KOHË VAJI

Ka kohë që po presim në korridor. Presim një vërtetim.

Kanë të drejtë të na kërcënohen, të na shkelin, të na thonë: po deshe prit, mos t’u prittë – kah sytë këmbët! Këta që na kërcënohen, që na shkelin, thotë babai i një dëshmori, dolën në sipërfaqe nga dheu që e lanë me gjak djemtë tanë. Për vete u rehatuan mirë e mirë. Po ne? Neve na i lanë lotët dhe kujtimin e hidhur për bijat e bijtë e humbur për ideal. Dhe, të presim pas dere.

Pastaj në korridorin e errët vjen një plakë e stërlodhur, duke i zhargitur këmbët me vështirësi. Teshat që ka veshur janë të vjetra, ndoshta nga koha e Jugosllavisë. A je lodhur loke? Mos të dhemb diçka?  Dhemb, bre bir, dhemb si me ta ngulë thikën në kraharor, po asgjë nuk është më e madhe se dhembja për djalin tim që ma vranë te pragu i derës! Pastaj i rrjedhin lotët faqeve. Pastaj i fshin me shami, por buza e poshtme i dridhet. Ulu, ulu zonjë, i thotë babai i dëshmorit, duke i treguar një karrige plakës. Plakën e ulin, kurse plaku që thoshte se kanë të drejtë të na kërcënohen, të na shkelin më thotë: a edhe ti je për vërtetim? Po, i them. Epo paskemi të presim bashkë. Pastaj hapet një derë. Del një nëpunëse. Largohuni, ikni tutje! Nuk ka njeriu si del prej dere prej jush! Dhe, mos bëni zhurmë! Çka të bëjmë? më thotë plaku. Do të presim, do të bëjmë sabër, i them. O, ku kam kohë unë të pres, ku kam kohë për sabër: i kam bërë tetëdhjetë e gjashtë vjet…

Plaka thotë: o zot nuk e di pse më kanë sjellë këtu! Ç’më duhen mua vërtetime e çvërtetime? Sa herë që i shoh këto korridore më del parasysh  buzëqeshja e ngrirë e tim biri, i cili kur u nis në luftë më pat thënë: loke, po shkoj për të sjellë ditë më të mira… Nuk do të na e shajnë më nënën, loke… Plaka përsëri i fshin lotët me shami. Shkoi im bir e s’u kthye. Pse?…

Për fat të keq, thotë plaku pas reagimit të plakës, duke u kthyer kah unë, tash është edhe më keq se në kohët e atëhershme. Ata të LK-së na e luajtën nënën, kurse këta edhe nënën edhe babanë. Ka të drejtë kjo zonjë që qan pa pushuar. Kohë vaji është. Shikoni sa vrasje u bënë pas lufte e s’e mori vesh askush çfarë ndodhi dhe pse ndodhën këto tragjedi… Pastaj burgimet e njëpasnjëshme. Ditë të bardhë nuk pamë!

Vazhdojmë të presim në korridorin e errët, i presim vërtetimet. I kemi ulur kokat dhe heshtim. Derisa dikush ka nisur të kotet, ngrihet plaku, i shtyn lehtas njerëzit dhe troket në derë. E hap pak: A do të ma jepni atë vërtetim të mallkuar?! U lodha më. S’më mbajnë këmbët. Phu vërtetimin e nënës!…  Del një nëpunëse. Mos bërtit! i thotë plakut. Si mos të bërtas?! E pres gjith ditën vërtetimin. Nuk është kushedi se çfarë pune të bëhet një vërtetim. Do të ankohem në ministri, do të ankohem në parti, a po merr vesh a jo. Nëpunësja e shikon me ironi. Shko ku të duash, i thotë ajo. Po këtu je në ministri, kurse këtë zonjë e ka sjellë partia këtu, i them. Komunistët e dreqit, bërtet plaku. Nënën tuaj!… Le të shkojë krejt në rrotë të s’amës! thotë plaku. Pastaj dhe del nga korridori duke murmuritur i hidhëruar. Nëpunësja hyn në zyrë, duke na e kthyer shpinën dhe e mbyll derën. Dëgjohet përplasja e derës që ka domethënie: kush po ju merr në dorë, bre?!

Plaka e munduar kthehet kah unë:

Çka do të bëhet halli me ne?

Sabër… ia kthej me zë të mekur.

Po na shkelin! thotë lokja dhe vazhdimisht i fshin lotët me shami…

Unë i them: tonët janë, oj loke:

Këta, a?!… më pyet  ajo plot vrer.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button