Shqiptarë jemi o Andi, evropianë

Kishim kohë që e prisnim atë ndeshje, gjithë jetën e kemi pritur. Nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli, ishte më shumë se kaq dhe askush nuk mund ta nxehte atmosferën më shumë se dëshira e flaktë për të fituar, për ta mundur një kundërshtar në fushën e gjelbërt që do të na jepte biletën për në Evropianin e Francës.

Nuk dëshironim të tregojmë se jemi evropianë të mirë, sepse evropianë jemi me identitet, edhe gjeografik edhe shpirtëror. Kjo shihet që nga sllogani i tranjerit tonë: “Ne jemi shqiptarë, ne jemi evropianë”, nga çunat e kombëtares që luajnë në klubet evropiane, nga dëshira e madhe për të luajtur në Evropianin e Francës, nga dëshira e madhe për të qënë pjesë e Unionit Evropian.

Është e vërtetë se shtetit shqiptar i mungon përkushtimi i duhur institucional për implementimin e një politike për një shtet më të mirë evropian, si koncept i përgjithshëm, por kjo nuk duhet të jetë temë diskutimi këto ditë.

Kush tha se kemi kompleksin e shqiptarëve të edukuar, megjithëse mund të kishte një trysni të tepruar pozitivizmi (pjesërisht jam dakord) në përpjekje për të koordinuar sjelljen që do të sillte rezultat, nga frika se mund të imponohej ose nxitej ndonjë incident që vetëm mund të na dëmtonte, jo vetëm në qëllimin tonë për të arritur në Francë, por do ta prishte imazhin tonë duke u dhënë të drejtën atyre që të drejtonin gishtin nga “delja e zezë e Ballkanit”.

Shqiptarët janë popull mikpritës (pa dashur ta idealizoj), dhe ne njihemi për një karakteristikë, vlerë kanunore se “edhe armiku kur të vjen në shtëpi, duhet ta respektosh” dhe ne pikërisht këtë bëmë, ose u përpoqëm ta bëjmë, për të treguar se nuk jemi si ata, se ne jemi ndryshe.

Përkrahja për kombëtaren u shpreh natyrshëm, qoftë në stadium që ishte përplot me tifozë, jashtë stadiumit në Elbasan, nëpër sheshe, lokale dhe shtëpi, shqiptarët anembanë prisnin fitoren e kombëtares shqiptare, në atë ndeshje që ishte më shumë se një ndeshje futbolli. Me gjithë ndalesën e disa grupeve tifozerike për të qenë të pranishëm në stadium, ata reflektuan kudo entuziazmin në përkrahje të kombëtares duke mos e lënë të ndjehet “jetime”, duke qënë shpirti i saj, lojtari i 12.

Larg qoftë periudha e komunizmit, që në shumë sfera na la të fundit në Evropë, dhe kufizoi pasionin dhe dëshirën për të ecur përpara, për të brohoritur qoftë edhe nëpër stadiume.

Ne e humbëm ndeshjen, dhe shkaqet mund të jenë të ndryshme gjë që duhet të jetë objekt analize i ekspertëve të futbollit, qoftë arsyeja e “mallkimit të minutave të fundit”, qoftë mungesa e fatit tek gjuajtja e Cikalleshit, qoftë qasja eventuale aventuriere e De Biasit dhe çunave për të luajtur për fitore deri në minutat e fundit, sepse është e vërtetë se “futbolli luhet jo vetëm me zemër por edhe me tru”.

Ne e humbëm një betejë shumë të rëndësishme, por nuk e kemi humbur luftën. Nuk jemi ne “evropianë me brekë nëpër këmbë” nuk jemi evropianë të mundur, sepse i mundëm me dronin në mes të Beogradit, dhe me qëndresën e çunave për ta mbrojtur atë, dhe sjellja jo e duhur e publikut dhe e disa lojtarëve kundërshtar sollën ndërprerjen e ndeshjes dhe tre pikë për ne, që kanë vlerën e një fitoreje të pastër në fushën e gjelbërt.

Të gjithë do ta kujtojnë se ne u sollëm mirë në atë mbrëmje Tetori në shtëpinë tonë, se e respektuam edhe kundërshtarin, armik jashtë fushe, sepse ne jemi shqiptarë dhe vetëm ne dimë ta bëjmë këtë. Nëse askush nuk do të na jetë mirënjohës për mikpritjen tonë, Zoti i di të gjitha.

Kemi edhe një ndeshje të dielën kundër Armenisë, nëse e fitojmë do t’i bëjmë të gjithë t’ia dinë për Shqipërinë që ka munguar përherë në arenat e mëdha të Evropës, por që ka një mundësi të artë për të qënë pjesë e Kampionatit Evropian. Përtej kësaj, nëse nuk kualifikohemi direkt kemi edhe mundësinë për të luajtur barazh, si asnjëherë më parë në historinë tonë të futbollit.

Prandaj, kjo ndeshje e humbur futbolli, duhet të na bëjë më të fortë dhe më të bashkuar, për ta ruajtur dinjitetin dhe për ta ngritur kokën lart, për ta përkrahur përjetësisht kombëtaren tonë. Për dallim nga ata që e fituan këtë ndeshje, por që do ta ndjekin Kampionatin Evropian përmes ekranit të televizorit, ne kemi edhe dy mundësi për të shkuar në Francë, dhe do Zoti – do shkojmë.

Lajme të ngjashme

Back to top button