KUQ-E-ZI

Ne jemi uragan i  ndërprerë – popull i pangirë me vetveten, shkaku i fragmentarizimit të vatanit prej hienash turli fare qysh nga kohërat që nuk mbahen mend.

Ne bëjmë pjesë në mesin e popujve fatkëqinj që ia dolëm të sigurojmë vetëm një çerek pavarësie, që arritëm të valëvisim flamurin lirshëm vetëm në një pjese të gjeografisë etnike. Parë me këtë dioptri, më keq se ne janë vetëm etnitë që nuk kanë fare shtet, si puna e kurdëve, ta zëmë. Dhe, fajin për këtë derexhe, sa e kanë të tjerët, aq e kemi edhe ne shqiptarët, që akoma s’e dimë mirëfilli ç’është liria?

Ndarjet e imponuara të trungut etnik, copëzimet e dhunshme, uzurpimet e përgjithmonshme të tokave tona… na kanë bërë popull të dobët, të parealizuar, me komplekse vlerash skajshmërisht të papajtueshme, që herë vuan nga inferioriteti, herë nga mendjemadhësia e pa mbulesë. Shpirtin e robit e shpërfaqim me lehtësinë e papërballueshme të rënies nën ndikimin e atyre që i konceptojmë më të fuqishëm se vetvetja. Epërsinë racore, ndërkaq, e demonstrojmë me huxhume populiste të mbështetura kryesisht në bëmat e lavdishme të stërgjyshërve.

Në të shkuarën dinjitetit i dilnim zot  me kryengritje dhe rebelime të nxitura nga dhuna permanente e kamxhikut të tjetrit mbi kurrizin tonë. Në periudhën postkomuniste shpërfaqja e ndjenjave kombëtare ndizej në kampanjat parazgjedhore të partive politike me mburoja etnie, ose në raste festash të veçanta, si ajo e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur shqiptarët e degdisur në të katër anët e botës i kaploi atdhedashuria bubullonjëse, e ushqyer me deklaratat pompoze të elitave politike, që e bënë sa ora me llafe atë që nuk kanë kaçik ta bëjnë me vepra konkrete.

Aktualisht bota jonë frymon kuq-e-zi vetëm në ndeshjet futbollistike të kombëtares sonë me ndonjë reprezentacion shteti të konceptuar si armik historik, si puna e përballjes së mbrëmshme me ekipin serb.

Në këso rastesh, sado racionalë qofshim, përthekohemi nga ndjenja e fisme e atdhedashurisë, na behët sikur për një çast kapërcejmë përtej hidhësive të jetës gri të shkaktuara nga tjetri dhe vetvetja, ri bindemi se jemi gjallë, se do të mbetemi gjithmonë ata që na fali Zoti, se do t’u mbijetojmë synimeve të armiqve dhe “miqve” kubarë, që nëpërmjet metodash të sofistikuara grimcojnë substancën shqiptare, na akulturojnë, na tjetërsojnë, na e vrasin shpirtin shkallëshkallshëm.

Kjo është arsyeja përse e pranoj si akt normal frymëmarrjen kuq-e-zi të inspiruar nga ndeshjet e kombëtares, përse më pëlqejnë këto momente zgjimesh të befta, pa çka se euforia dhe patetizmi nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë barometër i besueshëm atdhedashurie të themeltë. Fundja, në kësi rastesh, këso ndjesishë shpërfaq gjithkush, ndaj s’kemi arsye ta bëjmë përjashtimin. Aq më tepër kur në hapësirat ballkanike jemi të vetmit që nuk kërkojmë në arena sportive vrasjen, therjen, zhbërjen e të tjerëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button