Radas: Jam kroat, por u preka kur i dëgjova thirrjet “Kosova është Serbi”

Futbollisti i Skënderbeut nga Korça, Marko Radas, ka qenë i pari që i është afruar gjyqtarit izraelit duke i bërë me dije se tifozët ishin duke treguar racizëm të pashoq me thirrjet e tyre.

“Ju afrova gjyqtarit dhe i thashë ta ndërpriste ndeshjen sepse ishte racizëm i pastër. I thashë gjithashtu se duhet të dëgjonte me kujdes dhe më pas t’ia bënte me dije edhe delegatit të ndeshjes se çfarë kishte ndodhur”, ka deklaruar Radas pas ndeshjes për “Panorama Sport”.

Cili është opinioni juaj pas ndeshjes?

Mendoj se luajtëm mirë, por duke qenë se Skënderbeu është debutues në fazën e grupeve, i mungon eksperienca për të shfrytëzuar rastet që krijon. Gjithsesi, shkoi mirë. Me përjashtim të një momenti loje kur një pjesë e tifozëve i kaloi limitet.

Ju u afruat te gjyqtari, çfarë i thatë atij?

I kërkova që të ndërpriste lojën për një çast dhe të dëgjonte me vëmendje se çfarë po ndodhte dhe se çfarë po thoshin tifozët, duke ia shpjeguar se ishte racizëm i pastër. Kjo është lehtësisht e verifikueshme edhe nëpërmjet kamerave të shumta që ishin në stadium.

Po gjyqtari çfarë ju tha?

Ai u tregua i gatshëm që të dëgjonte dhe më tha se ‘për këtë çështje ka edhe delegatë e vëzhgues, të cilët do të mbajnë shënimet përkatëse’.

Çfarë nuk ju pëlqeu nga kjo ndeshje?

Ndeshja shkoi shumë mirë, por ky incident me tifozët ishte fare i pakëndshëm. Unë jam nga Kroacia, por prej pesë vitesh jam te Skënderbeu dhe u preka kur i dëgjova thirrjet. Nga ana tjetër, mos harroni se kemi shumë lojtarë nga trojet e Kosovës në ekipin tonë, të cilët pa dyshim janë ndier keq kur kanë dëgjuar thirrjet raciste, por mbi të gjitha thirrjet “Kosova është Serbi!”.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button