HISTORI KACAGJELIMESH

Po e nis me paragrafin e një shkrimi të bërë para 25 vitesh:

Në agun e shekullit XX, kur u vu themeli i gjysëmshtetit shqiptar, fatalistit i shpëtoi goja dhe tha: “Ta ruajë Zoti nga shqiptarët!” Dhe pati të drejtë, sepse shqiptarëve të mësuar nën llostin e të tjerëve, u hyri lepuri në bark nga frika e jetës në liri dhe që të nesërmen i grahën dekompozimit të vetvetes.

Kjo e detyroi personalitetin më poliedrik të kohës – Faik Konicën, të shprazë papërmbajtshëm zemërimin në artikullin e sertë “Ç’është liria?”, me të cilin, në fakt, portretoi zhgënjimin e më shumë brezave pararendës dhe jo vetëm…

Ngjashëm vepruan edhe bashkëkohanikët e tij, tejet të pakënaqur me drejtuesit e Atdheut dhe me nivelin e ulët të kulturës politike të bashkëkombësve të pazot për të shpëtuar veten dhe kombin prej kastave hajdutërishte që i binin tim për tim më qafë, secila më sarp se tjetra.

Në stinët e kacagjelimeve të pandalshme ndërvëllazërore pati dhe prej atyre që, nëpërmjet shkrimeve letrare, e lusnin Zotin t’u dërgojë shqiptarëve urgjentisht mend, vullnet, logjikë…, kurse më shpresëthyerit, si puna e Homerit shqiptar – Gjergj Fishtës, e gjykuan më të kollajshme mbushjen e thesit me pleshta se sa kooperativitetin për një qëllim madhor të dy shqiptarëve.

Mjerisht, sot e gjithë ditën, veset tona duken po aq të pashërueshme, historitë groteske dhe energjitë negative të ndërsyera kundër vetvetes gjithashtu.

A është e mundur kjo pas tmerreve që i përjetoi populli ynë nën thundra kurkushësh? Si mund të sqarohet gjithë ky dezintegrim në kohën kur edhe zogjtë e malit e kanë të qartë së vetëm të bashkuar mund të dalim llofkash ku po na kllumin pa hiri: prijësit që dështuan të mbajnë premtimet dhënë të gjallëve dhe atyre që s’janë më; kapitenët që tentojnë të shpërlahen përgjegjësishë 5 më 12-të, duke hedhur supesh zhgune ideologjishë të reja; ata që bëjnë shpëtimtarin tim, tëndin, tonin… duke valëvitur kubarisht flamurin e Skënderbeut, po, për paradoksin e paradokseve, duke e akuzuar atë përjermshëm si armikun më të madh të etnisë; ata në krye të të cilëve qëndrojnë pilotë që s’i grahin dot as trotinetit; ata që presin me tam-tame në radhët e tyre pishmanhoxhët që deri dje i quanin shërbëtorë të tjetrit e hajt bir.

Dreq o punë! Të gjithë politikanët thirren në bashkim, po askush nuk denjon të çlirohet nga kapricjet dhe xhelozitë e pafisnikëruara; të gjithë flasin për pajtim, po askush s’i shmanget interesit që rrallë kalon kufijtë e benevrekëve partiakë.

Situatës së trazuar nga lufta e ashpër brenda llojit i ndihmon temperamenti kolerik që jeton brenda nesh si ilet i së shkuarës, i cili do të reciklohet pashmangshëm gjersa ta kuptojmë se lëngojmë për faj të vetvetes.

Në dallim nga e shkuara kur mund të kuptohej ngecja në udhëkryqet e historisë, sot nuk ekziston asnjë arsye që mund të justifikojë paaftësinë tonë për t’mbijetuar dallgët që sfidojnë anijen shqiptare. Ashiqare: ne kemi nevojë për një Promete me zjarrin në shpirtë, për t’i zbritur në tokë Zeusët e kacagjeluar; për t’i bindur ta braktisin politikbërjen me inate; për t’i detyruar ta flakin maninë e hajgareve dhe kalërimit mbi shpinën e popullit; për t’i mësuar ta perceptojnë në kohën e duhur sa bie sahati, të marin mend prej dështimeve që na mbajnë peng të gjithëve, sepse koha nuk mund të jetë përjetësisht aleati ynë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button