Strugë, këshilltari i BDI-së: Ramiz Merko sillet si mafioz

Situata politike brenda BDI-së, tashmë çdo ditë e më shumë po tensionohet. Së fundmi dega e BDI-së në Strugë po regjistron zhvillime shumë të disfavorshme për ecurinë politike të këtij subjekti i cili për 13 vjet më radhë ka mandatin nga populli shqiptar në Maqedoni.

Një nga nëndegët më të fuqishme të BDI-së në Strugë, ajo e Dollogozhdës, konkretisht Këshilli Vendor i kësaj partie ngriu raportet me degën, duke u ankuar për anashkalim dhe mospërfillje nga kryetari Ramiz Merko. Këtyre akuzave i është bashkangjitur edhe kryetari i grupit të këshilltarëve të BDI-së në Strugë, Fitni Dalipi, i cili veç tjerash ka cilësuar sjelljen e kryetarit të degës dhe deputetit e BDI-së, Ramiz Merko, si një “Kapo”, njofton Drini.mk.

“Kryetari, edhe pse për së treti herë rizgjidhet në këtë post akoma vazhdon me avazin e vjetër te sillet si “Kapo”, të mos respektoj as anëtarët e kryesisë, as kryetarët e Këshillave Vendore e as këshilltarët e BDI-së. Kjo sjellje e tij të lë përshtypjen që ai nuk konsultohet as edhe me Kryesin Qendrore, sidomos kjo duket qartë me ndërrimet e ditëve të fundit në Strugë, ku në vend që ai të merret me ndërrimin e kuadrove maqedonase me ato shqiptare në ato institucione ku u takojnë shqiptarëve siç janë: Ministria rajonale e drejtësisë, Shtëpia e kulturës, Muzeu i Strugës, Ministri rajonale e Bujqësisë, Pyjeve dhe Ujërave –njësia rajonale Strugë, madje edhe z. Drejtor në ELEM –Strugë. Kryetari i degës që është edhe deputet i zonës, asnjëherë nuk i ka vizituar këto institucione për të parë gjendjen e të punësuarve shqiptar. Këtë e di shumë mirë pasi që në shtatorin e vitit te kaluar i kam kaluar gati të gjithë këto institucione dhe kam biseduar edhe me drejtuesit e tyre edhe me të punësuarit shqiptar të cilët shprehën pakënaqësinë nga mos interesimi i deputetit të zonës”, tha Fitni Dalipi permes reagimit dërguar mediave.

Burime të Drini.mk, pranë strukturave të BDI-së në Strugë, theksojnë se pas Dollogozhdës pritet që kundër politikave të kryetarit Ramiz Merko të deklarohen edhe nga degët e tjera, ndërsa veçanërisht ajo e fshatit Ladorishtë, e cila po ashtu është një nëndegë shumë e rëndësishme e kësaj partie në Strugë.

Lajme të ngjashme

Back to top button