SHTETASI I MIRË NË SHTETIN E KEQ

Është vështirë të jesh shtetas i mirë në shtetin e keq. Shtetasi i mirë i respekton ligjet në shtetin që i nëpërkëmb ato. Nuk gënjen në shtetin që gënjen. Nuk ofendon në shtetin ofendues që ofendon. Nuk mashtron në shtetin mashtrues që mashtron. Nuk vjedh në shtetin që vjedh.

Shtetasi i mirë është i qetë në shtetin e egër që dhunon e vret. Është parimor në shtetin që nuk njeh asnjë parim. Është i drejtë në shtetin që është i padrejtë ndaj tij. Është taksapagues në shtetin që keqpërdor taksat qytetare. Është miqësor në shtetin që stimulon armiqësitë.

Shtetasi i mirë e respekton sferën publike, por ajo është e kontrolluar. E koncepton të shenjtë sferën personale, ku shteti i keq aty i fut hundët. Është i ndershëm, aty ku pandershmëria është bërë kod i pëlqyer. Nuk është hipokrit, aty ku stimulohet hipokrizia. Kërkon barazi për të gjithë, aty ku stimulohet pabarazia.

Shtetasi i mirë i respekton të gjitha kombet, aty ku stimulohen dominimet kombëtare. I respekton të gjitha kulturat, aty ku stimulohen dominimet kulturore. I respekton të gjitha gjuhët, aty ku stimulohen dominimet gjuhësore. I respekton të gjitha religjionet, aty ku stimulohen dominimet religjioze.

Shtetasi i mirë synon të jetë i ditur, aty ku stimulohen injorantët. E do arsimimin e të gjithëve, aty ku botohen libra ofendues për të. Angazhohet për media të lira, aty ku mbyllen media e rrihen gazetarë. Dëshiron të kontribuojë në profesion, aty ku privilegjohet mediokri ose ai që mediokritizohet. Kërkon autonomi sferash shoqërore, aty ku janë uzurpuar e dirigjohen të gjitha sferat nga të fortët.

Shtetasi i mirë ka pak gjasa mbijetese në shtetin e keq. Të jesh i mirë në shtetin e keq do të thotë të jesh i krisur, i rrezikshëm, i papërshtatshëm.

Në këtë “sistem” bota u përket hafijeve që përgjojnë, të pandershmëve që “përparojnë”, hajnave që pasurohen. Bota u përket makutëve që shesin gjithçka dhe nuk fryhen me asgjë.

Për shtetin e keq je shtetas i mirë nëse vjedh, nëse nënshtrohesh, nëse je hipokrit, je rob, nuk konteston gënjeshtrën, padrejtësinë, mashtrimin, nuk e denoncon vjedhjen, pabarazinë, paaftësinë.

Shtetasi i mirë në shtetin e keq duhet të përballet me dilemën: të ngulmojë për ndryshimin e shtetit të keq apo të bëhet shtetas “i përshtatshëm” për të mbijetuar. Se shteti i keq tenton ta bëjë të keq edhe shtetasin më të mirë.

Shteti i keq e manipulon edhe të kaluarën, sepse e pengon kujtesa. E dëmton arsimin, sepse dëshiron të “prodhojë” shtetasin e keq. E dëmton shëndetësinë, sepse dëshiron shtetasin e sëmurë.  E shkatërron ekonominë, sepse e dëshiron shtetasin që kënaqet vetëm me bukën e përditshme. I uzurpon gjykatat, sepse e dëshiron shtetasin kokulur. E forcon policinë, sepse e do qytetarin e frikësuar. I mbyll mediat, sepse e do shtetasin e manipuluar.

Shteti i keq është antihuman, antihistorik, antikulturor.

Shtetasi i mirë, megjithatë, duhet të besojë në atë që tha Beketi: “Çdo mur është një portë!” Ai duhet të vazhdojë kundërshtimin e së keqes. Sa më shumë ligështohet dhe bëhet asnjanës, aq më pak i ka gjasat që të mbijetojë si shtetas i mirë.

Shtetasi i mirë në shtetin e keq dëmtohet edhe nga asnjanësit, që kanë mundësi të bëjnë diçka, por shohin punën e tyre. Herët ose vonë nuk mund të bëjnë asnjë punë pa miratimin e shtetit. Asnjanësit shpesh justifikohen se kanë frikë të veprojnë për shkak të familjes, por duke heshtur punojnë kundër familjes së tyre. Si të tillë janë në aleancë të heshtur me shtetin e keq.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

 

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. konteksti për “asnjanësit”, në shikim të parë sikur duket aq i “ngushtë”, autori s’ia ka kushtuar më shumë se një paragraf të vogël, por (sipas meje) aty duhet ta kërkojmë gjithë thelbësoren, shishja e mllefit dhe e keqardhjes autoriale është taposur pikërisht atje, paragrafi përmbyllës është aq relevant për indinjatën dhe klithmën e autorit sa kthehet në shtyllën vërtebrore të gjithë shkrimit, “asnjanësia” është aq problematike… aq sa ngushtësia kontekstuale megjithatë sikur i kullufitë të gjitha të tjerat, duke u ngjitur nga fundi përpjetë si merkuri i termometrit kur nxehet, autori i akuzon asnjanësit për “aleancë të heshtur me shtetin e keq”, autori shprehet “shtetasi i mirë”, ai nuk thotë në shumës “shtetasit e mirë”, autori individualizon (qyshkur, ashtu-kështu nga një “shtet” i keq, nga një aparat i keq politik… i korruptuar etj, s’mund të presim t’na lëkundet aty për aty nga kumti i një klithme, secili aparat është diç më e komplikuar, që përbëhet nga pjesët… nga më shumë pjesë, autori e di që aparati është ngrehina abstrakte tepër komplekse për t’u “lëvizur” nga klithmat, autori e di që aparati s’ka “ndërgjegje”… jo, autori i thërret individit, ai e di që strukturat e shtetit janë integralitete, aparatet politike janë ngrehina individësh, andaj ato “neuronet” e ingranazheve e të sustave makinale janë individët, qofshin të këqinj qofshin “asnjanës”, autori iu thërret të këqinjve dhe “asnjanësve” që të kujtohen se ata janë anomalia, ata janë qelizat kancerogjene të së keqes “shtetërore”, e keqja e një shteti të keq mund të zbutet sadopak vetëm nëse i therrasin mendjes individët… rishtas, qofshin të këqinj apo “asnjanës” – sa për poziten autoriale, ndoshta e gjithë dhimbja dhe qasja do t’mund të shkurtohej pakashumë kështu: e vështirë për një dele bardhoshe në tufën e të zezave, sikur dhe po t’ishte anasjelltas do ta kishim të njëjten, as e galmja në tufën e të bardhave s’do ndjehej mirë, do ishte një kontrast që bie në sy që nga sateliti, e megjithatë s’duhet strukur në amulli të intelektualizmit, as fshehur në heshtje, në asnjanësi e në aleanca me të keqen, por duhet ngritur kokën për ta piketuar fillimisht përspektivën tënde nga aty ku je, duke i hedhur sytë sa më larg t’jetë e mundur, duke i mprehur edhe sytë por dhe veshët e arsyes…

Back to top button