet nacionalizmi nga politika, se do të largohet mediokriteti nga vendimmarrja. Janë të reja e nuk e dinë ende se këtu fryjnë erëra të zeza, të verdha, të kuqe e vijnë nga lindja e afërt e cila s’i di hall vetes, vijnë nga lindja me kërcënimin e Rusisë, vijnë nga fqinjët të cilët na kanë mbështetur për muri…

Dritat e kafenesë fiken e vajzat ngrihen. Ka kaluar mesnata. Shkojnë nëpër shtëpi ta shpalojnë natën. Ëndërrojnë. Janë të reja e nuk e dinë se shumë fantazma presin në rrugëtimin e tyre të gjatë. Nuk e dinë se jetojnë në një vend surrealist, ku fluturojnë luanët, ku figurat e imta historike ose njerëzit nga rëndomësia paraqiten me përmasa divash e të cilët futen me dhunë midis kopertinave të librit të trash të historisë.; ku njerëzit tashmë kanë nisur të ushqehen me fjalën flamur.  Janë të lumtura me ëndrrën e tyre. Nuk e dinë se pikëllimi gjithmonë i pushton ata që ëndërrojnë se i pret lumturia.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button