ANALIZË: Rritet pabarazia mes njerëzve: Maqedonia duhet të ndryshojë modelin

Pabarazia sociale rritet, të pasurit bëhen më të pasur, të varfërit më të varfër. Sipas një pjese të ekonomistëve, i arsyeshëm, e madje edhe i domosdoshëm, është të fillohet të mendohet për ndryshimin e modelit aktual për tatimim të sheshtë. LSDM-ja opozitare tashmë e hapi debatin për rezultatet nga politikat aktuale tatimore e qeverisë. Një pjesë e partive konsiderojnë se nevojiten ndryshime në model. Nga qeveria janë të bindur se pikërisht modeli aktual tatimor është shtyllë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Analiza javore ekonomike e Portalb.mk hap dilemën: Tatim i sheshtë ose tatim progresiv?

A ka kushte dhe nevojë për ndryshimin e modelit tatimor?

Si pjesë e projektit “Vizioni për Maqedoninë”, LSDM-ja opozitare theksoi se do të angazhohet për ndryshim të modelit tatimor, prej atij të sheshtë, në tatim progresiv. Me këtë, në publik u kthye dilema se a ka nevojë për ndryshim dhe çka do të thotë kjo për qytetarët dhe për firmat. Një pjesë e ekonomistëve angazhohen për tatimim progresiv, me arsyetim se modeli aktual edhe më tepër e thellon pabarazinë ndërmjet të varfërve dhe të pasurve.

“Jo vetëm që ka nevojë për ndryshim, por ai është edhe i domosdoshëm, që më në fund ta fillojmë rrugën e mirëfilltë të zhvillimit. Sa paradoksal është sistemi aktual tatimor mund të shihet nga shembulli i mëposhtëm. Drejtori më i paguar në Maqedoni në vitin 2012 ka marrë rrogë prej 76.000 еurosh në muaj, ndërsa shtetit i ka paguar vetëm 11% taksa. Punëtorët që marrin rrogë minimale, gjegjësisht që marrin 150 еuro në muaj, shtetit i paguajnë 32% taksa. Në Gjermani, për shembull, drejtori do t’i paguante shtetit 47%, ndërsa punëtorët me rrogë minimale – 20%”, thotë ekonomisti Branimir Jovanoviq dhe shton se modeli aktual është në dëm të atyre që janë më të varfër, gjegjësisht më pak të paguar.

“Duke i lënë anash emocionet, argumentet për tatim progresiv janë të bazuara në arsye të shëndoshë. Me sistemin aktual tatimor ne kemi gjendje në të cilën të pasurit përfitojnë në kurriz të të varfërve. Për këtë arsye, të pasurit duhet të paguajnë tatime me përqindje më të larta, ndërsa të varfërit me përqindje më të ulëta, siç është në çdo ekonomi të zhvilluar”, thotë për Portalb, ekonomisti Jovanoviq.

Një pjesë e partive vlerësojnë se ka nevojë për ndryshim të sistemit tatimor, mirëpo duke zvogëluar tatime të caktuara. Afaristi, Venko Gligorov nga Partia Liberale thotë se modeli aktual i tatimimit të sheshtë nominalisht i zvogëloi taksat, mirëpo nga ana tjetër ka futur të tjera, me çka ngarkesa për firmat përsëri është e madhe.

“Është me rëndësi të theksohet se në të njëjtën kohë u rritën disa taksa, firmat u nënshtrohen dënimeve drakonike ose nuk u zvogëluan taksat nga rrogat, siç premtonte qeveria. Në përgjithësi, efekti neto për firmat dhe për qytetarët është – taksa më të larta. Si parti nuk jemi për ndryshimin e modelit tatimor nga ai i sheshtë në atë progresiv. Nëse bëhet një gjë e tillë, atëherë mund të vendoset tatimi progresiv për një periudhë të shkurtër kohore. Momentalisht edhe për këtë nuk shohim ndonjë arsye për ndryshim. Ajo që mendojmë se duhet të ndryshohet është distribuimi i të ardhurave nga tatimet kah investimet për gjëra të dobishme, e jo hedhje e mjeteve për aktivitete joproduktive. Ndryshimi i këtillë është më se i nevojshëm”, për Portalb, Gligorovi.

Politika e tatimimit të sheshtë, sipas qeverisë është njëri nga atutë kryesorë gjatë promovimit të Maqedonisë së destinacion për investim. Në rangimin më të ri të “Bussines Insider”, Maqedonia u rangua në vendin e parë në botë, si vend me tatime më të ulëta.

“Kur zgjedhin vend për zhvillimin e biznesit të tyre, kompanitë ndërkombëtare u kushtojnë vëmendje serioze përqindjeve tatimore në vende të ndryshme. Qeveritë shpesh herë garojnë t’i potencojnë përparësitë konkurruese me tatimet e ulëta” – thuhet në hulumtimin e publikuar në tetor.

Analisti Jovanoviq, dyshon se modeli aktual tatimor i ka dhënë ato pritje që kanë të bëjnë me evazionin më të vogël tatimor, të ardhura më të larta tatimore, investime më të mëdha të huaja dhe rritje më të madhe ekonomike.

“Të hyrat buxhetore në buxhet, si përqindje e PBB-së, u zvogëluan pas futjes së tatimit të sheshtë. Për pasojë, u rritën deficitet buxhetore dhe borxhi publik. Investimet e drejtpërdrejta të huaja poashtu janë më të ulëta në periudhën pas futjes së tatimit të sheshtë se sa në periudhën paraprake. E njëjta vlen edhe për rritjen ekonomike”, thotë Jovanoviq.

Sipas afaristit Gligorov, Maqedonia ka tatime të ulëta, mirëpo në pako me taksat e tjera, shpenzimet edhe më tutje janë të mëdha.

“Diciplina tatimore u rrit jo për shkak të tatimit të sheshtë, por për shkak të kontrollit të përforcuar në terren dhe respektimit të rreptë të shfrytëzimit të arkave fiskale. Që të përmirësohet ekonomia, Partia Liberale punon në një model me të cilin do të mund të bëjmë zvogëlim të përqindjeve tatimore dhe taksave të tjera, me të cilat janë të ngarkuar qytetarët dhe bizneset. Paralelisht me këtë, mendojmë ta përfshijmë edhe lirimin e një pjese të shërbimeve që i ofrojnë institucionet dhe oragnet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike. Këto do të jenë përfitime të drejtpërdrejta për të gjithë”, për Portalb, Gligorovi.

Në një ekonomi e cila nuk mund të realizojë përqindje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të rritjes ekonomike, me papunësi më të madhe se 26%, largim të vazhdueshëm të fuqisë punëtore, kurse ajo ekzituesja është e paguar dobët, patjetër duhet të zbatohen politika për zvogëlimin e pabarazisë, thonë ekonomistët.

“Së pari duhet të një ridizajnim i plotë i sistemit për mbrojtje sociale, që ndihma sociale të përfundojë te ata që kanë më shumë nevojë për të. E dyta, duhet të bëhet reformë rrënjësore e sektorit publik, që të rritet kualiteti i shërbimeve publike, si arsimi dhe shëndetësia. E treta, duhet t’i jepet mbështetjte ekonomisë së vendit nga ana e shtetit, që konsumi i shtuar të mos shkojë krejtësisht në import më të madh, por të rezulotjë me prodhimtari më të madhe vendore”, për Portalb, Jovanoviq.

Qeveria disa herë informoi se nuk planifikon ndryshim të modelit aktual tatimor, i cili merr komente pozitive nga ana e investuesve të huaj që hapën fabrika në zonat e lira ekonomike dhe që janë shfrytëzues të ndihmës shtetërore./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button