Një tis ëndërre

…E dashur, kur do vish që të ulemi dhe çmallemi? Shumë kohë kaloi nga hera e fundit bashkë, më duket edhe larg edhe afër njëkohësisht; distanca mes miqëve është vetëm distancë kohore se kur takohen pas shumë kohësh kanë përshtypjen që vazhdojnë ku kanë mbetur pasi ata që kanë emëruesa të përbashkëta vendosin presje, jo pikë…dhe biseda rrjedh natyrshëm sikur s’kanë hyrë në mes tyre muajt apo vitet.

E di se të mungon shumëçka nga vatani, përfshirë dhe vendet apo njerëzit afër të cilëve ke kaluar pa i vërejtur, malli i ekzagjeron të tërat…

Më ke shkruar për energjinë e Çarshisë, për agimet aty ku dielli vërtet ndrit disi ndryshe, me ngrohtë dhe më butë, për heronjtë e vegjël të kësaj oaze normaliteti, për çajtoret me rok-muzikë, për ushqimin që askund në qytet nuk shijon dhe nuk kundërmon si këtu, për kulturën esnafe që është tamam si dikur, për kalldërmën që ka përthithur për të rrezatuar frymën e kohës…

…po, do dalim të premteve në mesditë, të marrim pak energji nga xhamitë përreth…

Edhe unë deri atëherë do kryej do punë të mbetura, sikur ta dije sa punë të imta më kanë mbetur pezull për kot fare…
Pengje tabijatesh jemi të gjithë, sa më shumë kalon koha, aq më shumë hujet kalojnë në tabijat, ec e ndrysho…ironia qëndron aty se sa me zell këshillojmë të tjerët, aq me vështirësi ndryshojmë vetë. 
Por ndonjëherë na ngulitet ajo proverba kineze se edhe rruga më e gjatë fillon me hapin e parë, dje i bëra dy.

Në Fakultet pyeta mos ka pengesa formale për dorëzimin e temës. S’kishte. Pengesa e vetme mbetem unë…
Hapi i dytë në Ministrinë e arsimit ku konsultimi me përgjegjësen për shkencë me të cilën kemi bashkëpunuar bukur para vitesh, ngjante me film pa zë: për projekte te reja mjete s’ka se s’kanë as për ato që tashmë kanë fituar konkurset (shprehje si e pikëlluar e fytyrës së saj); përgjigjen në pyetjen a përmbajnë botimin e punimeve shkencore në format  libri apo doracaku, sërisht e fitova nga komunikimi joverbal, me po ato fjalë: s’kanë pare për të përmbushur obligimet as ndaj atyre që kanë “fituar” më herët mjete për botime.
Cilëndo derë institucionale që të hapësh për mbështetje të ndonjë ideje që mendon se e ke formuluar mirë në kokë, në letër, përgjigjet dihen para se të parashtrosh pyetjet.
Se nëse  lidhje s’ke, je si “palidhje”. 

Prandaj kënaqu ku je se për këtu s’je.

Sa herë që mendoj kështu zymtë, më bie ndërmend ai vargu i F.Sulejmanit “…do të bëhemi, si s’do të bëhemi, edhe ne do të bëhemi një ditë”.

…ama as këto tema, as ironia, e as shumë fjalë, nuk i shkojnë kësaj vjeshtë të bukur, bile aq të bukur, me aq Diell dhe Ngjyra sa në momente të krijon ndjenjën e zbrazëtirës se një ditë jo të largët e gjithë kjo do jetë e kaluar.
Këtyre ditë të ngrohta, të ndritshme, që kanë një tis Ëndrre, u rri mirë poezia. 
   
E zgjoj dashurinë në mua kur të dua

Rri këtu vetëm
Dhe dashurinë e zgjoj në mua kur të dua 
Je ti brenda apo ke marrë diku në thua
Më lëmon zverkun apo më prek në trup të huaj
Dashurinë për ty e zgjoj në mua kur të dua!

Rri me tjetër
Dhe dashurinë e zgjoj në mua kur të dua
Ndjej gjakun tënd në deje apo lëkurë t’lëmuar
Më harron si fruthin apo më ndjen mish ndër thua
Dashurinë për ty e zgjoj në mua kur të dua!

Rri me njerëz
Dhe dashurinë e zgjoj në mua kur të dua
Flasin pahiri për ty apo i pyes pa pushuar
Më dëshiron apo më ndrydh nën jastëk afsh shuar
Dashurinë për ty e zgjoj në mua kur të dua! 

Ajo është dritë në mua
Dhe e zgjoj kur të dua
Do ti, apo yjet s’duan… 

(L.Haziri)
 
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button