Kuadrove shqiptare ua ulin gradat në sektorët e Ministrisë së Brendshme

Sistematizimi i ri në Ministrinë e Brendshme ka zbritur në detyrë shqiptarët nga pozitat udhëheqëse. Alsat mëson se postet udhëheqëse të shqiptarëve janë zëvendësuar nga kuadro maqedonas ndërkohë që në detyrë janë ngritur edhe kuadro maqedonas pa arsimim adekuat.

Përveç në Ministrinë e Brendshme ndryshime ka pothuajse në të gjithë sektorët për punë të brendshme të vendit. Në Kumanovë gjithashtu kryeshefi i Sektorit, i policisë së uniformuar, policisë kriminalistike, analitikës, komandanti i policisë së komunikacionit janë maqedonas. Ndërkohë që kuadrot shqiptarë në Stacionet kufitare në Goshincë dhe Bellanoc janë zëvendësuar me komandantë maqedonas. Edhe në Sopot dhe Tabanoc janë emëruar komandantë maqedonas. Në Tetovë kryeshefi i Sektorit të Punëve të Brendshme, Faredin Zenuni është zëvendësuar nga një pasardhës shqiptar, Nevahir Bexheti. Megjithatë drejtori i sektorit të Komunikacionit Besir Qamili, është zëvendësuar nga polici i deritanishëm Atanas Beqarski. Vendimet për këto ndryshime kanë ardhur në mesnatë, thonë informacionet e Alsatit, brenda SPB-së së Tetovës.

Nga ana tjetër përveç shpërfilljes në përfaqësimin vertikal, shqiptarët janë anashkaluar edhe në përfaqësimin horizontal. Gjatë konkursit të fundit të punësimit të 600 policëve të ri, rreth 46 janë shqiptarë. Zv/ministri i brendshëm Zemri Qamili ishte i pakapshëm për të komentuar ndryshimet në dëm të të punësuarve shqiptarë në këtë dikaster. Shkarkimet bëhen disa ditë para se LSDM-ja të marrë postin e Ministrit të Brendshëm ashtu siç parashihet me marrëveshjen politike.

Lajme të ngjashme

Komentet

Back to top button