Ministria nuk ka përgjegjësi për sigurinë në shkolla

Pas ngjarjes në shkollën e mesme “Arseni Jovkov” ku 15 nxënës dhe një profesor përfunduan në spital nga gazi lotsjellës, që e kanë hedhur dy persona të panjohur, ka ngjallë frikë dhe pasiguri tek prindërit.

Ata ankohen se pse MASH-i nuk përkujdeset për sigurinë e nxënësve, por ata vetë duhet të paguajnë për sigurinë e fëmijëve, pyesin se a i dërgojnë fëmijët në shkollë shtetërore apo private.

“Kjo që ndodhi është e tmerrshme, kam dy fëmijë në shkollë dhe u kërkojnë të holla për sigurimin dhe ne jemi të detyruar që të ju japim. Është e tmerrshme se dimë a po i dërgojmë fëmijët në shkollë private apo shtetërore. Ka shumë prindër që nuk kanë kushte dhe nuk kanë si të bëjnë pagesën. Nuk e di shpresoj që më të mos ndodh asnjë rast i tillë në asnjë shkollë”, tha Tefik Gashi, prind.

Gjithashtu edhe arsimtarët janë prekur nga ky rast dhe gjithashtu kërkojnë siguri më të lartë në shkollat ku sidomos ka përzierje etnike.

“Dëgjova për rastin dhe më preku shumë. Nuk e di pse MASH nuk ndan të holla për sigurimin e shkollave, e sidomos atyre me etnitete të ndryshme, sepse janë fëmijë dhe mund të ndodh ndonjë tragjedi e cila mund të marrë ngjyrë etnike pastaj”, tha R.I. profesor.

Nga MASH thonë se sigurimi i shkollave nuk bie nën kompetencat e këtij institucioni, mirëpo është çështje që duhet ta zgjidhë vetë shkolla.

“Nuk është nën kompetencat e MASH-it që të paguhet sigurimi në shkollë. Vetë shkollat duhet ta rregullojnë këtë çështje”, thonë  për Portalb nga zyra për informim e MASH.

Ndërkaq vetë Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH) Abdilaqim Ademi bëri thirrje për rritje të sigurisë në shkolla, gjë që ky institucion nuk ka kompetenca ta sigurojë.

Barra për të siguruar jetën e fëmijëve në shkollë rëndon çuditërisht mbi prindërit edhe nëpër shkollat publike. 400 deri 500 denarë në vit, është shuma që paguhet për sigurimin e nxënësve nëpër shumë shkolla të Maqedonisë. Në disa shkolla, viteve të fundit, nuk paguhet fare pasi prindërit nuk kanë mundësi ta përballojnë këtë shpenzim dhe nuk është ndjerë aspak mungesa e sigurimit të shkollave nga ana e pjesëtarëve të Agjencive private të Sigurimit. Këta të fundit, me bekimin e MASH-it, janë bërë pjesë integrale e shkollave dhe shpesh herë edhe e biznesit që bëhet mes palëve kontraktuese.

Lajme të ngjashme

Back to top button