“Prilli i thyer”, vështrimi i jetës nga syri i vdekjes

Ismail Kadare është shkrimtari, poeti, prozatori bashkëkohor e përfaqësuesi  më i shquar i letërsisë shqipe, dhe në aspektin e artit letrar, ambasador i shqiptarëve në botë që disa herë është nominuar për çmimin “Nobel” për letërsi.

Duke lexuar “Prillin e thyer” kuptohet lehtësisht përse dhe me çfarë force Ismail Kadare është pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit më të shquar të saj, Shekspirin dhe Eskilin. Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike, dhe të futesh në mekanizmin e tyre është të shikosh mundësinë e tragjedisë.

Portalb ua sugjeron këtë libër të mrekullueshëm që të njiheni më afër, në mënyrë të veçantë, me rregullat kanunore të shqiptarëve, të shtruara në mënyrë të jashtëzakonshme nga Ismail Kadare.

Kritiku letrar amerikan, Herbert Mitgang, në gazetën “New York Times”, për romanin në fjalë ka thënë: “Me “Prilli i thyer”, Kadare vjen në para­rojë si romancieri më i madh ndërkombëtar”.

Ndërkaq, gazeta suedeze “Helsingborgs Dagblad”,  në janar të vitit 2015 për Ismail Kadarenë ka shkruar: “Ismail Kadare është Kafka shqiptar”.

"Prilli“Prilli i thyer” është publikuar për herë të parë në vitin 1980. Personazhi kryesor Gjorgu detyrohet të hakmerret për shkak se këtë e kërkon kanuni i hekurt që është përdorur me shekuj në vendin ku ai jeton. Ai është pasqyrim real i kodeksit ligjor që u ka mbijetuar dekadave të njëpasnjëshme, pasqyrim i një jete të vrazhdë, ku ky kodeks tërheq me vete edhe më të pafajshmit e popullit. Gjakmarrja, besa, miku janë ato elemente që ngrihen në piedestalet më të larta të jetës gjatë shtjellimit të kësaj jete sa të vrazhdë aq edhe të lavdishme. Gjatë shtjellimit të ngjarjes autori ofron në mënyrë shumë direkte jetën në veriun e Shqipërisë, familjen, hakmarrjen, shtëpinë, (që sipas tij i takon mikut); nderin dhe mbi të gjitha, ngjyrat që i jep jetës Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Kadare me mjeshtërinë e tij trajton psikologjinë e njeriut, se si Kanuni dorëhekurt e vë poshtë dhe i imponohet fëmijës që në djep, përshkruan bashkëjetesën e kanunit me jetën e malësorëve, se si ai depërton në mendjen tyre. Të mos pajtohesh me kanunin, me gjakmarrjen, por të mos kesh fuqi as ta kundërshtosh atë. E kryer në emër të nderit, por që gjakmarrja është vula e turpit dhe e krimit.

Portalb ua sugjeron ta lexoni këtë roman, për elementin e dimrit që e karakterizon Ismail Kadarenë në ”Prillin e Thyer”, që njëherë të fut akullin në palcë, të rrëmben, të ngrin, pastaj t’i shpalos retë dhe të ofron diellin, shijojeni.

Lexo:

Libri i javës së parë: “Lufta dhe Paqja” mozaik romancë të mrekullueshme, filozofisë dhe mbijetesës

Libri i javës së dytë: “Dashuri”, prehja dhe rrëmuja e ndjenjave në një vend

Libri i javës së tretë: “Gatsby i Madh”, dëshmia që paraja nuk të bën të lumtur

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button