Olsen: Nuk do ta shoh Armeni-Shqipëri, është tmerr

Në një kohë kur Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen ndaj Armenisë, rezultati i të cilës është përcaktues nëse do të kualifikohet apo jo në Kampionatin Europian, vëmendja është edhe te Danimarka.

Shanset e skuadrës, që drejtohet nga Morten Olsen për një kualifikim direkt, varen pikërisht nga rezultati i kësaj ndeshjeje, duke qenë se danezët janë vetëm një pikë më shumë se kuqezinjtë në renditje, shkruan Panorama Sport.

Trajneri Olsen, në një deklaratë që ka dhënë për mediat daneze, ka bërë me dije se nuk do të shohë takimin, i cili do të jetë vendimtar për rrugën e skuadrës së tij në Europian.

“Konfirmoj se nuk do ta ndjek ndeshjen mes Armenisë dhe Shqipërisë që do të luhet të dielën. Thjesht kur e mendoj se mund të ulem dhe të shoh atë takim është një ide e tmerrshme. Ne tashmë nuk mund të bëjmë asgjë më shumë veçse të presim. Personalisht, dua vetëm të marr vesh rezultatin në fund të atij takimi dhe më pas të luajmë  ndeshjen me Francën, duke menduar edhe për të ardhmen, sido që ajo do të jetë”, ka thënë Olsen.

Alternativat

Danezët natyrisht që presin një “dhuratë” nga Armenia, që do të thotë një fitore e tyre ose një barazim në ndeshjen që ata do të luajnë ndaj Shqipërisë.

Kjo do të bënte që në ndeshjen, të cilën ata do të luajnë ndaj Francës të dielën, e cila nuk ka vlerë pikësh në grup, të jenë të qetë. Megjithatë, Olsen shprehet se skuadra e tij i ka marrë të gjitha masat, sido që të shkojë përballja që do të luhet në Jerevan.

“Nëse arrijmë që të kualifikohemi direkt, do të jetë një gjë shumë e mirë. Por, nëse Shqipëria arrin të fitojë dhe na parakalon në renditje, edhe ne do të detyrohemi që të luajmë në ‘play off’, për të siguruar një vend në ‘Francë 2016’”, ka mbyllur Olsen.

Lajme të ngjashme

Back to top button