Ibrahim Murtezani, komandant Haraçina ka nevojë për ndihmë (FOTO+VIDEO)

Ibrahim Murtezani (49 vjeçar), i njohur si Komandant Haraçina i qëndroi besnik atdheut dhe betimit që bëri para Adem Jasharit, duke luftuar për lirinë e popullit shqiptar sa herë që pati nevojë. Por nga plagët e marra gjatë betejave ai tashmë është i palëvizshëm dhe ka nevojë për ndihmë.

Komandant Haraçina për Portalb rrëfeu shkurt historinë e tij të gjatë. Ishte prezent në demonstratat e para në Ferizaj, në vitin 1981. Qëndroi në burg të Idrizovës 24 muaj, vetëm për shkak të tatusë së shqiponjës që e kishte në gjoks, ku për t’ia hequr shqiponjën ia kishin hequr lëkurën për së gjalli (1985 në kohën e Jugosllavisë).  “Në vitin 1991 derisa isha ushtar i Jugosllavisë, filloi lufta në Bosnje. Atëherë ika dhe iu bashkova boshnjakëve, luftova 6 muaj e gjysmë.”– tregoi komandanti. Ndonëse pa uniformë, bashkë me Dautin dhe të tjerë qe ditën kur u shfaq UÇK-ja për herë të parë, pas vrasjes së mësuesit (1997).

Komandanti sqaroi: “Kam punuar me gjithë shpirt, gjatë kohë për Kosovë. I kam dërguar në Podujevë fishekë dhe plumba Zairit, dëshmorit Zair Pajaziti. Ndërsa në Luftën e Kosovës kam luftuar prej fillimi e deri në fund. Biles kam qenë i sëmurë nga Verdhëza, të premten kam dalur nga spitali , të hënën kam shkuar në luftë, menjëherë e kam veshur uniformën. Deri në fund të luftës isha komandant i  njësisë në kuadër të Brigadës 162, Agim Bajrami Z. O. N erodimës, e cila ka  qenë si njësi speciale për intervenim të shpejtë po edhe rezistencë kemi bërë tërë kohën. Duke dalur nga Kosova u plagosa nga bomba dhe granata në 5 vende të trupit, nëpër këmbë e shpatulla. Menjëherë shkova në Preshevë dhe vesha uniformën në Zonën e Çarrit (mars, 2000), ku komandant ka qenë Muhameti. Atje kam qëndruar derisa u plagosa rëndë në kurriz, në unazën e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë. Për t’u shëruar shokët më dërguan në Viti, në Banjën e Kllokotit, ku qëndrova 5 muaj.  Ende isha i sëmurë kur ushtria hyri në Tanushë. Atë ditë që janë tëhequr nga Breza, kam ardhur në fshatin Hotël… isha komandant i Batalionit 5, kam udhëhequr 450 ushtarë.”

Sqarime tjera komandanti jep në këtë video:

I pyetur pse pavarësisht se ishte i sëmurë, çdo herë iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe për 14 vjet nuk e lëshoi pushkën nga duart, ai u përgjigj: “Në vitin 1991 në Tropojë, bashkë me miq u betuam para kryekomandantit, Adem Jashari se derisa të jemi gjallë e derisa të ketë nevojë populli shqiptar do të luftojmë. Përndryshe kurrë nuk jam penduar dhe nuk do të pendohem kurrë pse kam luftuar. Sikur të isha ngritur mbi këmbët e mia dhe atdheu të kërkonte, unë do të kisha luftuar sërish… E kam derdhur një pikë lot, 1 pikë gjak dhe 1 pikë djersë, por u qoftë hallall shqiptarëve aq sa ka gjethe në mal.”

Komandant Haraçina
Komandant Haraçina

Komandati për Portalb foli mbi pasojat e luftës, sipas të cilit, pas vitit 2001, njerëzit kanë vdekur duke qëndruar në tavolinë, pasiqë armiku gjatë luftës nuk ka përdorur gaz lotësjellës por një lloj helmi nga i cili ushtarët kanë fjetur. “Ato pasoja i kam ndjerë për 15 vjet: kam pasur tërë kohën problem me shëndetin dhe me jetesën.”-tha. Asnjëherë nuk e shfrytëzoi të drejtën për sigurim shëndetësor, që i takon secilit qytetar e as atë invalidor, sepse deri në vitin 2005 ende kishte fletëarrest, siç qartësoi vetë “Shkaku i sigurisë kurrë nuk kam kërkuar dokumentet e nevojshme.” Edhe pas insistimeve të miqve për të marrë pension invalidor në Kosovë, ai kishte refuzuar me arsyetimin: “Pavarësisht se jam plagosur edhe në Kosovë, në Preshevë u plagosa më rëndë. Në luftë nuk shkova, që të tjerët të më ruajnë kur të kthehem, sepse nuk e kam ditur se a do të kthehem i gjallë. U thosha miqve se nuk kam nevojë për atë pension, derisa ende mund të qëndroj mbi këmbët e mia dhe se nuk mund të marr atë që nuk më takon.” “Për punë të rënda nuk kam qenë i aftë, por jam munduar të punoj sa për të mbijetuar. Po edhe familja më ka ndihmuar.”-tha Murtezani.  Por të mërkurën bëhen 5 javë që kur komandanti është i palëvizshëm. “Unazat ma kanë dobësuar nervin aq shumë saqë tanimë nuk më mbajnë këmbët.”-sqaroi.

“Nuk kishte gjendje më të vështirë për njeriun sesa të bëhet nevojtar”– tha ai duke sqaruar se disa ditë më parë rrezikoi t’i humbte edhe duart “Sa nuk mu paralizuan duart. Mjeku më thotë të mos shqetësohem, të mos nervozohem e stresohem kaq shumë.” Por tani nuk ka zgjidhje tjetër: po bëhen 5 javë që kur është i palëvizshëm. Kështu ai pranon se ka nevojë për ndihmë. “U bëj apel të gjithë shqiptarëve që të mos e harrojnë luftën dhe atë që kemi vuajtur nga armiku! U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që janë, që sa të munden t’iu ndihmojnë luftëtarëve, atyre që kanë humbur pjesët e trupit dhe kanë mbetur përgjithmonë invalidë si dhe familjeve të dëshmorëve, të cilët kanë lënë pas jetimë.”-apeloi komandanti./Portalb.mk

Kontakt tel: 071 438 930
Facebook: Komandant Haraqina
Numri i xhirollogarisë: NLB Prishtina XKO 17-03-0040103588,02-EUR
SWIFT code: NLPR XK PR

Qershor, 2001: Komandant Haraçina flet në min. 2:26

Lajme të ngjashme

Back to top button