Maqedoni, Akademia e Arsimtarëve nënçmon vetë arsimtarët

Në Kuvendin e Maqedonisë sërish u debatua lidhur me Akademinë e Arsimtarëve, ligj ky i cili u miratua kohë më parë, me ç’rast  deputetët e opozitës kërkuan anulimin e tij, pasi sipas tyre ekzistimi i akademisë është i papranueshëm. Gjithashtu edhe mësimdhënësit janë kundër Akademisë, pasi që sipas tyre ajo jo që rregullon apo përmirëson kualitetin e arsimtarëve, por vetëm shkatërron të njëjtin.

Profesori i shkencave të pedagogjisë, Avzi Mustafa thotë për Portalb, se MASH nuk ka kapacitet që të notojë arsimtarë.

“Ndryshimet e propozuara ligjore në arsim si pikënisje e kanë dhënien e diplomave aktuale të dala nga universiteti, se ato janë të pamjaftueshme për t’i pajisur studentët me një kualifikim të tillë dhe se të diplomuarit nuk i posedojnë kompetencat e nevojshme. Ndoshta edhe mund të jetë ashtu në disa raste, por këto ndryshime do të ishin të mira nëse do të bëheshin në institucione, gjegjësisht në fakultetet pedagogjike, e jo përmes krijimit të një institucioni pranë Ministrisë së Arsimit që do të emërtohet Akademi e Mësuesve, sepse MASH nuk ka kapacitet që të notojë arsimtarët”, theksoi Mustafa.

Ai shtoi se krijimi i kësaj akademie pranë MASH-it, edhe sikur të ketë qëllime të pastra, nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të menduarit analitik.

“Nga ligji shihet se komisionin do ta përbëjnë një përfaqësues i zgjedhur nga ministri, një përfaqësues i zgjedhur nga sindikata, një nga Inspektorati i Arsimit, një nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, një nga fakulteti dhe një nga jashtë. Dhe, vallë po pyesim a janë këta anëtarë më të kualifikuar se profesorët e fakulteteve? Ky është zhvlerësim total i kuadrit të fakulteteve. Gjithçka do të politizohet, nuk bëhet asgjë për kualitet më të lartë por për interesa politike”, u shpreh Mustafa.

Gjithashtu edhe kryetari i LASH-it të Kumanovës, Samet Jahiji  është kundër Akademisë, duke thënë se çdo reformë e deritanishme e MASH ka rezultuar si e dështuar për shkak të mos analizimit të tyre.

“Gjithçka po bëhet pa analizë, pa bisedime. MASH po bën reforma krye në vete, pa u konsultuar me askënd. Për të bërë reforma, duhet të merren mendime nga të gjitha palët dhe më pas të vendoset se çka është e përshtatshme dhe e nevojshme. Te ne nuk ka kush ta krijojë atë Akademi. Është nënçmim për vetë profesorët kjo reformë e MASH-it”, tha për Portalb, Jahiji.

Ish ministri i arsimit Sulejman Rushiti vazhdon të thekson se kjo qeveri ka humbur legjitimitetin.

“Në këtë moment të krizës së thellë politike, qeveria e ka humbur legjitimitetin per të bërë projekte të karakterit strategjik, siç janë projektet në arsim”, tha për Portalb Rushiti.

Ndërkaq sipas opozitës, Akademia do të përdoret për qëllime parazgjedhore.

“Kjo zgjidhje ligjore është e dëmshme. Edhe prej analizave të deritanishme, veçanërisht demotivuese mund të ndikojë mbi ata që tashmë i kanë kryer studimet dhe të cilët në mënyrë shtesë do të duhet një vit të tërë të kalojnë në akademi. Diç e ngjashme si në diskutimin për në testimin ekstrën, kjo është thjesht një metodë tjetër për të shtypur mësimdhënësit dhe kuadrin e profesorëve dhe mendojmë se gjithë kjo është veçanërisht në funksion të partisë në pushtet dhe për këto arsye LSDM-ja nuk i përkrah ndryshimet ligjore”, tha deputeti Betian Kitev i LSDM-së.

Për Ollga Najdenovskën nga radhët e VMRO-DPMNE-së, formimi i akademisë mund të jetë vetëm në dobi të kuadrit të mësimdhënësve.

“E mira në këtë ligj se me marrjen e licencës do të kenë edhe ngritje të rrogës në shumë prej 3.000 denarësh. E mirë është edhe ajo se mësimdhënësit e rinj, që nuk janë të punësuar dhe që marrin titullin “mësimdhënës”, në fusha të caktuara do ta vizitojnë akademinë në kohëzgjatje prej 8 muajsh”, deklaroi deputetja e shumicës parlamentare.

Mësimdhënësit e rinj, siç shpjegoi Najdenovska, tri vite pas marrjes së licencës do të duhet të punësohen. Ky detyrim është i shtetit, tha deputetja e VMRO-DPMNE-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button