Maqedonia qëndron pezull

Ndoshta një nga mrekullitë e syve të njeriut është pamundësia për t’i parë gjërat e vogla apo ato tejet të mëdha, gjërat e largëta apo ato që ndodhen fare afër, në errësirë apo nën diell të fortë. Megjithatë qytetarit të Maqedonisë sot nuk i duhet as mikroskop e as teleskop, për të dalluar se Republika e Maqedonisë po qëndron pezull, respektivisht nuk funksionon në shërbim të tij dhe kështu i kontestohet edhe statusi prej shteti.

Le t’i hedhim një vështrim sistemit social të Maqedonisë! Kujtojmë se është mirë që mbrojtja shëndetësore sipas ligjit përkatës siguron edhe mjekimin jashtë Maqedonisë në rast nevoje. Praktikisht pacientët patjetër të jenë jetëgjatë për ta realizuar këtë të drejtë… E largët është dita kur do të përmirësohet shërbimi mjekësor rural, kështu që banorët e fshatrave po nuk patën llogari mund të shpërngulen nëpër qytete. Të paktën iu është garantuar e drejta e qarkullimit të lirë; Mirë që me legjislacion nuk janë lënë anash as invalidët, por si i paralizuar në karroce, ish-luftëtari harrohet ‘nën mëshirë të fatit’…Fundja ka ende njerëz bujarë; Pensionet u rritën dhe në realitet pak rëndësi ka se a do të ketë të pensionuar; Të papunëve iu mundësohen disa denarë sa për të paguar tatimin e rrymës a të ujit… Papunësia nuk u zhduk as në një komunë si ajo e Likovës, që ka rreth 30 000 banorë shqiptarë e do t’i mjaftonin vetëm 5 mini fabrika!

Sistemi arsimor duket të jetë rrëmujë! Reformat e avancuara për filloristët imponojnë mësim të gjuhës së huaj që nga klasa e parë… Çështja është të informohen të gjithë fetuset e të fillojnë ta mësojë gjuhën e nënës qysh sa ndodhen në embrion, nëse nuk do tw iu mjaftojnë 5 vjet pas lindjes;  Arsimi i mesëm është i detyrueshëm pa asnjë mundësi alternative… Nëse i riu dëshiron të profesionalizohet në zejen për të cilin ‘është i lindur’, por nuk mund ta paguajë dënimin e mos-shkuarjes në shkollë, duhet të bëhet ‘i zoti’ t’i bëjë të dyja njëkohësisht ose të kërkojë mjeshtër-mësues pasi të diplomojë; Arsimi i lartë nuk paraqet më problem. Thuajse në të gjitha qytetet tashmë ka universitet… Studimet janë ‘në modë’ kohën e fundit e ‘nuk prish punë’ as fakulteti (drejtimi i studimit) e as suksesi i arritur. Falë globalizimit po përsosen edhe metodat  e kopjimit!

Më i dhembshmi është filmi që xhirohet në kuadër të sistemit politik! Duket sikur shtyllat e këtij sistemi (legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori) si mekanizëm i sofistikuar institucional, tashmë prej kohësh varen nga ‘një buton i vetëm’. Mediat private nuk mund të jenë rëndom axhendë-formuese, ndërsa gazetarët detektues të parregullsive, bashkë me analistët këshillues aspak të nevojshëm. Shprehja e lirë është e drejtë demokratike e garantuar, por garancia më e madhe është heshtja. Është filmi i ‘Luigjit të XVI’, prandaj krahas ‘bombave të së vërtetës’ vriten njerëz me shpërthim të bombave të vërteta. Shkurt: regjisori nuk ia vu veshin ndonjëherë ndonjë komisioni kuvendor, deputeti, bashkësie fetare a Avokatit të popullit. Ndonjëherë solidarizohet me sindikatat, grupet qytetare e organizatat joqeveritare, por është i sjellshëm në raport me biznesmenët vendor dhe bankierët apo organizatat e mëdha ndërkombëtare. Megjithatë, tani që ‘është turbulluar uji’, atë është e pamundur ta pastrojë një prokuror special, para së gjithash sepse si i tillë është i paparashikueshëm e jo kushtetues, çdo vendim i të cilit do të ishte i pavlefshëm.

Kërkesa e qytetarit ‘nuk ka kuptim’, veçanërisht tani që siç dëgjojmë çdo ditë “Jo vetëm Maqedonia por e tërë Evropa po përballet me krizën me refugjatët”. Kujt i bëhet vonë nëse ky do të provojë të largohet nga vendi,  duke u përzier në turmën e sirianëve kalimtarë?! Rrjedhimisht, Maqedonia mund të jetë gjithçka por jo shtet. Se historikisht shtetin  e formuan grup njerëzish, të cilët si qenie politike që ishin (dhe kështu  mund t’i kuptonin, analizonin e planifikonin gjërat)  vendosën t’i japin fund anarkisë dhe të dallohen nga qeniet tjera një herë e përgjithmonë. Me vulosjen e të a.q.“Kontratë shoqërore” synuan të jetojnë brenda bashkësisë së organizuar (të quajtur “Shtet”), në të cilën të bartin sovranitetin individual, pasi që kjo bashkësi (lexo: shteti), me sistemin institucional do të jetë në shërbim të tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button