Ixhet Memeti i shqetësuar për kushtet në burgun e Shutkës

Kushtet në burgun e Shutkës, në pjesën e paraburgimit, janë të rënda për qëndrim. Kështu informoi Avokati i Popullit Ixhet Memeti pas vizitës së djeshme të pjesës së paraburgimit. Ai theksoi se arsyeja kryesore për gjendjen e tillë është mbipopullimi i paraburgimit.

Megjithatë Ixhet Memeti nuk informoi konkretisht për kushtet në të cilat qëndron gazetari Tomisllav Kezharovski. Ai tha se informacionet e mbledhura nga kontrolli i djeshëm do ja përcjellin familjes së Kezharovskit dhe Shoqatës së Gazetarëve.

“Hapësira në të cilën qëndron Kezharovski është kontrolluar në çdo aspekt të mundshëm. Është biseduar me gazetarin, me drejtorinë e burgut, dhe me shërbimet e tjera. Kemi dhënë sugjerimet tona dhe do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me familjen” – tha Memeti.

Ai gjithashtu i bëri apel gjykatave që të mos caktojnë masën e paraburgimit nëse të pandehurit mund të sigurohen në mënyrë tjetër, për shkak të mbipopullimit të burgut që vështirëson kushtet për qëndrim.

Këto komente Memeti i bëri gjatë një punëtorie për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve, në të cilën morri pjesë edhe përfaqësuesi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni Rober Lidell. I pyetur për rastin e Kezharovskit ai tha se në vendin prej ku vjen nuk praktikohet komentimi i rasteve të veçanta gjyqësore përderisa vendimi për to nuk bëhet i plotfuqishëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button