Njihuni me kandidatët demokratë për president të Amerikës

Më 13 tetor debatin e parë të garës do të mbajnë edhe kandidatët demokratë. Për dallim nga fusha e begatë republikane ku fillimisht u kandiduan 17 kandidatë, në anën demokrate këtë herë janë kandiduar vetëm pesë persona. I gjashti dhe i fundit që akoma ka mundësi t’i bashkangjitet garës është nënkryetari aktual Xho Bajden, i cili pritet që këto ditë të marrë vendimin përfundimtar. Poashtu për dallim nga ana republikane ku zhvillohet betejë e ashpër për nominim, gara demokrate është dukshëm më e qetë për shkak se një kandidate e vetme, Hillari Klinton, udhëheq bindshëm të gjitha anketat dhe thuajse është kurorëzuar si kandidate e demokratëve për president të 45-të të Amerikës.

 

Pasqyra e mëposhtme jep të dhënat kryesore për kandidatët: emrat dhe fotografitë e tyre të shoqëruara me moshën, rejtingun mesatar të llogaritur nga RCP më 12 tetor, fondet e mbledhura nga fushata dhe Super PAC-ët në raportimin e fundit (31 korrik). Në kllapa është emri i kandidatit në origjinalin anglisht.

 


realHillary-ClintonHILLARI KLINTON (Hillary Clinton)

Bashkëshortja e presidentit të 42-të Bill Klinton, ish-senatore nga Nju Jorku dhe ish-sekretare e shtetit, Hillari Klinton padyshim është emri më i njohur që garon në këto zgjedhje. Lidere e pakontestueshme e garës që nga fillimi, Klinton ka mbështetje të padiskutueshme nga të gjitha krahët e partisë, si dhe nga establishmenti demokrat. Pa marrë parasysh pengesat e kohëve të fundit, pritet që procesi i nominimit vetëm të formalizojë kurorëzimin e saj si kandidate zyrtare demokrate në zgjedhjet e përgjithshme. Punët eventualisht mund t’ia ngatërrojë kandidimi eventual i Xho Bajden.

Mosha: 68
Rejtingu mesatar: 42.0%
Fondi i fushatës: 47.5 milionë
Fondi i Super PAC: 20.3 milionë
Fondi total: 67.8 milionë


realBernie-SandersBERNI SANDERS (Bernie Sanders)

Politikani i vetëm socialist amerikan, Berni Sanders disa mandate me rradhë është senator nga shteti i vogël Vermont në veri të vendit. Formalisht është senator i pavarur, por në Senat përherë grupohet me demokratët. Njihet me pozicionet e tij socialiste, të pazakonta në Amerikë, më të afërme me socialistët europianë. Udhëheq kampanjë të shkëlqyer që e ka shtytur në vendin e dytë dhe që ka detyruar edhe Klintonin të lëvizë në të majtë. Kryesisht ka përkrahje nga krahët më liberalë të partisë. Nuk pranon donacione nga donatorë të mëdhenj, pasi vetëdeklarohet si kandidat i “masave”.

Mosha: 74
Rejtingu mesatar: 25.4%
Fondi i fushatës: 15.2 milionë
Fondi i Super PAC: 0 milionë
Fondi total: 15.2 milionë


realJoe-BidenXHO BAJDEN (Joe Biden)

Megjithëse nuk është kandiduar zyrtarisht, nënkryetari aktual i Amerikës dhe senatori i disahershëm nga Delaver, vazhdon të merr vota nëpër anketa. Përkrahjen blanko si duket e ka nga përkrahësit demokratë që frikësohen nga një Klinton e dobësuar nga skandalet apo ekstremizmi majtist i Sanders. Shihet si gjasë e fundit e demokratëve për të ruajtur presidencën nëse Klinton bie nga skandalet, por gjithsesi së pari duhet të vendosë nëse do kandidohet apo jo. Çështje kyçe në këtë vendim si duket luan fuqia e tij emocionale pas humbjes së birit nga tumori në tru.

Mosha: 73
Rejtingu mesatar: 18.6%
Fondi i fushatës: 0 milionë
Fondi i Super PAC: 0 milionë
Fondi total: 0 milionë


realMartin-OMalleyMARTIN O’MALLI (Martin O’Malley)

Ish-kryebashkiak i Baltimorit dhe guvernator i shteti Merilend nga 2007 deri 2015, O’Malli gjendet më në qendër nga Sanders dhe Klinton, në atë pozicion që do t’a quanim qendër e majtë dhe që ishte karakteristikë e demokratëve deri në vitet e 90-ta. Ashtu si dy kandidatët tjerë nuk ka mbajtur hapin me evoluimin në kohë të partisë demokrate prandaj realisht ka gjasa minimale për t’u zgjedhur si kandidat i demokratëve.

Mosha: 52
Rejtingu mesatar: 0.6%
Fondi i fushatës: 2 milionë
Fondi i Super PAC: 0.6 milionë
Fondi total: 2.6 milionë


realJim-WebbXHIM UEB (Jim Webb)

Ish-senator nga Virxhinia, me karrierë të begatë ushtarake në trupat e Marinës amerikane. Njësoj si O’Malli regjistron mbështetje të dobët dhe është autsajder total në garën demokrate.

Mosha: 69
Rejtingu mesatar: 0.9%
Fondi i fushatës: 0 milionë
Fondi i Super PAC: 0 milionë
Fondi total: 0 milionë


realLincoln-ChafeeLINKOLN ÇAFI (Lincoln Chafee)

Ish-senatori dhe guvernatori i shtetit Roud Ajland rrjedh nga një familje e vjetër politikanësh republikanë. Edhe karrierën e vetë senatoriale e ka ushtruar si republikan, por si republikan liberal nuk gjeti më veten në partinë e tij e cila lëvizi në të djathtë. Fillimisht kaloi si i pavarur, për t’u transformuar më vonë në demokrat, duke mbështetur Obamën dhe duke u zgjedhur guvernator nën ombrellën demokrate. Nuk ka thuajse aspak gjasa për të fituar nominimin demokrat.

Mosha: 62
Rejtingu mesatar: 0.2%
Fondi i fushatës: 0.4 milionë
Fondi i Super PAC: 0 milionë
Fondi total: 0.4 milionë


Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button