Paralele të stërngarkuara shqiptarë në Kumanovë, kërkesa për zgjerim has në vësh të shurdhër

Mësimdhënësit e Kumanovës po ballafaqohen me kushte të rënda gjatë procesit mësimor ku ata punojnë, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Kumanovë (LASH), Samet Jahiji, thotë për Portalb se gjatë punës së tij ai ka kaluar në pesë shkolla ku pothuajse në të njëjtat është ballafaquar me kushte të rënda për nxënësit shqiptarë.

“Kam punuar në pesë shkolla të Kumanovës, ku disa prej tyre edhe kanë qenë të përziera, do me thënë ka pasur nxënës shqiptarë dhe maqedonas, dhe pot ë bësh një krahasim, kushtet kanë qenë të mjerueshme për shqiptarët. Shqiptarët si zakonisht edhe ne shkollat e pastra shqipe dhe në të përziera janë nga 40 në një klasë, kurse ka pas raste që vet kam qenë dëshmitar që një paralele maqedonase ka funksionuar me vetëm dy nxënës”, tha për Portalb Jahiji.

Ai shtoi se disa herë prindërit kanë bërë ankesa deri tek drejtori për të shtuar numrin e paraleleve shqipe mirëpo ndonjëherë kërkesa ka hasur në vesh të shurdhër të drejtorit e ndonjëherë të MASH-it.

“Në shkollat e përziera ku drejtorët kryesisht ishin maqedonas, as nuk lodheshin per të bërë kërkesën,kurse shkollat shqipe që janë të stërngarrkuara me nxënës, disa herë kanë bërë kërkesë në MASH për zgjerimin e objekteve, për hapjen e paraleleve të reja mirëpo një gjë e tillë nuk është realizuar me pretekstin se Ministria e financës nuk ka buxhet për një gjë të tillë:, shtoi Jahiji.

Sipas tij kushtet e nxënësve shqiptarë vazhdojnë të jenë të njejta, në kabinete të vogla dhe të stërngarkuara, kurse ato maqedonase vazhdojnë të funksionojnë me një numër shumë të vogël të nxënësve dhe po të shohësh edhe ne me 40 nxënës edhe ata me 4 nxënës, marrim paga të njëjta, gjë që është absurde.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për Portalb thonë se hapja e paraleleve kërkon analizë dhe se kërkesën duhet ta bëjë vetë drejtori kurse miratimin e jep Ministria e Financave.

“Nëse ka nevojë për shtimin e paraleleve drejtori i shkollës përkatëse duhet të drejtojë një kërkesë drejt nesh, MASH e analizon dhe më pas jep pëlqimin dhe dorëzon kërkesën në Ministrinë e financës, e cila më pas e merr procesin në dorë”, thanë për Portalb, nga zyra për informim e MASH-it./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button