ANALIZË: Katër të punësuar në sektorin privat e financojnë nga një punëtor administrativ!

Vitin e ardhshëm, vetëm për rroga të administratës do të shpenzohen mbi 421 milionë euro ose 13,4 milionë euro më shumë se sa këtë vit. LSDM-ja opozitare, në mes tjerash, propozon që qeveria ta publikojë numrin e saktë të të punësuarve që presin rrogë nga arka shtetërore, nëpërmjet raporteve dhe listave mujore, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Sipas Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, në sektorin publik janë të punësuar 128.253 njerëz.

Saktë, sa njerëz janë të punësuar në institucionet shtetërore…

Numri më i madh i të punësuarve në sektorin publik, gjegjësisht në sektorin shtetëror, janë në arsim, e pastaj vijnë fondet, qeveria, administrata, agjencitë, drejtoritë në nivel qendror, e më pas janë shëndetësia, policia, mbrojtja sociale. Në ndërmarrjet publike, numri i të punësuarve është diçka më shumë se 19 mijë njerëz. Numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik, sipas informatës nga ministria përkatëse, është 128.253 njerëz. Ky numër u publikua pasi në opinion doli informata se në kërkesën e ekspertit evropian Pribe, qeveria është përgjigur se administrata e përgjithshme numëron 185.000 persona.

Një pjesë e biznesmenëve konsiderojnë se, megjithatë, numri i punëtorëve administrativë që e pohon qeveria nuk është përfundimtar.

“Qeveria njoftoi se në sektorin publik paska 123 mijë të punësuar. Unë mendoj se ky numër nuk është përfundimtar. Qëndrimi im është se administrata, gjegjësisht gjithçka që nënkupton punë shtetërore, numëron 172.000 të punësuar. Ne tani kemi një valë të punësimeve nëpërmjet agjencive të ndryshme. Mendoj se nuk janë paraqitur punësimet në nivel lokal, për shembull, në pjesën e punësimeve nëpër çerdhe ose në administratën komunale. Poashtu, këtu janë edhe ata që rijnë në shtëpi dhe marrin rrogë, mirëpo parashtrohet pyetja se a janë dhe si janë të evidentuar”, thotë për Portalb.mk biznesmeni dhe kryetari i Odër ekonomike maqedonase-bullgare, Zore Temellkovski.

Në disa vitet e fundit, qeveria zbatoi disa modele për punësime masovike në administratën publike. Një koncept i tillë i realizua në mes të vitit 2010, kur 5.000 punësime të përkohshme u transformuan në punësime të përhershme. Në vitin 2013 u publikua se administrata hap vende për 1.600 persona të papunësuar, kryesisht nga kategoritë e prekshme të qytetarëve. Shpallje masovike për punësime në ndërmarrjet publike, agjencitë shtetërore, në arsim, u realizuan edhe me fillimin e krizës politike, në fillim të këtij viti, pak para se të hyjë në fuqi Ligji i ri për administratë. Pasoi procedura eksprese në Kuvend, në të cilën, shumica parlamentare i votoi ndryshimet ligjore me të cilat u mundësua transformimi i punësimeve të përkohshme në marrëdhënie të përhershme pune, me çka praktikisht brenda natës u krijuan kushte për punësimin e tre mijë personave. Ashtu siç rritet numri i të punësuarve në administratën publike, rritet edhe shuma që të duhet të paguhet për rroga.

“Punësimet sipas Marrëveshjes së Ohrit, kështu siç realizohen, paraqesin vetëm shpenzim të parave buxhetore. Ku është efekti i këtyre punësimeve, në kuptim të shërbimit kualitativ dhe efikas nga administrata? Një efekt të tillë pozitiv nuk ka. Në përgjithësi, për fat të keq, punësimet në administratë paraqesin mënyrë për blerjen e votuesve partiakë në kurriz të të gjithë qytetarëve dhe kjo gjendje po zvarritet me vite”, thotë për Portalb.mk profesoresha universitare, Shenaj Haxhimustafa.

Analiza e dokumenteve buxhetore tregon se zëri për rroga dhe kontribute është në rritje të vazhdueshme. Kështu, nëse në vitin 2008 ai ka qenë 373 milionë euro, tani, me buxhetin e vitit 2016 u rrit në më tepër se 421 milionë euro.

Rroga dhe kompensime: 

Viti 2016                            421.000.000 euro

Viti 2008                            373.000.000 еuro 

Megjithatë, kjo nuk është shuma përfundimtare për financimin e administratës. Nëpërmjet transfereve buxhetore për arsim, vitin e ardhshëm planifikohen rreth 208 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e këtyre parave përfundojnë për financimin e rrogave të të punësuarve në arsim. Këtu është edhe zëri “shërbime plotësuese”, i cili këtë vit është 480 milionë euro, e nëpërmjet të të cilit, sipas disa ekonomistëve, financohen edhe “kontratat në vepër”, që janë mjaft të popullarizuara.

“Në vend që ta rrisim numrin e të punësuarve në administratë, politikat duhet të orientohen nga krijimi i klimës për më shumë punësime në sektorin privat, i cili është bartës i gjithë ekonomisë. Jemi dëshmitarë se edhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i thekson problemet në administratë dhe ato kritika janë shumë negative për vendin” – vlerëson për Portalb profesoresha, Shenaj Haxhimustafa.

Përderisa punësimet në administratë mbeten më të dëshiruarat, të dhënat e institucioneve kompetente tregojnë se në vend, katër të punësuar në sektorin privat e financojnë një punëtor administrativ. Mirëpo, në qoftë se bëhet një analizë e të dhënave që i publikon Enti statistikor për numrin e të punësuarve në sektorin privat dhe numrin e të punësuarve në sektorin shtetëror dhe firmat me kapital të përzier ose të bashkuar, atëherë raporti tregon se në 3,4 të punësuar në sektorin privat ka 1 të punësuar në firmat dhe institucionet me kapital shtetëror ose të përzier.

Sipas profesionit, më mirë të paguar janë funksionarët, drejtorët, profesionistët dhe shkencëtarët. Kështu, nga numri i përgjithshëm ose nga 35 mijë anëtarët e organeve ligjdhënnëse, funksionarët, drejtorët, diplomatët, që janë pothuajse 10.700 veta, marrin rrogë prej 20 mijë deri në më shumë se 40 mijë denarë në muaj. Shumën e njëjtë e fitojnë më shumë se gjysma e shkencëtarëve dhe e profesionistëve, gjegjësisht rreth 50 mijë persona. Nga ana tjetër, një pjesë e të punësuarve me profesione elementare, punëtorë në makina, punëtorë teknikë, marrin rroga më të ulëta se 16.000 denarë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button