SEMINARI QË SHKËLQEU

Në Tetovë. Para ndërtesës së Universitetit të Tetovës. Mbi hyrje, lart përfund pullazit të rrafshët, shkruan me germa të mëdha: UNIVERSITETI SHTETËROR I TETOVËS. Mendoj, pse vallë shtetëror? Në këtë rajon s’e kam hasur mbiemrin shtetëror në emrin e një universiteti. Dikush më jep një shpjegim: …”për shkak se universiteti u themelua pas mosmarrëveshjeve të mëdha mes themeluesve dhe organeve qeveritare. Dhe, kur fitoi vendosmëria e themeluesve dhe u dorëzuan organet qeveritare, në këtë mbiemër u ruajt njëfarë triumfalizmi që do të thotë se “e bëmë”, anise ju e quajtët “ foshnje e vdekur”.  Dhe u bë universiteti, u legalizua. Foshnja doli e gjallë, si kokërr thane. Që do të rritet me paratë e buxhetit.

Vendosmëria në të shumtën e rasteve del me flamurin e fitores nga beteja. Ajo niset nga  supozimi i ndonjë realizmi relativ dhe i kërkon e i zbulon shtigjet e padukshme që shpijnë kah caku i dëshiruar. Duhet vënë në dukje se vendosmëria nuk shkon pa optimizëm. Këto dy virtyte i kishin iniciatorët për themelimin e universitetit dhe më në fund ai u bë. Dhe, nëse e kemi parasysh se vite e vite shteti e pengoi realizimin e kësaj ëndrre, pse të quhet SHTETËROR? Mjafton Universiteti i Tetovës.

Nejse. Hyj brenda. Më pushton një kënaqësi, më duket se para meje korridorin e hap një rreze drite. Më rrëmben një triumfalizëm. Gjithmonë kur vij në këtë tempull tonin më shoqërojnë këto ndjenja. Dhe, vij shpesh. Por kësaj radhe ato janë me intensitet më të lartë. Sot brenda tempullit zhvillohet një ngjarje e madhe: SEMINARI IX i gjuhës dhe letërsisë shqipe i titulluar LOKALJA DHE UNIVERSALJA NË KULTURËN SHQIPTARE. Do të shoshiten mundësitë dhe elani i gjuhës shqipe dhe i letërsisë shqipe që krijohet këtu në Maqedoni, që janë pjesë e pandashme e arealit gjuhësor dhe letrar të shqiptarëve.

Te dera e sallës, dy vajza ndajnë bexha.

“Ku mbahet seminari, ju lutem”?

“Ja, këtu. Urdhëroni”,  më thonë ato me buzëqeshje.

Isha pak vonë. Hyra, pasi ma hapën derën vajzat dhe e ndjeva se fytyra m’u skuq nga turpi. Brenda fliste ministri i arsimit, pastaj sekretari shtetëror, pastaj me fjalën e tij shkëlqen prof. dt. Salajdin Salihu, organizator i këtij tubimi shkencor dhe kulturor.

Salla plot dashamirë të gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqipe, rektori, dekani dhe të gjithë profesorët e katedrës dhe të katedrave të tjera.

Pas hapjes u ndanë grupet e punës. Në grupin e gjuhës provohet energjia e gjuhës, mundësia e saj për t’i gjetur ngjashmëritë e gjuhës sonë me gurët e çmueshëm, me gurgullimën e përroit të kulluar, me lulet… Ndërkaq në grupin e letërsisë shkëlqejnë fjalët të cilat e zbërthejnë reflektimin e yjeve në gjuhën shqipe. Këtu është magjia e vargjeve të poezisë dhe prozës shqipe, ku gëlojnë ndjenjat e njeriut të këtij nën qielli, era e mirë e luleve të lulishteve tona. Doemos, në këtë kombinim populli është shtylla e kështjellës  letrare.

Kujtohet me pietet edhe figura e madhe e shkrimtarit Murat Isaku, i cili është bard i vërtetë i këtyre anëve.

Dijetar nga Tirana, nga Prishtina nga Shkupi e nga Tetova i artikulojnë mrekullitë e traditës sonë.

Gjatë pushimeve takohemi me miq. I shtrëngojmë dorën njëri tjetrit:

“Si je Agron (Tufa), si je Haqif (Mulliqi), si je Donika (Dabishevci), po ku je o Lulëzim, a erdhi Vjollca”?…

Dekani Fatmir Sulejmani dhe organizatori Salajdin Salihu, nuk kanë kohë Duan si mikpritës t’i takojn, së paku për një minutë mysafirët.

Seminari përfundon në një ditë të bukur. Natyrisht edhe me një “gëzuar”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button